Skip to content Skip to footer

Gjuha e urrejtjes ndaj medias që prodhon dhunë ndaj gazetarëve

Pse po rriten në Shqipëri sulmet ndaj gazetarëve?

Nikoleta Kovaçi

Të gërmosh në punët e zyrtarëve në pushtet e me pushtet, në Shqipëri, e jo vetëm, është një punë e rrezikshme, që të vendos përballë sfidave të përditshme. Nxjerrja e fakteve dhe publikimi i tyre ka bërë që jo pak gazetarë të jenë nën sulme e kërcënime shumëllojesh, që nis nga ai psikologjik e deri tek ai fizik. Gazetarët janë preja e vazhdueshme e gjuhës së urrejtjes, e cila vjen në formën e një piramide:  nis nga maja e pushtetit/pushteteve dhe zgjerohet në bazë tek opinioni publik. Raportet e ndryshme flasin për rritje të dhunës ndaj gazetarëve, nga viti në vit, duke vërejtur raste konkrete, që nisin me kërcënime për ‘shkollë riedukimi’ e përfundojnë me padi penale. Mes tyre konkludohen një sërë aktesh dhunimi, herë si mesazhe të koduara e herë si presion i drejtpërdrejtë. 

 

Sulmi ndaj gazetarëve, nuk është vetëm ndaj punës së tyre, por edhe ndaj medias që ata/ato përfaqësojnë, duke i kthyer gazetarët në mbartës të problemeve madhore që shkojnë përtej tyre dhe misionit që përmbushin. E në këtë përballje, gazetarët shpesh mbetën të vetëm në përballjen me agresorin, apo agresorët, pasi ‘dëmi’ i së vërtetës së tyre kthehet në bumerang për punëdhënësit e tij. Në fakt, janë të shumta nismat për të informuar mbi incidente ku ‘viktima’ janë gazetarë, që adresojnë problemet tek institucionet përkatëse, që kërkojnë shteg drejt ndonjë mjeti për të ndryshuar dhe rregulluar situatën, por rrallë shihen reagime të aktorëve kryesorë që kanë për detyrë ndërhyrjen. Duke paralelizuar situatën e gazetarëve në Shqipëri me ato të vendeve të rajonit dhe përtej tyre, me ato të Bashkimit Europian, nën siglën e përhershme se “raste të tilla ndodhin edhe në vende të zhvilluara”, ankesat e ekspertëve që mbledhin dhe dokumentojnë raste të abuzimit, dhunimit, kërcënimit, e dëmtimit të gazetarëve dhe punës së tyre, shpesh bien në vesh të shurdhët. Thjesht mbeten raportet, faktet dhe shifrat, ndërsa për zgjidhje të situatës nuk ka asnjë dritë në fund të tunelit. Nëse ndizet ndonjë, ajo do të shuhet nga fryma mbisunduese që gjen fajtorin konkretisht te puna e gazetarit! 

 

Jo vetëm dhunë…

Në vitin 2020 Këshilli i Europës u mblodh për të diskutuar mbi zbatimin e një udhëzuesi për mbrojtjen e gazetarëve që kishte marrë formë konkrete në vitin 2016. Ky udhëzues kishte për qëllim ndjekjen e rekomandimeve të përcaktuara për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve dhe të aktorëve të tjerë mediatikë. Në hyrje të raportit theksohej jo vetëm fakti se gjendja ishte alarmante, (bëhej fjalë për vendet e BE-së), por se “sulmet ndaj gazetarëve dhe aktorëve të tjerë të medias përbëjnë veçanërisht shkelje serioze të të drejtave të njeriut, sepse ato synojnë jo vetëm individët, por privojnë të tjerët nga e drejta e tyre për të marrë informacion, duke kufizuar kështu debatin publik, i cili është në zemër të demokracisë pluraliste”. Por që nga ajo kohë, pavarësisht propozimit të instrumenteve që rregullojnë ndërhyrjen për të realizuar mbrojtjen dhe sigurinë, dëshmohet se si në vendet brenda BE-së dhe kryesisht tek ato jashtë BE-së, sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave nuk ndalen. 

 

Në raportin më të fundit në lidhje me Gjuhën e Urrejtjes në mediat e Ballkanit Perëndimor, zbatuar nga Rrjeti i Raportimit të Diversitetit dhe AWA-Organizata e Grave në Audiovizual, konstatohet se në ndryshim nga raportet e mëparshme, dhuna ndaj gazetarëve dhe medias në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve 2024 – 2025. Raporti mbulon incidentet që ndodhën në periudhën janar 2024-qershor 2025 ku në total, gjatë kësaj periudhe janë raportuar 96 incidente, nga të cilat 12 kanë pasur kategori të shumëfishta të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, dhe 84 janë regjistruar si kategori të veçanta. Këto incidente përbëjnë 12 % të rasteve të raportuara nga totali i gjuhës së urrejtjes së ndeshur në mediat shqiptare përkundrejt 2% që ka qenë në vitin 2023. Raporti përfshin jo vetëm rastin e dhunës ndaj gazetarëve, por edhe ndaj mediave të veçanta.

 

Anila Prifti, kryeredaktore në “News 24”, ndalet pikërisht te kjo e dhënë për të përcjellë atë çfarë ndodhi fillimgushtin e këtij viti: “Rasti më i fundit i dhunës ndaj gazetarëve, sulmi ndaj “News 24”, është një ilustrim i qartë i kësaj dinamike. Ishte mesazh për të gjithë, se ata (gazetarët) janë të pambrojtur, dhe se puna e tyre është nën vëzhgim dhe kërcënim. Është pjesë e një modeli, ku gazetarët, si individë dhe si profesion, janë viktima të një mungese të thellë respekti dhe vlerësimi”.

