Rrjeti i Grave në Media dënon sulmin ndaj gazetares Kledia Muka
Rrjeti i Grave në Media sheh me shqetësim sulmin fizik dhe intimidimin e gazetares së Top News, Kledia Muka, e cila po raportonte në terren protestën e datës 2 korrik përballë Kryeministrisë. Protestuesit e kanë shtyrë gazetaren Muka teksa po raportonte live dhe më pas e kanë lagur me ujë, ndërsa bënin thirrje për bojkot të medias.
Ky incident shënon një precedent të rrezikshëm për sigurinë e gazetarëve, të cilët po mbulojnë prej më shumë se 30 ditësh protestën që njihet si “Revolucioni Flamingo”, ku artikulohen shqetësimet qytetare mbi keqqeverisjen, korrupsionin dhe dëmtimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri.
Sulmi ndaj punonjësve të medias i bën ata edhe më të cenueshëm në terren, pasi gazetarët përfaqësojnë një grup punonjësish që ushtrojnë profesionin e tyre në kushte shumë të vështira pune në mjediset e redaksisë, ndërsa kjo klimë pasigurie reflektohet edhe në punën e tyre në terren.
Sipas vetë Progres-Raportit të Shqipërisë (2025) të Komisionit Evropian, gazetarët në Shqipëri nuk u respektohet kontrata e punës: ata nuk paguhen në kohë, punojnë jashtë orarit pa pagesë, si dhe nuk marrin pushimet sipas kontratës zyrtare. Një tjetër element i përmendur është fakti se shumë gazetarë pushohen nga puna pa asnjë penalitet për punëdhënësin. Në këtë raport nënvizohet se gjatë periudhës 2023–2024, ish-drejtori i Televizionit Publik Shqiptar, Alfred Peza, pushoi papritur nga puna 150 punonjës të këtij televizioni.
Progres-Raporti po ashtu thekson se ka pak progres në pavarësinë e medias, pasi ajo ndikohet nga lidhjet e pronarëve të televizioneve me politikën dhe biznesin. Raporti nënvizon gjithashtu mungesën e transparencës mbi financimin e mediave.
Në këtë kontekst, shqetësues mbetet fakti se klima e mosbesimit ndaj medias po shndërrohet në armiqësi ndaj gazetarëve individualë. Përgjegjësia për problemet strukturore të medias nuk mund t’u atribuohet reporterëve që kryejnë detyrën e tyre profesionale në terren. Çdo akt intimidimi apo dhune ndaj tyre krijon një efekt frikësues dhe rrezikon të kufizojë raportimin nga protestat dhe ngjarjet e tjera me interes publik.
Ky shqetësim bëhet edhe më i madh kur objekt i intimidimit është një gazetare. Gratë gazetare përballen me një ekspozim të shtuar ndaj formave të ndryshme të dhunës, si në hapësirën digjitale, ashtu edhe gjatë raportimit në terren. Ato janë më të cenueshme ndaj sulmeve që synojnë jo vetëm pengimin e punës së tyre, por edhe dekurajimin e raportimit të çështjeve me interes të lartë publik.
Kur dhuna ushtrohet ndaj grave gazetare, ajo ka një efekt të dyfishtë: kufizon ushtrimin e profesionit dhe, njëkohësisht, forcon klimën e pasigurisë që gratë hasin në hapësirën publike. Në këtë mënyrë, rrezikohet jo vetëm liria e medias, por edhe përfaqësimi i grave në raportimin e ngjarjeve me rëndësi për shoqërinë.
Garantimi i sigurisë së gazetarëve në terren duhet të jetë një prioritet për institucionet publike, organizatorët e protestave dhe vetë mediat. Ne u bëjmë thirrje organizatorëve dhe personave që kanë ndikim në protestë të përdorin influencën e tyre për t’i dënuar këto akte dhe për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për gazetarët që ushtrojnë detyrën e tyre profesionale.
