Skip to content Skip to footer

Kinemaja evropiane mes pabarazisë dhe përpjekjeve për ndryshim

Observatori Evropian Audiovizual, pjesë e Këshillit të Evropës me seli në Strasburg, ka publikuar raportin “Gratë profesioniste në prodhimin e veprave audiovizuale fiksionale dhe filmave artistikë në Evropë: të dhënat 2015–2025”. Raporti analizon përfaqësimin gjinor në gjashtë kategori të profesionistëve që punojnë prapa kamerës: regjisore, skenariste, producente, drejtuese të fotografisë, kompozitore dhe montazhiere.

Gjetjet kryesore të raportit

  • Gratë përbënin 27% të profesionistëve të përfshirë në prodhimin e filmave artistikë evropianë në vitin 2025 dhe 31% të profesionistëve të përfshirë në prodhimin e veprave audiovizuale fiksionale, përfshirë filmat dhe serialet televizive dhe ato të platformave të transmetimit, në vitin 2024.
  • Kur një grua është regjisore, ka më shumë gjasa që edhe pozicionet e tjera kyçe të mbulohen nga gra.
  • Disa vende evropiane kanë arritur barazi gjinore në profesione të caktuara.

Autorja e raportit, Dr. Agnes Schneeberger, analiste e tregut të televizionit dhe platformave VOD pranë Observatorit, u shpreh: “Të dhënat tona tregojnë se regjisoret gra mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë. Ato nxisin përmirësim në të gjithë sektorin, duke rritur mundësinë që edhe pozicionet e tjera kyçe të mbulohen nga gra.”

Tre faktorë që ndikojnë në përfaqësimin gjinor

Raporti identifikon tre faktorë që ndikojnë në përfaqësimin e grave në shumicën e profesioneve të prodhimit të filmave artistikë dhe veprave audiovizuale fiksionale në Evropë:

  • Në radhë të parë, numri i grave në fuqinë punëtore aktive është më i ulët.
  • Gratë që janë aktive në sektor marrin më pak angazhime pune.
  • Angazhimet që sigurojnë ndahen më shpesh me profesionistë të tjerë. Për shembull, skenaristet gra bashkëpunojnë më shpesh me skenaristë të tjerë sesa kolegët e tyre burra.

Këto gjetje shërbejnë si bazë për analizën e prirjeve dhe pabarazive në industrinë evropiane të filmit dhe televizionit.

Përparimi drejt barazisë gjinore ka ngecur

Që nga viti 2015, përfaqësimi i grave është rritur me 6 përqind, duke arritur në 27% të profesionistëve aktivë të përfshirë në prodhimin e filmave artistikë evropianë në vitin 2025 dhe në 31% të atyre të angazhuar në prodhimin e veprave audiovizuale fiksionale në vitin 2024.

Megjithatë, që prej vitit 2022, përparimi drejt barazisë gjinore ka ngecur në të dy sektorët, çka tregon se pengesat vazhdojnë të jenë të pranishme.

Pesha e grave në fuqinë punëtore nuk pasqyrohet në numrin e angazhimeve

Në vitin 2025, gratë përbënin 25% të angazhimeve profesionale në prodhimin e filmave artistikë, ndërsa në prodhimin e veprave audiovizuale fiksionale kjo shifër ishte 26% në vitin 2024. Krahasuar me vitin 2015, këto përqindje janë rritur përkatësisht me 5 dhe 7 përqind.

Megjithatë, pjesa e angazhimeve të mbuluara nga gratë është përgjithësisht më e ulët se pjesa e tyre në fuqinë punëtore aktive. Ky ndryshim është më i madh në prodhimin e veprave audiovizuale fiksionale sesa në prodhimin e filmave artistikë.

Për shembull, brenda një viti, një grua mund të drejtojë një film, ndërsa një burrë mund të drejtojë dy. Edhe nëse numri i regjisoreve dhe regjisorëve është i barabartë, numri i kontratave nuk është i tillë. Për më tepër, ndarja e angazhimeve profesionale prek më shpesh gratë: rreth 38% e angazhimeve të tyre ndahen me profesionistë të tjerë, krahasuar me rreth 18–19% për burrat.

Ekipet e prodhimit dominohen nga burrat

Gratë kanë përfaqësim më të mirë në profesione që përfshijnë punën në ekip, si prodhimi dhe skenaristika. Në të kundërt, ato priren të jenë më pak të përfaqësuara në role që zakonisht mbulohen nga një profesionist i vetëm, si regjia, drejtimi i fotografisë dhe kompozimi muzikor.

Megjithatë, edhe në profesionet ku disa persona bashkëpunojnë për shkrimin e skenarit ose prodhimin e një filmi, ekipet dominohen kryesisht nga burrat.

Në vitin 2025, ekipet me shumicë gra përbënin 12% të ekipeve të prodhimit të filmave artistikë, ndërsa ekipet me përfaqësim të balancuar gjinor përbënin 11%. Në prodhimin e veprave audiovizuale fiksionale, në vitin 2024, ekipet me shumicë gra përbënin 11%, ndërsa ato me përfaqësim të balancuar gjinor 14%.

Përfaqësimi gjinor ndryshon sipas profesionit

Gratë kanë përfaqësim më të lartë në prodhim, skenaristikë, montazh dhe regji, si në sektorin e filmave artistikë, ashtu edhe në atë të veprave audiovizuale fiksionale. Megjithatë, ato mbeten dukshëm të nënpërfaqësuara në kompozimin muzikor dhe drejtimin e fotografisë.