 

Më tej, duke analizuar situatën aktuale në Shqipëri, Prifti e sheh problemin si tentativë për të goditur thelbin e misionit të gazetarit: “Dhuna ndaj gazetarëve ka kaluar përtej formave tradicionale të agresionit fizik. Nisi si një mosnjohje e rolit esencial të gazetarit pas rënies së regjimit, duke e injoruar detyrën e tij. Me kalimin e kohës, ky injorim u shndërrua në një përpjekje të vazhdueshme për ta zbehur, me krijimin e një klime armiqësore, ku gazetari u bë objekt sulmesh dhe dehumanizimi”.

 

Ndërsa për kërkuesin shkencor dhe gazetarin e angazhuar në raportime investigative, Elvin Luku, platforma mediatike e të cilit Medialook u bë edhe objekt sulmesh kibernetike, ka rritje të përgjithshme të gjuhës së urrejtjes jo vetëm ndaj gazetarisë, por edhe ndaj profesioneve të tjera dhe sipas tij ky sulm është më së shumti politik: “Mosrespektimi i ndarjes së pushteteve, që fillon nga kryeministri, që për vite me radhë iu flet me përçmim gazetarëve, herë duke i quajtur “kazan” e herë duke i çuar në “riedukim” në konferenca shtypi, sjell goditjen ndaj statusit të gazetarit dhe uljen e autoritetit të tij, që përshkallezohet më pas edhe me komente seksiste siç ishte rasti i ish-kryebashkiakut të Beratit me gazetaren e “Piranjave”!

 

Klevin Muka, gazetari që u shënjestrua drejtpërdrejt nga kryeministri i vendit në një konferencë për shtyp, duke e kërcënuar me ‘riedukim”, e lidh dhunën ndaj gazetarëve me mos-qarkullimin e pushtetit politik. “Fakti që pushteti politik po kontrollohet prej një kohe të gjatë nga një forcë politike, në këtë rast nga Partia Socialiste, aq më shumë çdo pushtet ekonomik të varet prej tyre, e për pasojë ky pushtet ekonomik orienton dhe tregun mediatik”. 




Përtej udhëzimeve…

Duke parë rastet e shumta kur gazetarët, kryesisht ata të terrenit, dhunohen, bullizohen, denigrohen, jo vetëm nga qytetarë që janë pjesë e një problematike, por edhe në zyrat e shtetit e deri te ligjvënës, natyrshëm lind pyetja: Si mund të realizohet mbrojtja e gazetarit; a ekzistojnë mekanizma në vendin tonë për të parandaluar këtë dhunë që nuk është vetëm fizike? 

 

Elvin Luku thotë se gjëja e parë që duhet bërë është forcimi i statusit të gazetarit. Sipas tij, “duhet nisur nga garantimi i lirive dhe te drejtave të tij sociale dhe ekonomike, që shpesh herë cënohen edhe nga vetë kompanitë mediatike, e deri te respektimi i funksionit nga pushtetet e tjera, pasi shpesh herë kemi parë zyrtarë që injorojnë pyetjet, shtyjnë reporterët, refuzojnë kërkesa për informacion, etj…”. 

 

Ndërsa Klevin Muka, e konsideron dhunën fizike si dukurinë më të paktë që i ndodh gazetarit në vendin tonë. Ai rendit para dhunës censurën dhe autocensurën, si elementë për të cilat nuk ka asnjë lloj mekanizmi që e merr në mbrojtje gazetarin: “Nuk e shoh veten të mbrojtur, as kolegët, e vetmja gjë që shoh është një përshtatje e jona për të mbijetuar në një treg të tillë. Garancia financiare është zgjidhja e vetme, një treg që është tërësisht i varur ekonomikisht nuk mund të pretendojë për pavarësi”. 

 

Por nëse vendet e BE-së rifusin në betejë me shkelësit e të drejtave të gazetarëve rekomandime dhe udhëzues me plane konkrete veprimi , në Shqipëri aktorët e zëshëm rrallë dëgjohen teksa ‘ulërasin’ për këto të drejta. Sulmi ndaj mediave në vendin tonë gjatë vitit të fundit shqetësoi jo pak organizmat ndërkombëtare dhe vetë Këshillin e Europës, por hartuesit dhe zbatuesit e këtyre sulmeve nuk u zmbrapsen, pavarësisht reagimeve të forta. Duke sulmuar mediat, u goditen edhe gazetarët, sidomos ata që merren me gazetari investiguese, duke bërë si në rastin e goditjes së “Focus Media Goup”, kur duart e pushtetit ndërhynë edhe në sirtarët dhe kompjuterat personal të gazetarëve. 

 

Problemi është se sa më i madh të jetë sulmi i njerëzve me pushtet ndaj medias dhe gazetarëve, aq më shumë kundër punës së gazetarëve ngrihet edhe shoqëria. Anila Prifti ndalet pikërisht në këtë përballje: “Nëse një shoqëri nuk respekton rolin e gazetarit, atëherë ajo po e vret atë, duke e shndërruar në një shërbim të paefektshëm dhe të kontrolluar. Për të dalë nga ky rreth vicioz, duhet një kulturë që e kupton se dhuna ndaj gazetarit, edhe nëse nuk është fizike, është shkatërruese”! 























© 2025 AWA. Artikulli është realizuar në kuadër të Reporting Diversity Network me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian dhe Smart Balkans