Dita e djeshme shënoi një moment të rëndësishëm në rrugëtimin kreativ të projektit “Breaking the Moulds, Shaping the Future” me premierën e parë të mini-granteve nga raundi i parë. Gjatë eventit u prezantuan pesë filma të metrazhit të shkurtër dhe dokumentarë, të cilët trajtojnë tema të ndryshme shoqërore dhe kulturore, duke u fokusuar veçanërisht në barazinë gjinore dhe sfidat që hasin gratë në media dhe në shoqëri.
Në mbrëmjen e dedikuar artit dhe krijimtarisë, u ndanë gjithashtu shtatë mini-grante të tjera për projekte të reja që synojnë të fuqizojnë zërat e rinj dhe të guximshëm në fushën audiovizuale. Ky mbështetje financiare dhe kreative është thelbësore për të nxitur përfshirjen gjinore dhe për të sfiduar narrativat tradicionale përmes mediumit të filmave.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, i cili vlerësoi thellësisht rëndësinë e këtij projekti. Ai nënvizoi se Bashkimi Europian është i përkushtuar për të mbështetur barazinë gjinore në media dhe për të fuqizuar artistët dhe gazetarët e rinj që tregojnë histori me ndikim. Në fjalën e tij, Ambasadori Gonzato theksoi: “Jam krenar të shoh që BE-ja po fuqizon gazetarë dhe regjisorë të rinj e guximtarë për të treguar histori të fuqishme. Nëpërmjet këtyre tregimeve, ata po ndihmojnë në ndryshimin e narrativës, jo vetëm për gratë në media, por edhe për gratë në shoqëri. Mesazhi im për ta: Vazhdoni të krijoni, të sfidoni dhe të mbështesni njëri-tjetrin. BE-ja do të vazhdojë të jetë në krahun tuaj.”
Falenderime të veçanta shkojnë për artistët dhe krijuesit që kanë kontribuar me punë dhe pasion në realizimin e këtyre filmave: Kejdi Demneri, Blerta Kambo, Belkisa Zhelegu, Xhensila Nako dhe Armando Braho.
Një lajm i rëndësishëm për të gjithë adhuruesit e kinemasë është se më 20 qershor të gjitha prodhimet do të publikohen në platformën YouTube, duke u mundësuar shikuesve një mundësi të veçantë për të parë dhe përjetuar këto tregime inspiruese.
Rrugëtimi i projektit nuk ndalet këtu; aktualisht janë në zhvillim edhe nëntë filma të tjerë që do të sjellin perspektiva dhe histori të reja. Ky projekt zbatohet nga organizata Albanian Women in Audiovisual në bashkëpunim me Scidev Center dhe me financim të Bashkimit Europian për Shqipërinë.
Ky iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të grave dhe barazisë gjinore në media, duke krijuar një hapësirë ku zërat e rinj mund të shprehen lirshëm dhe të ndikojnë në ndryshimin e shoqërisë.
