Kush po tenton të dezinformojë “flamingot”: Beteja mes realitetit dhe propagandës në protestat qytetare
Ina Allkanjari
Ajo që nisi si një revoltë lokale kundër ndërtimit të një kompleksi luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, brenda pak javësh u shndërrua në atë që po etiketohet si “Revolucioni i Flamingove”. Kjo protestë, e cila tashmë ka marrë përmasat e një qëndrese kundër sistemit politik 35-vjeçar, nuk po zhvillohet vetëm në sheshe, por edhe në një front tjetër po aq të ashpër: atë të informacionit. Në mes të kësaj përballjeje, dezinformimi është bërë mjeti kryesor për të kontrolluar narrativën dhe për të delegjitimuar kërkesat e qytetarëve.
Zhvendosja e debatit përmes narrativave dezinformuese
Për Kryeministrin Edi Rama, protesta nuk është një reagim organik qytetar, por një lëvizje e iniciuar dhe e frymëzuar nga informacione të rreme të përhapura gjerësisht në rrjetet sociale. Ai pretendon se pas kësaj qëndrojnë të ashtuquajturit “armiq të jashtëm” dhe “të brendshëm”, të cilët kërkojnë të dëmtojnë turizmin dhe të destabilizojnë vendin në një kohë kur Shqipëria është pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në shënjestër të tij kanë qenë që nga influencerët e deri te shtete si Greqia dhe Irani, të cilët ai i cilëson si nxitës të protestës mbi bazën e dezinformimit.
Nga Berati, Kryeministri u dha një përgjigje të ashpër protestuesve në ditën e dytë të tubimit në Tiranë, duke pretenduar se ata kanë rënë pre e manipulimeve lidhur me projektin e Zvërnecit. Sipas tij, pretendimet se toka i është shitur Izraelit janë trillime. Ai u shpreh: “Normalisht kush proteston duhet të thotë unë protestoj për këtë projekt? Por nuk kanë se si ta nxjerrin sepse projekti akoma nuk ka përfunduar… Ata bien pre e ca pseudo-myslimanëve që përhapin një legjendë që Zvërneci i është shitur Izraelit”.
Gjatë vëzhgimit të komunikimit publik, vërehet se qeveria ka ndjekur një strategji të mirëmenduar për të zhvendosur vëmendjen nga shkaqet reale të protestës. Geri Emiri, gazetar dhe themelues i Medias Amfora, shpjegon se pas valës së parë të protestave, komunikimi i qeverisë ndryshoi fokus: “Në vend që debati të mbetej tek shkaqet që nxorën qytetarët në protestë, vëmendja u zhvendos gradualisht tek individët që janë bërë më të dukshëm në organizimin dhe artikulimin e saj”. Sipas tij, ky është një mekanizëm për të shmangur llogaridhënien për çështje si mbrojtja e mjedisit dhe transparenca e investimeve.
Përgjatë monitorimit të gjuhës së përdorur, rezulton se kjo strategji ka kaluar në nivele denigrimi personal që synojnë diskreditimin e qëndresës qytetare. “Kemi parë një kalim drejt një gjuhe denigruese, ku në disa raste janë përdorur elementë të bullizimit, ekspozimit të jetës private apo publikimit të informacioneve jashtë kontekstit, duke krijuar përshtypjen se synimi është diskreditimi i figurave publike që mbështesin protestën”, shton Geri Emiri.
Kristina Voko, drejtore ekzekutive e BIRN Albania, thekson se kjo narrativë synon drejtpërdrejt delegjitimimin. “Diskursi publik është fokusuar shpesh tek delegjitimimi i protestës përmes etiketimit të organizatorëve apo pjesëmarrësve si të manipuluar, të nxitur apo të lidhur me interesa të caktuara”. Sipas saj, kjo është një teknikë e njohur e komunikimit politik, e cila synon të zhvendosë debatin nga përmbajtja e protestës tek legjitimiteti i saj.
E pyetur mbi rreziqet që mbart kjo lloj gjuhe për demokracinë dhe aktivizmin, Voko thekson ndikimin e drejtpërdrejtë te të drejtat themelore. “Kur komunikimi publik shoqërohet me etiketime apo akuza që nuk mbështeten në prova të bëra publike, lind shqetësimi se kjo mund të ketë një efekt frenues mbi ushtrimin e së drejtës për tubim paqësor dhe lirisë së shprehjes. Qytetarët nuk duhet të ndihen të ekspozuar ndaj stigmatizimit vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një protestë”.
