Tirana i bashkohet fushatës kundër ngacmimit seksual #unetregoj

16 Prill, 2024by admin

11 prill 2024- Fushata e hapur kundër ngacmimit seksual me titullin “Unë tregoj” nga AWA dhe UNDP Albania ka tërhequr vëmendjen e mijëra qytetarëve në gjithë Bashkinë e Tiranës.

Fushata e cila nisi në datën 6 mars 2024 nën sloganin “Ky qytet nuk hesht, por flet kundër ngacmimit seksual” vendosi për një muaj rresht mesazhe në vende publike si qendra e qytetit, Rruga e Elbasanit, Tirana e Re dhe Kombinati.  Gjithashtu 800.000 – 900.000 pasagjerë që udhëtuan përgjatë muajit mars me linjat e transportit urban të Kamzës u informuan nëpërmjet njoftimeve të ngjitura në të 70 autobusët e linjës se ku mund të raportohet ngacmimi seksual përmes numrave të Policisë së Shtetit, Linjave të Këshillimit për Gratë dhe Fëmijët.

Përgjatë kësaj kohe, në kuadër të lëvizjes kundër ngacmimit dhe dhunës seksuale AWA ka nisur edhe sfidën #unëtregoj në rrjetet sociale, me qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare rreth fenomenit të ngacmimit seksual. Sfida, deri tani ka arritur rreth 250 mijë shikime, kurse pjesë e saj janë bërë personazhe publik sikurse: Flutura Açka, Enkel Demi, Merita Bakiu, Erisa Xhixho, Etilda Gjonaj, Migena Shyti Kapllani, Lela Xhafa, Sevim Arbana, Geri Emiri, Ema Andrea, Suela Bako, Irena Myzeqari, Elga Mitre, Ines Shehu, Gentiana Susaj, Sabina Kodra, Erisilda Shpata, Sonila Boriçi, Florian Haçkaj, Bledar Milaqi, Edlira Ruzi, Eriada Çela, etj. Gjithashtu sfidën e kanë shpërndarë organizatat partnere si AWEN-Rrjeti i fuqizimit të Gruas, Aleanca Gjinore për Zhvillim, qendra Vatra, YWCA Albania, “Të ndryshëm e të barabartë”, shoqata  “Gender, Paqe e Siguri,” etj.

Fushata në rrjetet sociale vazhdon edhe gjatë muajit prill duke tërhequr vëmendjen e grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, të cilët besojnë se duke treguar, ne kemi mundësi për t’i fuqizuar zërat e heshtur.

Kjo fushatë e projektuar nga “Albanian Woman in Audiovisual” në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara: “T’i japim fund dhunës ndaj grave” i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe i zbatuar nga UNDP dhe agjenci tjera të OKB-së në Shqipëri do të vijojë me publikimin e serisë së podkasteve “Unë Tregoj” me rrëfimet e të mbijetuarave nga ngacmimi apo sulmi seksual dhe analizën /këshillat e ekspertëve për të reaguar ndaj situatave të tilla nga data 15 prill.

Për më shumë informacion, lutem kontaktoni awa.albania@gmail.com