Raporti vëren gjithashtu se gratë që punojnë si regjisore, skenariste, producente ose drejtuese të fotografisë në prodhimin e filmave artistikë kanë më shumë gjasa të ndajnë punën me profesionistë të tjerë sesa gratë që kryejnë të njëjtat role në prodhimin e veprave audiovizuale fiksionale.

Regjisoret gra lidhen me një përfaqësim më të balancuar në pozicionet kyçe

Prania e një regjisoreje lidhet me një përfaqësim më të lartë të grave edhe në role të tjera krijuese, veçanërisht në industrinë e filmit, ku ky ndikim është më i dukshëm.

Në filmat artistikë të drejtuar nga gra, gratë përbënin 76% të angazhimeve në skenaristikë. Kjo shifër e lartë lidhet pjesërisht me faktin se regjisoret shpesh janë edhe autore të skenarëve të filmave të tyre. Në prodhimin e veprave audiovizuale fiksionale, ku regjia dhe skenaristika janë role më të ndara, gratë përbënin 53% të angazhimeve në skenaristikë në projektet e drejtuara nga gra.

Filmat debutues të regjisoreve janë më pranë barazisë gjinore

Filmat e parë të regjisoreve që hyjnë në industri janë më pranë barazisë gjinore sesa filmat e tyre të mëvonshëm. Gjatë dekadës së analizuar, përqindja e angazhimeve në regji të mbuluara nga gratë në filmat debutues ishte vazhdimisht më e lartë se në filmat pasues.

Megjithatë, industria shfaq një inerci më të madhe në rastin e regjisorëve me përvojë. Për shkak se burrat kanë qenë historikisht më të përfaqësuar në këtë sektor, ata përbëjnë një grup më të madh regjisorësh me përvojë që vazhdojnë të realizojnë filma. Kjo do të thotë se, edhe pse profesionistët e rinj hyjnë në industri me një përfaqësim më të balancuar gjinor, prodhimi i përgjithshëm i filmave vijon të dominohet më shumë nga burrat.

Dokumentarët kanë përfaqësimin më të lartë të grave

Mes zhanreve filmike, dokumentarët shënojnë pjesëmarrjen më të lartë të grave. Në vitin 2025, gratë mbuluan 35% të angazhimeve profesionale në dokumentarë, krahasuar me 26% në animacion dhe 23% në filmat me aktorë.

Sipas profesioneve, dokumentarët regjistruan përfaqësimin më të lartë të grave montazhiere (35%), producente (34%) dhe regjisore (31%).

Disa vende evropiane kanë arritur barazi gjinore në profesione të caktuara

Në prodhimin e filmave artistikë në vitin 2025, Austria regjistroi përqindjen më të lartë të angazhimeve profesionale të mbuluara nga gratë në tërësi, me 46%. Vendi arriti ose tejkaloi barazinë gjinore në angazhimet në regji, skenaristikë dhe montazh. Letonia arriti barazi gjinore në prodhim.

Në prodhimin e veprave audiovizuale fiksionale, Greqia dhe Irlanda arritën barazi gjinore përkatësisht në regji dhe skenaristikë. Finlanda regjistroi përqindjen më të lartë të përgjithshme të angazhimeve të mbuluara nga gratë në të gjitha profesionet, me 35%.

Nga shifrat te zgjidhjet: gratë në kinema kanë nevojë për më shumë hapësirë

Pabarazia gjinore në industrinë evropiane të filmit ishte gjithashtu në fokus të konferencës “Breaking the Frame: Balkan Women Reimagine Cinema”, organizuar nga Albanian Women in Audiovisual (AWA) më 25 shkurt, me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri, Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, Institut Français d’Albanie dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Konferenca mblodhi mbi 50 pjesëmarrës nga Shqipëria, Ballkani, Franca dhe Evropa për të diskutuar përfaqësimin e grave në kinema, politikat që mund të nxisin barazinë gjinore dhe mundësitë për bashkëpunim rajonal. Diskutimet sollën në vëmendje se, pavarësisht përparimit, gratë kineaste vazhdojnë të përballen me pengesa në financim, punësim dhe përfaqësim.

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, theksoi se barazia gjinore është pjesë e diplomacisë feministe franceze, ndërsa përfaqësuesja e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Francë, Laetitia Kulyk, prezantoi mekanizmat e përdorur për të nxitur përfshirjen e grave në sektor. Këto përfshijnë jo vetëm stimuj për projektet që respektojnë barazinë, por edhe masa penalizuese kur standardet nuk përmbushen.

Të dhënat e prezantuara gjatë konferencës konfirmuan sfidat që evidenton edhe raporti i Observatorit Evropian Audiovizual. Enrico Vannucci nga Eurimages theksoi se vetëm 24% e angazhimeve profesionale në filmat evropianë gjatë periudhës 2020–2024 u takuan grave. Ndërkohë, diskutimi mbi Kosovën solli në vëmendje një përvojë tjetër, ku bashkëpunimi dhe mbështetja mes grave kineaste kanë ndihmuar në rritjen e pranisë së tyre në industri.

Përtej përfaqësimit, pjesëmarrëset dhe pjesëmarrësit diskutuan edhe për vështirësitë e bashkëprodhimeve në rajon, përfshirë pengesat administrative, mungesën e informacionit mbi mundësitë e financimit dhe nevojën për partneritete të qëndrueshme.

Si raporti i Observatorit Evropian Audiovizual, ashtu edhe diskutimet në konferencën “Breaking the Frame”, tregojnë se rritja e numrit të grave në kinema nuk mjafton në vetvete. Nevojiten politika konkrete, mundësi të barabarta financimi dhe punësimi, si dhe më shumë bashkëpunim mes grave kineaste dhe institucioneve, në mënyrë që përfaqësimi i tyre të bëhet pjesë e qëndrueshme e industrisë.