AWA i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të rregullojë ligjërisht cështjen e seksizmit në audiovizual

15 Nëntor, 2021by admin0
9H7C0054
9H7C0005
9H7C0013
9H7C0007

Njoftim për shtyp.

Tiranë, 15 nëntor 2021

– AWA, Shoqata e Gruas në Audiovizual, paraqiti sot studimin “Analizë e
legjislacionit vendor dhe përvoja ndërkombëtare mbi seksizmin dhe përfaqësimin gjinor në
sektorin vizual”, mbështetur nga AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Grave, me fonde të Agjensisë
Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar SIDA. Të pranishëm ishin përfaqësues të
Parlamentit, Autoritetit të Mediave Audiovizive, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi,
organizatave ndërkombëtare që punojnë për lirinë e medias si dhe organizata të shoqërisë civile.

Studimi, i kryer nga juristja Dorela Lazaj, hedh dritë mbi dy aspekte të rëndësishme të grave në
audiovizual: seksizmin dhe barazinë gjinore në vendimmarrje. Punimi ofron nga njëra anë,
propozime konkrete ligjore për të pasqyruar realitetin social në lenten e anti seksizmit dhe në
anën tjetër, për të garantuar zbatimin e ligjit “Për barazinë Gjinore” në sektorin audioviziv në
Shqipëri.

“Kjo nismë është një hallkë në serinë e veprimtarive që AWA ka ndërmarrë që prej themelimit të
saj në 2018-ën, ” tha Sabina Kodra, Drejtore ekzekutive e AWA-s. ” Ne shpresojmë të theksojmë
rëndësinë e luftës ndaj seksizmit, ekspozimin e situatës reale të barazisë gjinore në audiovizual,
nevojën për adresim urgjent të problematikës së barazisë gjinore si edhe identifikimin e
hapësirave për ndërhyrje legjislative në ligjet që mbulojnë sektorin dhe ligjet e lidhura me to. Ne
besojmë se ka ardhur koha që portretizimit stereotipik shumë vjecar të grave, t’i përgjigjemi me
ndërhyrje të posacme ligjore si në të gjitha vendet europiane, përpos edukimit të audiencës”

Studime të shumta kanë provuar një lidhje midis seksizmit në media dhe rritjes së dhunës ndaj
grave në anën tjetër. Legjislacioni ndërkombëtar dhe europian e ka adresuar seksizmin nëpërmjet
rekomandimeve që prezantojnë parimet dhe protokollet që duhet të ndjekin vendet anëtare dhe
vendet kandidate për të adresuar këtë fenomen. Pavarësisht rekomandimeve të Këshillit të
Europës, të cilat përbëjnë edhe kornizën legjislative nga ku rrjedhin edhe ligjet e brendshme,
duket se legjislacioni shqiptar akoma nuk e ka reflektuar dhe nuk i ka dhënë mbulim ligjor kësaj
cështjeje.

Ndër rekomandimet kryesore të studimit janë:

  • Rishikimi i Kodit të Transmetimit me qëllim harmonizimin e tij me legjislacionin
    europian kundër seksizmit, si edhe shtimin e konceptit të luftës ndaj seksizmit në ligjin
    “Për barazinë gjinore në Shoqëri” sipas propozimeve bashkëlidhur.
  • Përfshirja e ligjit “Për barazinë gjinore në shoqëri” në ligjet referuese të Kodit të
    Transmetimit.
  • Fillimin e një fushatë ndërgjegjësuese publike për seksizmin në shoqëri dhe pasojat e tij.
  • Trajnimi i stafeve të institucioneve publike mediatike lidhur me barazinë gjinore dhe
    seksizmin.
  • Ngritje kapacitetesh në AMA për metodologjitë e monitorimit të seksizmit në media
    sipas Observatorit Europian të Audiovizualit.
  • Përfshirjen e rekomandimeve të Këshillit të Europës në dy ligjet e mësipërme.
  • Krijimi i një vetëdije të re institucionale për pasqyrimin e grave në transmetimet
    audiovizive, dhe garantimi i një pasqyrimi të balancuar të realitetit social.

Lidhur me barazinë gjinore në trupat vendimmarrëse të sektorit audioviziv :

  • Monitorimin e barazisë gjinore në sektorin audiovizual nga Nënkomisioni parlamentar i
    barazisë gjinore .
  • Korrigjimi i menjëhershëm i pabarazisë gjinore në RTSH, AMA dhe QKK në rastin më
    të afërt të rinovimit të trupave drejtuese; ose
  • Garantimin me ligj të barazisë gjinore në vendimarrje duke prezantuar në ligjin “Për
    mediat Audiovizive në Shqipëri” detyrimin e përzgjedhjes/ emërimit në numër të
    barabartë për cdo gjini për organet vendimarrëse publike (AMA, QKK, RTSH) me nen
    të posacëm.

Studimi do t’u shpërndahet anëtarëve të Komisionit të Medias dhe Informimit Publik, Nën-
komisionit për Barazinë Gjinore, Komisionit për Punën dhe Cështjet Sociale dhe Komisionit të
Ligjeve në Kuvend, si një propozim nga shoqëria civile për t’u marrë në konsideratë në të
ardhmen e afërt.

AWA qëndron e angazhuar që të ofrojë gjithë mbështetjen e saj në këtë proces jetik për
garantimin e barazisë gjinore në sektorin audiovizual.

Leave a Reply

Your email address will not be published.