AWA i paraqet Komisionit te Medias studimin mbi harmonizimin e legjislacionit me EU acquis lidhur me seksizmin ne media

29 Dhjetor, 2022by admin
319865427_709100930735281_3497201512254326688_n (1)
319896416_690783996003881_5279240353884954155_n
320018389_3307842246122314_3778706548978846255_n

Njoftim për shtyp.

Tiranë, 20 Dhjetor 2022

–  Një përfaqësi e AWA-s u takua me Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për të paraqitur nga afër punën me studimin e legjislacionit  lidhur me seksizmin në media në raport me të drejtën e Bashkimit Europian. Nga ana e Komisionit, morën pjesë kryetarja Flutura Açka, nënkryetari Petro Koçi, deputetja Merita Bakiu, njëherazi kryetare e Aleancës së Grave Deputete dhe  anëtarja Andia Ulliri. Ne fund te takimit, u bashkuan dhe deputetet Lindita Buxheli, Teuta Ramaj dhe Eralda Tase.

Në emër të AWA-s, Valbona Sulçe, anëtare e Bordit Ekzekutiv, bëri një paraqitje të punës së deritanishme për të siguruar një portretizim të drejtë të grave dhe vajzave në median audiovizive, larg sterotipeve dhe objektifikimit apo seksualizimit të tyre, siç ndodh rëndom. Duke iu referuar dhe procesit të integrimit europian, në të cilin Parlamenti ka një rol kyç, Sulçe solli në vëmendje të deputetëve të pranishëm se vlerat mbi të cilat ngrihet ky bashkim kalojnë nga barazia gjinore dhe respektimi i dinjitetit të çdokujt, pavarësisht nga gjinia.

Më pas, autorja e studimit prof. Eralda Methasani bëri një paraqitje të shkurtër të gjetjeve dhe rekomandimeve të studimit, duke u ndalur në rolin që media audiovizive ka në ndryshimin e mendësive të dëmshme për gratë dhe vajzat dhe nevojën për ta rregulluar me ligj këtë aspekt, edhe në zbatim të detyrimeve nga aktet ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë. ” Përveç ndryshimeve ligjore në ligjin për median audiovizive, duhen ndërmarrë edhe disa ndryshime në ligje të tjera, për ta trajtuar plotësisht çështjen e seksizmit në media. Ne rekomandojmë edhe një Rezolutë të Kuvendit për këtë çështje.”

Zj Açka e mirëpriti propozimin e AWA-s dhe kërkoi që të depozitohet një kopje e plotë e studimit në sekretarinë e Komisionit, në mënyrë që edhe anëtarët e tjerë të njihen me të. Ajo premtoi se Komisioni do ta ndjekë me përparësi këtë çështje, për të siguruar konsensus në një temë që i prek të gjithë ligjvënësit , përtej ndarjeve partiake.

Z. Koçi nga ana e tij, vlerësoi kohën e propozimit, edhe si një shtysë më tej në procesin e integrimit europian. Ai sugjeroi që AWA ti drejtohet me një letër informimi edhe Komisionit të posaçëm të Reformës zgjedhore, duke qenë se sjellje të tilla manifestohen më së shumti gjatë fushatave zgjedhore.

Zj Bakiu e mbështeti nismën e AWA-s, duke garantuar bashkëpunimin me Aleancën e Grave Deputete, e cila këtë legjislaturë është më e madhe në numër me 50 deputete.

Takimi u realizua në kuadër të projektit “Harmonizimi I legjislacionit kombëtar me EU acquis lidhur me seksizmin ne media”, i cili mbështetet nga REACTOR-Research in action dhe partnerët e tij nëpërmjet Aksionit “Të cosh përpara barazinë gjinore përmes Procesit të Integrimit Europian. Ky aksion financohet nga Bashkimi Europian dhe bashkëfinancohet nga Suedia.