“Lufta Hibride” në diskursin qeveritar
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një qasje agresive edhe në rrjetet e tij sociale, duke i portretizuar protestuesit dhe aktivistët si viktima të dezinformimit ose, në raste më të rënda, si vegla të axhendave të huaja. Ai i ka etiketuar aktivistët si “delirantë që sillen me tangërllik” dhe protestuesit si “çeta të Gjermanisë naziste”. Në një intervistë për CNN International më 3 qershor, Rama i cilësoi pyetjet e gazetares si informacione të rreme. “Ne jemi në një luftë hibride. Shqipëria është nën sulm nga armiq që i njohim shumë mirë… Është në sulm nga mijëra e qindra mijëra profile të rreme që janë krijuar për të shkaktuar gjithë këtë stuhi”, deklaroi ai.
Kristina Voko argumenton se objektivi kryesor është kontrolli i narrativës publike. “Në vend që debati të fokusohet mbi arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në protestë, ai zhvendoset drejt diskutimit nëse protesta është autentike, kush qëndron pas saj apo nëse ajo përbën kërcënim”. Ajo paralajmëron se kjo mund të thellojë polarizimin dhe mosbesimin ndaj institucioneve
Media tradicionale: Mes heshtjes dhe anshmërisë
Ndërsa qeveria akuzon protestuesit për dezinformim, faktet tregojnë se vetë kanalet zyrtare dhe disa prej mediave tradicionale kanë shpërndarë informacione të rreme. Një rast flagrant ishte më 1 Qershor, në studion e emisionit “Real Story” në ABC News, u publikua nga një prej të ftuarve një fotografi që tregonte një autobus të rrethuar me flamuj grekë dhe disa njerëz të veshur me xhupa dhe pallto dimri, duke anatemuar mbërritjen e protestuesve nga Greqia për të marrë pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë. Menjëherë fotografia e trajtuar në studio si dëshmi e një ndërhyrjeje të organizuara nga jashtë, rezultoi më pas të ishte një imazh i krijuar me inteligjencë artificiale. Disa ditë më vonë, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, do ta cilësonte fotografinë nga lart të protestës, të shfaqur në studio, si të krijuar me inteligjencë artificiale, duke aluduar se numri i protestuesve ishte më i vogël nga sa shfaqet në pamje. Kjo fotografi ishte përzgjedhur dhe publikuar nga prestigjozja “The Guardian” si fotografia e javës.
Besmir Semanaj ekspert i IT-së dhe Sigurisë Kibernetike thekson se “viktima kryesore e dezinformimit është publiku shqiptar, dhe fatkeqësisht një pjesë e këtij dezinformimi ka ardhur pikërisht nga kanale zyrtare apo përfaqësues të mazhorancës”. Ai përmend edhe etiketime të pabazuara ndaj gazetarëve të Reuters dhe përdorimin e narrativave antisemite pa prova.
Pakënaqësia ndaj mediave tradicionale ka çuar në thirrjen popullore “Bojkotoni mediat”. Sipas aktivistes mjedisore nga Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) Denisa Kasës, kjo ndodhi sepse televizionet injoruan fillimet e protestës në Zvërnec: “Mos prezenca e këtyre mediave çoi edhe në mospasqyrimin e protestave… madje kur mediat nisën ta pasqyronin po nxirrnin elemente me konotacione negative, në mbështetje të qeverisë”.
Geri Emiri vëren se mediat tradicionale shpesh kanë mbuluar vetëm përplasjen politike, duke lënë pas dore substancën. “Tek mediat tradicionale ka munguar shpesh konteksti se cilat prona janë objekt i konfliktit, cilat kompani janë të përfshira… Pikërisht këto janë elementët që ndihmojnë publikun të krijojë një opinion të informuar”, thekson ai. Në këtë vakum informativ, rrjetet sociale janë kthyer në burimin kryesor të informacionit dhe edukimit qytetar.
Një strategji të tillë Rama dhe mazhoranca socialiste ndoqi edhe në lidhje me vendimin e Parlamentit Evropian më 17 Qershor mbi progres raportin për Shqipërinë dhe amendamentet shoqëruese mbi ndryshimet ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura. Paçka vendimit të BE-së kundër vendimit të ligjëruar të qeverisë shqiptare për ndërtimin në zonat e mbrojtura, madje duke kërkuar moratorium ndërtimesh në këto zona, Rama e cilësoi këtë si një fitore të qeverisë që drejton duke e lidhur debatin me dezinformimin dhe duke kritikuar sërish protestën. “Ose është çmendur dhe korruptuar Europa, ose ka diçka që nuk shkon me ata që nisën protestën,” shkruan Rama. Ndërsa një ditë më pas, Kryeministri do ta argumentonte qëndrimin e tij duke thënë se “qeveria ndan të njëjtin qëndrim me eurodeputetët për mbrojtjen e zonës Nartë–Vjosë dhe se çdo ndryshim në ligjin për zonat e mbrojtura do të shqyrtohet në kuadër të negociatave me Bashkimi Europian, në bashkëpunim me Komisioni Europian.”
Aktivistja Denisa Kasa ndalet te vendimi i Parlamentit Evropian duke shpjeguar se qeveria e paraqiti si fitore, ndërkohë që në të vërtetë “në letër ishte e qartë që kërkohej një moratorium për ligjin e zonave të mbrojtura”. Kasa shton se dezinformimi përdoret për të ngritur “frikëra kolektive” duke pretenduar ndikime nga agjentura të huaja, gjë që prek sidomos moshat e vjetra që informohen nga mediat tradicionale.
Protesta si “histeri algoritmi” apo revoltë që orienton algoritmin
Krahas medias tradicionale, po aq e rëndësishme në këtë përballje duket të jenë edhe mediat e reja apo rrjetet sociale, hapësirë kjo për të cilën Kryeministri Rama jo pak herë ka shfaqur shqetësimin e tij si një makineri e vënë në funksion nga nxitësit e protestës, që po ndikon qytetarët në tjetërsimin e realitetit.
Nga mbledhja e grupit parlamentar të PS më 20 Qershor, Kryeministri Edi Rama u ndal gjërësisht tek mënyra se si funksionojnë rrjetet sociale dhe algoritmet, të cilët sipas tij ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si formohet opinioni publik dhe perceptimi i realitetit, duke dezinformuar dhe rrjedhimisht orientuar protestuesit. Sipas tij, në epokën digjitale, disa akuza apo etiketime mund të perceptohen si “të vërteta të qëndrueshme” në hapësirën online, që ushqehet nga algoritmet e platformave. Të njëjtin qëndrim Rama e përforcoi një ditë më pas në podcastin e tij “Flasim” ku e cilësoi protestën si “histeri algoritmi” dhe se ata që dalin në tubime kanë vetëm iluzione dhe janë larg së vërtetës. “Ka vetëm iluzione dhe shtrembërime faktesh e asgjë të vërtetë. Algoritmi bën punën e vet dhe ka vetëm algoritëm në atë protestë, asgjë tjetër. Algoritmi shpjegon atë që trondit dhe jo atë që shpjegon. Janë gjysmë të vërteta, që përhapen shumë shpejt.” shprehet Rama mes të tjerave.
Ekspert i IT-së, Besmir Semanaj vëren se shqetësimi i Kryeministrit lidhet me dështimin e mekanizmave të vjetër të propagandës. “Për shumë vite, perceptimi publik është ndikuar nga një prani e organizuar e patronazhistëve dhe përdorimi i aplikacionit ‘Aktivisti’… Sot, qytetarët kanë mundësi të publikojnë dhe të shpërndajnë pamje e informacione në kohë reale”, shprehet Semanaj. Ai hedh poshtë pretendimet për ndërhyrje të huaja vendimtare, duke theksuar se sasia e madhe e materialeve autentike të publikuara nga vetë pjesëmarresit e bën të pamundur suksesin e një narrative të rreme të prodhuar nga jashtë.
Dezinformimi rreth “Revolucionit të Flamingove” nuk është thjesht një seri lajmesh të rreme, por një mjet politik për të kontrolluar perceptimin publik. Siç thekson Geri Emiri, “Dezinformimi nuk luftohet me kundër-propagandë, por me transparencë, publikim dokumentesh, akses në informacion dhe komunikim të verifikueshëm”. Derisa institucionet të fillojnë të mbrojnë të vërtetën në vend që të prodhojnë narrativa politike, hendeku i besimit midis qytetarëve dhe sistemit do të vazhdojë të thellohet.
