AWA fillon ciklin e podkasteve “Hijet e Fshehura të Feminizmit”

26 Nëntor, 2023by admin10

AWA fillon ciklin e podkasteve “Hijet e Fshehura të Feminizmit”
Një platformë e dedikuar që sfidon pikëpamjet konvencionale mbi feminizmin.

Tiranë, 26 nëntor- Albanian Woman in Audiovisual ka kënaqësinë të paraqesë të parin seri të podkasteve kushtuar çështjeve të barazisë gjinore në Shqipëri.
Podkasti „Hijet e Fshehura të Feminizmit“ me 14 episode, synon të prek një gamë të gjerë të çështjeve të grave, duke ftuar audiencën për diskutime të hapura dhe duke thelluar mirëkuptimin rreth temave komplekse të lidhura me barazinë gjinore në Shqipëri. AWA ofron në këtë mënyrë një platformë për të eksploruar aspekte të ndryshme të jetës së grave, duke sfiduar pikëpamjet konvencionale mbi feminizmin në vend.
Feminizmi në Shqipëri shpesh debatohet në terma të kufizuar, duke mos parë thelbin e tij të vërtetë për shkak të barrierave kulturore dhe politike. Podkasti ynë synon të zgjerojë këtë bisedë, duke kapërcyer këto barriera dhe duke trajtuar në një qasje më gjithëpërfshirëse të të drejtave që burojnë nga barazia gjinore.
Përmes intervistave me personazhe të përzgjedhur, sikurse psikologia Anila Sulstarova, aktorja Ema Andrea, gazetarë si Enkel Demi dhe Sonila Meço, sociologë si Ermira Danaj dhe kërkues shkencorë si Anxhela Cikopano, Ani Bajrami e Armanda Hysa apo artisti Edison Ceraj dhe pedagogët Ermal Hasimja dhe Diana Kastrati, dy autoret e podkastit Valbona Sulçe dhe Irena Myzeqari Hoxhaj, gërmojnë mbi aspekte të ndryshme të feminizmit në Shqipëri, duke i dhënë zë bisedave të margjinalizuara, përmes përvojave të parrëfyera më parë të të intervistuarëve.
Podkasti do të fillojë transmetimin në kanalet e AWA-s në Youtube, Spotify, Facebook, Instagram, Linkedin dhe TikTok më 27 nëntor 2023.
Ky cikël i parë podkasti zbatohet me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” i zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në partneritet me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Center for Research and Policy Making (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).

Për më shumë informacion ose pyetje, lutemi të ndiqni dhe na shkruani në kanalet tona në media sociale.