AWA nis fushatën kundër ndjekjes seksuale dhe dhunës seksuale “#UnëTregoj”

8 Dhjetor, 2023by admin

DEKLARATË PËR SHTYP

 

 

AWA nis fushatën kundër ngacmimit seksual dhe dhunës seksuale „Unë tregoj“

          Teatri „Porta e Fjalës“ me fokus abuzimin seksual shfaqet në Shijak

 

Shijak, 6 dhjetor 2023– Me nisjen e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, AWA Albanian Woman in Audiovisual ka kënaqësinë të lajmërojë hapjen e  fushatës kundër ngacmimit dhe dhunës seksuale të  titulluar  „Unë tregoj“. Të ndërgjegjshëm se të kuptuarit e dhunës seksuale dhe ngacmimit nuk janë procese të lehta në Shqipëri, AWA vendosi të thyejë tabutë dhe të nxisë denoncimin e këtij fenomeni nëpërmjet formave të audiovizualit, sic është teatri i rrugës, podkastet dhe komunikimet outdoor.

Fushata, e cila u çel në Bashkinë e Shijakut, fillimisht me një Tavolinë të Rrumbullakët në Bashki me pjesëmarrjen e anëtarëve të Mekanizmit të Referimit, ZVA-së dhe psikologëve të shkollave, u përshëndet nga znj.Monica Merino, Përfaqësuese e Përhershme, UNDP Shqipëri dhe kryetari i Bashkisë Shijak, z. Elton Arbana.

Sjellja e shfaqjes “Porta e Fjalës” me regji të Ema Andreas në qytetin e Shijakut kishte për qëllim të nxiste pikërisht dhënien e mesazheve sensibilizuese për të kuptuar se ngacmimi seksual nuk është vetëm një krim kundër vajzave dhe grave, por kundër të gjithë shoqërisë. Znj. Valbona Sulçe në cilësinë e përfaqësueses së AWA-s shpjegoi në fjalën e saj synimin e kësaj fushate:

“ Edhe pse ngacmimi dhe dhuna seksuale është jo vetëm ndër format më të përhapura të dhunës ndaj grave dhe vajzave, ajo mbetet ndër format më pak të raportuara dhe të denoncuara për shkak të mendësive që fajësojnë vajzat dhe gratë për këtë krim. Ngacmimi seksual është normalizuar si sjellje në hapësirat tona publike si në rrugë, transport urban, shkolla, mjedise pune, sepse shoqëria nuk e konsideron këtë sjellje të papërshtatshme si ngacmim. Nga ana tjetër, vajzat e mbijetuara nga sulmi seksual stepen të tregojnë historitë e tyre pasi shoqëria nuk do t’i besojë dhe do t’i paragjykojë. Ne duam t’u japim zë këtyre historive dhe të edukojmë të rinjtë e të rejat se ngacmimi seksual është dhunë. Përgjatë 10 muajve, AWA angazhohet që të nxisë diskutimin në komunitetet tona rreth kësaj dukurie nëpërmjet artit dhe mjeteve audiovizuale, sic është teatri i rrugës sot, seria e podkasteve “Unë Tregoj” me rrëfimet e të mbijetuarave nga ngacmimi apo sulmi seksual  që do të vijojë më tej së bashku me ndërgjegjësimin e operatorëve të transportit publik për tolerancë zero ndaj ngacmimit seksual në linjat e autobusëve në Bashkinë e Tiranës.”

Përgjatë aktivitetit, të pranishmit patën mundësi të merrnin informacion edhe mbi rolin e Mekanizmit të Referimit kundër ngacmimit dhe dhunës seksuale si dhe mbi programin e vetëmbrojtjes në shkolla, zbatuar fondacioni ESD Albania.

Ky aktivitet organizohet nga AWA në bashkëpunim me UNDP, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara „Ti japim fund dhunës ndaj grave“ i financuar nga Qeveria e Suedisë.

 

Për më shumë informacion ose pyetje, lutemi të ndiqni dhe na shkruani në kanalet tona në media sociale në Facebook, Instagram, LinkedIn dhe ne adresen elektronike awa.albania@gmail.com