Skip to content Skip to footer

Dhuna policore ndaj gazetarëve gjatë protestës ngre shqetësime për lirinë e medias

Foto: Florion Goga/Reuters

Gazetarë dhe punonjës të medias në Shqipëri janë përballur me dhunë policore dhe pengim të ushtrimit të profesionit gjatë protestës së zhvilluar dje, më 13 tetor, përballë Ministrisë së Arsimit. Disa incidente janë raportuar nga vetë gazetarët, ndërsa shqetësimi për sigurinë e tyre gjatë raportimit të protestës është ngritur nga organizata të shumta në mbrojtje të lirisë së medias.

Kryeredaktori i medias Dosja.al, Izmir Akulli, raportohet se u dhunua nga disa efektivë policie, ndërsa po filmonte me telefon një ndërhyrje të Policisë së Shtetit ndaj një studenti. Drejtuesi i medias, Enton Abilekaj, bëri me dije se kryeredaktori Akulli u godit nga policia, pavarësisht se i informoi efektivët se ishte punonjës i medias. Më pas, ai u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për mjekim.

Po ashtu, gazetari Xhoi Malësia denoncoi një tjetër incident me Policinë e Shtetit gjatë protestës. Ai raportoi se u ankua te efektivët për hedhjen e gurëve në një zonë ku gazetarët po raportonin. Sipas tij, një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) iu përgjigj duke i drejtuar një granatahedhës të përdorur për hedhjen e bombulave lotsjellëse.

Në pamjet që ai ka shpërndarë, shihet teksa shtyhet nga policia, ndonëse ishte i pajisur me distinktiv identifikimi si gazetar. Gjatë incidentit, gazetari Malësia dhe personat e pranishëm kanë theksuar vazhdimisht se ai ishte gazetar dhe po raportonte mbi protestën.

“Pasi u ankova ndaj policëve, një efektiv i FNSH-së më ka drejtuar granatahedhësin e bombulave lotsjellëse. Veprim shtazarak. Kam kërkuar numrin e tij të identifikimit. Nesër do të bëhet denoncim pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, tha gazetari Xhoi Malësia në një postim në Facebook.

Ndërkohë, gazetari i A2 CNN, Anesti Barjamemaj, teksa po raportonte drejtpërdrejt, tregoi se ai dhe operatori i kamerës, Heri Sina, ishin përballur me dhunë nga efektivët e policisë dhe persona civilë, pavarësisht se ishin identifikuar si gazetarë. Më pas, ata u shoqëruan në një zonë tjetër të protestës.

Edhe gazetarja Fatime Halmusaj ka pësuar dëmtime fizike, pasi është goditur në këmbë nga një mjet tymues i hedhur nga Policia e Shtetit.

Një tjetër incident i rëndë është shënuar ndaj gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca, e cila është goditur me gur gjatë protestës dhe është shoqëruar në spital për të marrë trajtim mjeksor.

Pesë incidentet e raportuara vetëm gjatë ditës së djeshme nxjerrin në pah rreziqet me të cilat përballen gazetarët gjatë raportimit dhe shqetësimet që ngre përdorimi i forcës policore ndaj profesionistëve të medias, teksa ata dokumentojnë ngjarjet.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënoi dhunën policore ndaj gazetarëve, duke i cilësuar këto raste si sjellje të përsëritura. Organizata i bëri thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë të hetojnë veprimet e efektivëve të përfshirë.

“Udhëzuesi i Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve”, miratuar në maj të vitit 2025, përcakton qartë se Policia e Shtetit nuk duhet të pengojë apo të ndalojë gazetarët dhe përfaqësuesit e medias të ushtrojnë profesionin dhe të raportojnë gjatë tubimeve, protestave dhe aktiviteteve të tjera të kësaj natyre.

Edhe rrjeti Safe Journalists në Shqipëri ka reaguar ndaj incidenteve të dhunës kundër gazetarëve, duke bërë thirrje për marrjen e masave konkrete:

  • Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit të japin publikisht shpjegime për incidentet, të bëjnë të ditura masat e marra pas paralajmërimeve të mëparshme dhe të sigurojnë zbatimin e menjëhershëm dhe efektiv të protokollit për sigurinë e gazetarëve. Kjo përfshin udhëzime të qarta operacionale për përdorimin e forcës dhe mbrojtjen e ekipeve mediatike të identifikueshme si të tilla.
  • Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) të hetojë pa vonesë, në mënyrë të pavarur dhe efektive, sulmet dhe pengesat e raportuara, të identifikojë punonjësit e policisë të përfshirë dhe të sigurojë që çdo shkelje e konstatuar të pasohet nga masa të përshtatshme për vënien e përgjegjësve para përgjegjësisë.
  • Prokuroritë kompetente të hetojnë nëse veprimet e punonjësve të policisë ndaj gazetarëve mund të përbëjnë vepra penale dhe të ndërmarrin veprimet përkatëse kur ekzistojnë arsye për të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme.
  • Kuvendi i Shqipërisë, veçanërisht komisionet parlamentare përgjegjëse për të drejtat e njeriut, median dhe çështjet e brendshme, të ushtrojë funksionin mbikëqyrës përmes një seance dëgjimore parlamentare mbi incidentet e përsëritura, veprimet e policisë gjatë protestave dhe zbatimin e mekanizmave ekzistues për mbrojtjen e gazetarëve.
  • Ministria e Drejtësisë, brenda fushës së përgjegjësisë së saj, të vlerësojë nëse garancitë ligjore dhe institucionale ekzistuese ofrojnë mbrojtje efektive dhe mjete juridike të përshtatshme për gazetarët që përballen me dhunë ose pengim nga organet ligjzbatuese.