Skip to content Skip to footer

Viti i ri, avaze të vjetra: Mediat kritike nën lupën fyese të Kryeministrit Edi Rama

Foto cover: AFP

Entenela Ndrevataj

Terminologjia problematike e Kryeministrit Edi Rama drejtuar medias, veçanërisht asaj kritike, nuk është e panjohur. Koncepti i famshëm “kazan”, që për një kohë të gjatë dominoi diskursin e tij publik, duket se është zëvendësuar me një shprehje të re: “tenxhere mediatike”.

Termi “tenxhere” nuk është një metaforë e rastësishme, por e përdorur me qëllim. Në nivel gjuhësor, ai i referohet një ene ku “gatuhet” diçka, ku përbërës të ndryshëm përzihen për të krijuar një produkt përfundimtar. Kur kjo metaforë përdoret sa herë që media është kritike ndaj pushtetit, nënkuptimi është i qartë: raportimi nuk është rezultat i një procesi profesional dhe të pavarur, por një “gatim” i qëllimshëm, ku elemente të ndryshme përzihen për të krijuar një narrativë të caktuar.

Shpesh, Kryeministri Edi Rama i grupon median dhe politikën në një të vetme, përmes shprehjes “tenxherja politike dhe mediatike”, duke e thelluar edhe më tej insinuatën. Kështu krijohet ideja se media i shërben interesave të një pale tjetër politike, duke deligjitimuar kritikën dhe paraqitur atë si të njëanshme apo “të shitur”.

Jo pak herë, Kryeministri Rama i referohet një numri prej “700 tenxheresh” duke nënkuptuar media, një numër i paverifikuar, “që gatuajnë çorbën mediatike”. Grupimi i qëllimshëm i medias në një “enë” të vetme është po ashtu i qëllimshëm dhe synon të diskreditojë median si një të tërë. Kjo terminologji është përdorur veçanërisht së fundmi pas dëmtimeve të disa akseve rrugore dhe projekteve në Shqipëri, disa prej tyre të sapo inauguruara.

Në postimin e para pak ditësh në rrjetin social X, Kryeministri Edi Rama publikoi disa pamje nga shembja e një rruge në Portugali dhe bëri paralelizime me mënyrën si media ka raportuar mbi rastet në Shqipëri, duke ironizuar median dhe opozitën shqiptare. Ai u bëri thirrje që ta denoncojnë në SPAK veprën në Portugali dhe të thërrasin “gjithologët” në studio.

Në një tjetër postim po në rrjetin social X, Kryeministri Rama iu referua sërish kritikave që hasi pasi udhëtoi me helikopter në Korçë, ndërkohë që aksi rrugor Librazhd–Pogradec u bllokua si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave.

“Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë!”, shkroi ai në X, teksa theksoi se qeveria nuk mund të faturohet për rrëshqitje të masivit natyror, duke bërë sërish paralele me një shtet tjetër.

“Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigant që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend, parti politike jo e jo, që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme”, shkroi Kryeministri Rama në X.

Sipas kërkimeve, kjo fjalë është futur në leksikun e tij në fundin e vitit 2025, veçanërisht pasi qeveria e Partisë Socialiste u vu në qendër të vëmendjes për afera korruptive dhe hetime nga SPAK.

Nga “tenxhere mediatike” në sulme ndaj gazetarëve: Viti 2026
Rasti i gazetares Klodiana Lala

Gazetarja Klodiana Lala është vënë në shënjestër nga Kryeministri Edi Rama pas një komenti të saj në një postim të tij në rrjetin social X, ku ajo theksonte se problemet e ndotjes nuk vijnë nga sjellja e qytetarëve, por nga mungesa e inceneratorëve, çështje kjo e lidhur me skema të mëdha korruptive.

Pas mbylljes së komenteve në postim, Kryeministri reagoi sërish në X, duke iu referuar komentit të Lalës (pa e përmendur me emër) dhe duke e cilësuar atë si një koment “me injorancë të ububushme”.

