Tirana i thote JO ngacmimit seksual

7 Mars, 2024by admin

6 mars 2024 – Në prag të 8 Marsit, AWA – Albanian Woman in Audiovisual në partneritet me UNDP në Shqipëri dhe Ambasadën e Suedisë, prezantuan fushatën “Unë tregoj” kundër ngacmimit seksual.

Fushata ka në qendër mesazhe publike, nën moton “Ky qytet nuk hesht, por flet kundër ngacmimit seksual”, të vendosura në pikat kyçe të qytetit, të cilat përfshijnë zona si, qendra e qytetit, Rruga e Elbasanit, Tirana e Re dhe Kombinati.

Gjithashtu, 70 mbishkrime me titullin “Ngacmimi seksual është krim dhe dënohet me burgim”, janë vendosur në autobusat e linjës së Kamzës me numra telefoni që tregojnë se ku mund të raportohet ngacmimi seksual.
Veç numrit të Policisë së Shtetit, janë vendosur dhe dy numra të Linjave të Këshillimit përkatësisht për gratë dhe fëmijët, në mënyrë që të ofrohet ndihmë për personat që përjetojnë ngacmim seksual.

Fushata, e cila do të zbatohet në Bashkinë e Tiranës, do të zgjasë 30 ditë dhe do të vijojë me serinë e podkasteve “Unë Tregoj” në kanalet zyrtare të AWA-s në Facebook, Instagram dhe Spotify, me rrëfimet e të mbijetuarave nga ngacmimi apo sulmi seksual Në podkaste do të jepen këshilla nga ekspertët se si duhet reaguar ndaj situatave të tilla.
Fushata është projektuar nga “Albanian Woman in Audiovisual” në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara: “T’i japim fund dhunës ndaj grave” i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe i zbatuar nga UNDP-ja në Shqipëri dhe agjenci tjera të OKB-së në Shqipëri.

Fushata do të zbatohet nga Albanian Woman in Audiovisual dhe UNDP.

UNDP Albania Embassy of Sweden in Tirana Bashkia Tiranë Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban