Foto: Florion Goga/Reuters
Që prej nisjes së protestave studentore më 13 tetor 2026, të cilat pasuan valën e protestave të Revolucionit Flamingo, sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias janë shtuar dhe intensifikuar. Studentët iu bashkuan protestave që prej muajsh zhvillohen në sheshet e vendit, me kërkesa të qarta kundër figurave kryesore politike në Shqipëri dhe politikave mjedisore.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), nga 13 deri më 24 tetor janë regjistruar 50 raste sulmesh ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias. Raportimet për incidente të tjera kanë vijuar edhe në ditët pasuese.
Në një deklaratë të publikuar në kanalet e saj zyrtare të komunikimit, AGSH-ja bëri të ditur se 80% e sulmeve të regjistruara janë kryer drejtpërdrejt nga punonjës të Policisë së Shtetit.
“AGSH ka konfirmuar 5 raste në të cilat gazetarë dhe punonjës të medias janë goditur me plumba gome nga Policia e Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet në deklaratën e organizatës.
Kjo valë incidentesh ka nxjerrë në pah rreziqet dhe vështirësitë me të cilat përballen gazetarët gjatë ushtrimit të profesionit, nga dhuna fizike dhe kërcënimet deri te pengimi i raportimit, dëmtimi i pajisjeve dhe ndërhyrjet në dokumentimin e veprimeve të autoriteteve.
Një nga një: Rastet e raportuara të dhunës dhe pengimit të gazetarëve gjatë tetorit 2026
30 tetor: Gazetarja Alice Taylor merr kërcënime me vdekje në rrjetet sociale
Gazetarja Alice Taylor është kërcënuar me vrasje nga një komentues në rrjetet sociale. Sipas raportimeve, Taylor po përgatitet të depozitojë një kallëzim pranë policisë.
“Serioziteti dhe përmbajtja konkrete e këtij kërcënimi kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet përgjegjëse”, thuhet në deklaratën e AGSH-së. Organizata thekson se kërcënimet në rrjetet sociale nuk duhet të relativizohen apo të trajtohen si komente të zakonshme.
25 tetor: Policia e Shtetit vendos kordone për të bllokuar gazetarët
Në një video të publikuar nga AGSH-ja, shfaqen pamje ku efektivë të Policisë së Shtetit, përmes vendosjes së kordoneve policore, pengojnë gazetarin Renaldo Salianji të raportojë dhe të ushtrojë detyrën e tij profesionale. Kur gazetari i pyet efektivët për arsyen e bllokimit, ata përgjigjen se bëhet fjalë për “masa sigurie”.
“Në ndërkohë që ngjarjet zhvillohen qindra metra larg, Policia e Shtetit vendos kordone për të bllokuar gazetarët, duke u mohuar atyre mundësinë për të dokumentuar dhe raportuar atë që po ndodh”, thuhet në reagimin e AGSH-së.
Organizata përsërit thirrjen për marrjen e masave ndaj veprimeve të forcave të policisë që pengojnë gazetarët gjatë raportimit të protestave.
24 tetor: Shoqërohet në komisariat një fotoreporter i huaj
Më 24 tetor, forcat e policisë shoqëruan në Komisariatin nr. 2 një fotoreporter të huaj, teksa ai po dokumentonte protestat studentore në Tiranë.
24 tetor: Gazetarja Glidona Daci dhe operatori Jurgen Lapaj sulmohen me sprej piperi nga policia
Gazetarja Glidona Daci dhe operatori Jurgen Lapaj u sulmuan me sprej piperi nga punonjës të Policisë së Shtetit, teksa po raportonin nga terreni për protestën. Sipas raportimeve, ndërhyrja ndodhi gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
24 tetor: Gazetarët goditen me plumba gome dhe gurë
Sipas raportimeve të AGSH-së, gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha, u godit me plumb gome nga Policia e Shtetit, ndërsa gazetari i emisionit Piranjat, Fread Rista, u godit me gurë nga protestuesit. Të dy incidentet ndodhën teksa gazetarët po raportonin nga terreni.
24 tetor: Gazetari Klenin Muka dyshohet se spërkatet me ujë të përzier me piper
Një tjetër incident u raportua ndaj gazetarit Klenin Muka, i cili mbeti i lënduar gjatë ushtrimit të detyrës. Ai dyshohet se u spërkat me ujë të përzier me piper nga Policia e Shtetit.
21 tetor: Gjuhë denigruese ndaj mediave nga kreu i opozitës, Sali Berisha
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi disa media në Shqipëri, duke pretenduar se ato janë të lidhura me qeverinë në pushtet. Duke përmendur emra konkretë të pronarëve të mediave, ai i cilësoi ato si media që “vjellin vrer kundër studentëve”.
Në reagimin e saj zyrtar, AGSH-ja theksoi se kritika ndaj raportimit mediatik është legjitime, por u bëri thirrje figurave politike të shmangin sulmet personale, fyerjet, denigrimin dhe përpjekjet për të diskredituar publikisht gazetarët apo drejtuesit e mediave.
20 tetor: Sulmohet grupi i xhirimit të A2 CNN
Grupi i xhirimit të A2 CNN, pjesë e të cilit ishte edhe kameramani Fation Nurcellari, u sulmua nga dy protestues, teksa po raportonte nga protesta në Tiranë.
20 tetor: Kryeministri Edi Rama kritikon mediat gjatë një takimi me drejtuesit e shkollave të mesme
Gjatë një takimi me drejtuesit e gjimnazeve në Tiranë, kryeministri Edi Rama kritikoi mediat, duke i akuzuar se nxisin “dhunën dhe protestën”. Ai pretendoi se mbulimi mediatik nuk synon të informojë publikun mbi arsyet që qëndrojnë pas protestës.
“Edhe më keq sesa agresioni i gurëve është agresioni i mediave, i mediave të cilat janë rreshtuar në një front për interesa krejt të tjera; të lidhura natyrisht me paranë, me politikën, me pushtetin”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.
Në reagimin e saj zyrtar, AGSH-ja e konsideroi deklaratën problematike, duke theksuar:
“AGSH e konsideron veçanërisht shqetësuese përpjekjen e kryeministrit për t’i paraqitur mediat si pjesë të një fronti të organizuar për destabilizimin e vendit, duke u atribuuar atyre interesa politike dhe financiare, pa paraqitur asnjë provë konkrete”.
19 tetor: Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj, goditet me shuplakë nga një efektiv policie
Gazetari i Ora News, Edison Vatnikaj, u godit me shuplakë nga një efektiv i Policisë së Shtetit, teksa po raportonte për protestën. Sipas raportimeve, gazetari ishte i identifikuar dhe ishte prezantuar si punonjës i medias.
19 tetor: Gazetarja e Top Channel, Kristi Gogo, kërcënohet nga një efektiv policie
Gazetarja e Top Channel, Kristi Gogo, u kërcënua drejtpërdrejt nga një punonjës i policisë gjatë raportimit. Sipas denoncimit, efektivi iu drejtua me fjalët: “Mos filmo, do të të verboj”.
Gazetarja ishte e pajisur me mjetet identifikuese që dëshmonin statusin e saj profesional.
19 tetor: Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, goditet me plumb gome
Gazetari i A2 CNN, Armand Bajrami, u godit me plumb gome nga efektivë të Policisë së Shtetit, ndërsa po raportonte drejtpërdrejt nga protesta.
19 tetor: Gazetari i KlikNews.al, Gazment Saiti, goditet me plumb gome
Gazetari i KlikNews.al, Gazment Saiti, raportohet se u godit gjithashtu me plumb gome nga Policia e Shtetit, gjatë mbulimit të protestës.
19 tetor: Gazetari Hamza Jaupi goditet me shkop dhe spërkatet me sprej piperi
Gazetari Hamza Jaupi, i medias Andale.al, raportoi se ishte goditur me shkop nga efektivë të Policisë së Shtetit dhe ishte spërkatur me sprej piperi.
AGSH-ja bëri të ditur se kishte marrë gjithashtu sinjalizime për një sulm ndaj gazetarit Endri Cuka, po të medias Andale.al, nga efektivë të Policisë së Shtetit.
19 tetor: Operatori Sergei Senka spërkatet me sprej piperi nga policia
Operatori Sergei Senka, i medias Andale.al, u spërkat drejtpërdrejt me sprej piperi nga efektivë të Policisë së Shtetit, gjatë protestës.
18 tetor: Deputeti Eno Bozdo fyen gazetarin Esido Barkaj
Gjatë një konference për shtyp, gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, i drejtoi një pyetje deputetit Eno Bozdo lidhur me personat e maskuar që kishin hyrë në selinë e Partisë Demokratike. Sipas raportimeve, deputeti iu përgjigj me gjuhë fyese dhe tone të larta.
18 tetor: Gjendet një granatë e vjetër në godinën e MCN TV
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në tarracën e godinës së MCN TV u gjet një granatë e vjetër. Pas ndërhyrjes së policisë dhe njësisë antieksploziv të RENEA-s, u konstatua se brenda pakos ndodhej një granatë e vjetër, e cila u shpërthye në mënyrë të kontrolluar.
18 tetor: Gazetari i SYRI TV, Elkier Bushkolaj, goditet me plumb gome
Sipas raportimeve të SYRI TV, gazetari Elkier Bushkolaj u godit me plumb gome nga Policia e Shtetit, ndërsa po raportonte nga zona e ministrive në Tiranë. Si pasojë e goditjes, gazetari pësoi një plagë në këmbë.
18 tetor: Gazetarja Marshi Korreshi dhunohet gjatë raportimit
Gazetarja Marshi Korreshi u dhunua nga punonjës të policisë gjatë raportimit të drejtpërdrejtë për zjarrin në ambientet e Komisariatit nr. 3 në Tiranë. Sipas raportimeve, ajo u godit me skafandër në shpinë dhe u shty me forcë nga efektivët, të cilët e penguan të vijonte transmetimin nga vendngjarja.
18 tetor: Dhunë fizike ndaj gazetarit Juljan Hoxha dhe fotoreporterit Felix Bilani
Gazetari Juljan Hoxha dhe fotoreporteri Felix Bilani u përballën me dhunë fizike nga efektivë të forcave “Shqiponja” pranë Kryeministrisë. Sipas raportimeve, ata u goditën në këmbë dhe u shtynë me skafandra nga punonjësit e policisë, të cilët tentuan t’i largonin nga zona ku po ushtronin detyrën profesionale.
18 tetor: Fotoreporteri Hameraldi Agolli ndalohet me forcë nga policia
Sipas pamjeve filmike, fotoreporteri Hameraldi Agolli u ndalua me forcë nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës profesionale.
18 tetor: Gazetari Osman Stafa pengohet gjatë raportimit
Gazetari i News24, Osman Stafa, u pengua nga efektivë të Policisë së Shtetit, teksa po ushtronte detyrën e tij profesionale gjatë protestës. Sipas pamjeve filmike, ndërhyrja e policisë e pengoi gazetarin të raportonte lirisht nga vendngjarja.
18 tetor: Gazetari Taulant Koplikaj raportohet se goditet fizikisht
Gazetari Taulant Koplikaj raportohet se u godit fizikisht nga efektivë të Policisë së Shtetit gjatë protestës. Rasti shton shqetësimet për sigurinë e gazetarëve që raportojnë nga terreni.
18 tetor: Gazetari Renaldo Salianji goditet fizikisht dhe përballet me fyerje nga policia
Gazetari i News24, Renaldo Salianji, u godit fizikisht nga efektivë të Policisë së Shtetit gjatë protestës. Sipas pamjeve filmike, gjatë incidentit, një prej efektivëve iu drejtua gazetarit me fjalët: “Më plasi mua që je gazetar”.
Përveç dhunës fizike të raportuar, kjo deklaratë ngre shqetësime për shpërfilljen e statusit profesional të gazetarit dhe të detyrimit të autoriteteve për të respektuar lirinë e medias.
18 tetor: Gazetarja Glidona Daci goditet me gurë
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raportohet se u godit me gurë nga efektivë të Policisë së Shtetit gjatë protestës.
18 tetor: Gazetarja Elira Kadriu lëndohet nga një gur i hedhur nga protestuesit
Gazetarja Elira Kadriu u lëndua nga një gur i hedhur nga protestuesit, teksa po raportonte për protestën studentore në Tiranë, ku pati tensione, përplasje dhe ndërhyrje të forcave të policisë. Incidenti nxjerr në pah rreziqet me të cilat përballen gazetarët gjatë raportimit nga protestat dhe rëndësinë e garantimit të sigurisë së tyre gjatë ushtrimit të detyrës profesionale.
17 tetor: Dy gazetare të Reuters goditen me plumba gome
Dy gazetare të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters u goditën me plumba gome, teksa raportonin për protestat studentore pranë Ministrisë së Arsimit.
Sipas agjencisë së lajmeve, gazetaret dispononin pamje ku shihej policia duke qëlluar me plumba gome në drejtim të turmës së protestuesve, përpara se plumbat të godisnin edhe ato.
17 tetor: Fotoreporterit zviceran Raimond Lueppken i kërkohet të fshijë materialet
Fotoreporterit zviceran Raimond Lueppken iu kërkua të fshinte materialet filmike nga persona të veshur me të zeza dhe pa mjete identifikimi. Sipas raportimeve, incidenti ndodhi në Durrës.
17 tetor: Gazetarët pengohen t’i drejtojnë pyetje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë
Gjatë protestës në Tiranë, gazetarët u penguan nga persona të paidentifikuar dhe të maskuar, të cilët ndodheshin pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), këta persona ndërhynë për të penguar gazetarët që t’i drejtonin pyetje drejtuesit të policisë.
17 tetor: Gazetarja e Euronews Albania pengohet gjatë raportimit
Gjatë ditës së pestë të protestave në Tiranë, një gazetare e Euronews Albania u pengua nga efektivë të Policisë së Shtetit, teksa po dokumentonte ndalimin e një personi.
Sipas pamjeve të publikuara nga media, efektivët e tërhoqën gazetaren dhe tentuan t’i merrnin telefonin, duke ndërhyrë në ushtrimin e detyrës së saj profesionale dhe në dokumentimin e veprimeve policore.
16 tetor: Gazetari Elkier Bushkolaj pengohet gjatë raportimit
Gjatë ditës së katërt të protestave studentore në Tiranë, gazetari i SYRI-t, Elkier Bushkolaj, u pengua nga efektivë të Policisë së Shtetit, teksa po raportonte për ndërhyrjet e policisë ndaj protestuesve në zonën e Piramidës.
Sipas raportimeve dhe pamjeve të transmetuara drejtpërdrejt, ndërhyrja e efektivëve e pengoi gazetarin në ushtrimin e detyrës së tij profesionale.
15 tetor: Fotoreporteri Felix Bilani pengohet gjatë protestës studentore
Gjatë protestës së studentëve në Tiranë, fotoreporteri i SYRI-t, Felix Bilani, u pengua të filmonte ndërhyrjen ndaj disa të miturve, të cilët, sipas denoncimit të tij, po ndaloheshin me forcë, dhunoheshin dhe shoqëroheshin në komisariat.
Bilani deklaroi se personat që e penguan ishin të veshur civilë dhe i identifikoi ata si pjesëtarë të forcave të rendit.
15 tetor: Pengohen gazetarja Jonida Mukja dhe operatori Albi Muçollari
Gjatë protestës në Tiranë, gazetarja e emisionit Piranjat, Jonida Mukja, u pengua nga efektivë të Policisë së Shtetit, teksa raportonte nga vendngjarja.
Sipas denoncimit publik të redaksisë, operatori Albi Muçollari u mor me forcë nga efektivët, ndërsa po filmonte dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, mes të cilëve, sipas redaksisë, kishte edhe të mitur.
15 tetor: Gazetarja Doriana Bezat sulmohet nga protestuesit
Gazetarja e Top Channel, Doriana Bezat, u sulmua nga protestues gjatë ditës së tretë të protestave në Tiranë, më 15 tetor 2026. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënoi sulmin e raportuar.
14 tetor: Gazetarja Enkelejda Mema pengohet gjatë raportimit
Gazetarja e Euronews Albania, Enkelejda Mema, u pengua nga efektivë të Policisë së Shtetit, teksa po filmonte dhe raportonte gjatë protestës në Tiranë.
Ndërhyrja e efektivëve e pengoi atë të dokumentonte zhvillimet në terren, duke cenuar ushtrimin e detyrës së saj profesionale dhe të drejtën e publikut për t’u informuar mbi ngjarjet.
14 tetor: Një efektiv policie i merr telefonin gazetares Alice Taylor
Gazetarja e Euronews Albania, Alice Taylor, u përball me një ndërhyrje nga një efektiv i Policisë së Shtetit, i cili i rrëmbeu telefonin ndërsa ajo po fotografonte protestën.
Sipas dëshmisë së saj për AGSH-në, efektivi iu afrua nga pas dhe ia mori pajisjen pa paralajmërim. Megjithëse gazetarja identifikoi veten si punonjëse e medias, duke treguar etiketën me emrin e saj dhe atë të Euronews Albania, efektivi refuzoi disa herë t’ia kthente telefonin.
Pajisja iu kthye vetëm pas disa minutash, pas ndërhyrjes së një kolegu të efektivit dhe të protestuesve, të cilët konfirmuan identitetin e saj si gazetare.
14 tetor: Lëndohet operatori Elvin Kamberi gjatë përplasjeve
Operatori i News24, Elvin Kamberi, mbeti i lënduar teksa dokumentonte përplasjet mes policisë dhe protestuesve në Tiranë.
Sipas informacioneve të raportuara pranë AGSH-së, lëndimi ndodhi kur policia hodhi një granatë zhurmuese në drejtim të zonës ku ndodheshin operatorë dhe fotoreporterë. Incidenti ngre shqetësime për sigurinë e punonjësve të medias dhe rreziqet që paraqet përdorimi i mjeteve të tilla pranë tyre gjatë raportimit.
14 tetor: Gazetari Bekim Bici pengohet gjatë filmimit të protestës
Gazetari i Ora News, Bekim Bici, u pengua nga efektivë të Policisë së Shtetit, teksa po përpiqej të filmonte protestën në Tiranë.
Ndërhyrja kufizoi mundësinë e gazetarit për të dokumentuar zhvillimet nga vendngjarja dhe për të informuar publikun mbi ngjarjet me interes publik.
14 tetor: Sulmohet kamera e ekipit të Report TV
Gjatë protestës në Tiranë, ekipi i Report TV u përball me një incident dhune, kur persona të maskuar sulmuan dhe dëmtuan kamerën e tij. Sulmi ndaj pajisjeve të punës pengon dokumentimin e ngjarjeve dhe cenon ushtrimin e lirë të veprimtarisë gazetareske.
13 tetor: Dhunohet kryeredaktori i Dosja.al, Izmir Akulli
Kryeredaktori i Dosja.al, Izmir Akulli, raportohet se u dhunua nga efektivë të Policisë së Shtetit, teksa po filmonte me telefon ndërhyrjen e policisë ndaj një studenti.
Sipas drejtuesit të medias, Enton Abilekaj, Akulli u godit nga efektivët edhe pasi u identifikoi si punonjës i medias. Pas incidentit, ai u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të marrë ndihmë mjekësore.
13 tetor: Gazetarit Xhoi Malësia i drejtohet një granatahedhës nga një efektiv i FNSH-së
Gazetari Xhoi Malësia denoncoi një incident me efektivë të Policisë së Shtetit, pasi u ankua për hedhjen e gurëve në një zonë ku gazetarët po raportonin.
Sipas dëshmisë së tij, një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) i drejtoi një granatahedhës të përdorur për hedhjen e bombulave lotsjellëse. Pamjet e publikuara nga gazetari tregojnë gjithashtu se ai shtyhet nga efektivët, pavarësisht se mbante distinktivin e identifikimit si gazetar.
13 tetor: Dhunohen gazetari Anesti Barjamemaj dhe operatori Heri Sina
Gazetari i A2 CNN, Anesti Barjamemaj, raportoi drejtpërdrejt se ai dhe operatori i kamerës, Heri Sina, u përballën me dhunë nga efektivë të policisë dhe persona civilë gjatë protestës.
Sipas dëshmisë së tij, incidenti ndodhi pavarësisht se të dy ishin identifikuar si punonjës të medias. Më pas, ata u shoqëruan në një zonë tjetër të protestës.
13 tetor: Lëndohet gazetarja Fatime Halmusaj nga një mjet tymues
Gazetarja Fatime Halmusaj pësoi dëmtime fizike gjatë protestës, pasi u godit në këmbë nga një mjet tymues i hedhur nga Policia e Shtetit.
13 tetor: Gazetarja Vjolanda Peca goditet me gurë
Gazetarja e Citizens.al, Vjolanda Peca, u godit me gur gjatë protestës në Tiranë dhe u dërgua në spital për të marrë trajtim mjekësor.