Sipas tij, “një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dezinformon”, duke lënë të kuptohet se kritikat e Lalës bazohen në urrejtje, shpifje dhe dezinformim. Ai shtoi më tej se kjo kategori gazetarësh “po shtohet si plastika”.

Një tjetër gazetar në shënjestër: Blendi Fevziu

Një tjetër gazetar i sulmuar nga Kryeministri Rama është Blendi Fevziu, moderator i emisionit Opinion. Reagimi erdhi pas deklaratave të Fevziut në emisionin e datës 8 janar, ku ai kritikoi mungesën e llogaridhënies së zyrtarëve publikë ndaj gazetarëve, duke theksuar se ata pothuajse e shmangin plotësisht daljen në konferenca për shtyp dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me median.

Sipas Fevziut, institucionet dërgojnë video të parapërgatitura, të njohura si “kaseta”, të cilat më pas shpërndahen në media të gatshme për ripublikim.

Në vend që të reagonte institucionalisht për të sqaruar pretendimet ose për të paraqitur kundër-fakte, Kryeministri reagoi në rrjetet sociale duke publikuar imazhe të manipuluara (deepfake) të gazetarit në situata të ndryshme dhe duke prekur jetën e tij personale, ndërsa e akuzoi se prodhon “shpifje dhe gënjeshtra”.

“Gazetarë me regjistër”

Deputetja e opozitës Jorida Tabaku propozoi dekriminalizimin e nenit 119 (“Fyerja”) dhe nenit 120 (“Shpifja”) të Kodit Penal. Këto kërkesa u theksuan edhe nga organizatat për lirinë e medias gjatë dëgjesave publike.

Megjithatë, rezultati përfundimtar ishte që fyerja mbetet vepër penale, ndërsa shpifja u dekriminalizua vetëm pjesërisht, duke u shoqëruar me futjen e një kategorie të re: “gazetarë me regjistër”.

Organizatat për lirinë e medias kundërshtuan ndryshimet që përfshinin regjistrin (një mekanizëm që nuk ekziston aktualisht në Shqipëri), duke theksuar se ai krijon pasiguri ligjore dhe rrezikon të hapë rrugën për mekanizma kontrolli. Ato nënvizuan se gjatë procesit të konsultimit kishin kërkuar qartësisht dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes, kërkesa që u injoruan.

Me datë 9 mars, Kryeministri Edi Rama sërish targetoi gazetarët kritikë ndaj qeverisë, të cilët po raportojnë mbi rastin e ish-Zëvendës Kryeministres Belinda Balluku që kërkohet nga institucioni i drejtësisë SPAK te arrestohet për afera korruptive. Ai iu drejtua medias me termin e lartpërmendur “700 tenxhere” si dhe theksoi se Shqipëria është një vend i lirë, pasi u dekriminalizua neni i shpifjes për gazetarët.

Pastaj se ç’thonë 700 tenxheret për ne, ne se frenojmë dot se s’kemi ça i bëjmë”, u shpreh me tej Kryeministri Rama.

Radio Televizioni Shqiptar nën kritika

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), transmetuesi publik i Shqipërisë, i cili nisi transmetimet në vitin 1938, ka një histori të gjatë në shërbim të publikut përmes informimit, kulturës dhe programeve të ndryshme televizive dhe radiofonike.

Në një deklaratë të bërë më 16 janar, Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë institucion si “të dështuar” dhe shërbimin që ai ofron si “shërbimin më të mjerë në botë”. Ai shtoi se hera e fundit që ka ndjekur RTSH-në ka qenë në vitet ’90 dhe theksoi se intervistat e tij në RTSH nuk marrin komente, “sepse nuk e shikon askush”.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se Radio Televizioni Shqiptar nuk do të marrë “para nga taksapaguesit shqiptarë derisa t’i fitojë ato”, duke ofruar alternativa drastike për të ardhmen e transmetuesit publik, përfshirë mbylljen e plotë, privatizimin ose transformimin përmes partneriteteve.