Nga Florian Kulla (Psikodramatist)
Prej më shumë se dhjetë vitesh kam ecur përkrah njerëzve të çdo moshe – gra e burra, të rinj e në moshë – në një skenë ndryshe nga të tjerat. Nuk është skena e teatrit për spektatorë, por një hapësirë ku individi nuk luan role për të tjerët, por për të takuar vetveten. Psikodrama, metoda që po përdor, nuk është vetëm një metodë terapeutike por një mënyrë për të hyrë me kujdes e guxim në brendësinë tënde, për të shprehur atë që nuk mund të thuhet vetëm me fjalë. Si pjesë e grupit të parë të certifikuar në Shqipëri për këtë metodë, kam parë me sytë e mi sesa e fuqishme dhe shndërruese është kjo qasje, kur përdoret me kujdes, ndjeshmëri dhe dashuri për njeriun.
Edhe pse në vendin tonë psikodrama ka nisur të zhvillohet vetëm pas vitit 2000, rrënjët e kësaj qasjeje shkojnë në vitin 1921, kur psikiatri Jacob Moreno nisi në Vjenë eksperimentin e tij me një trupë të quajtur “Teatri i Spontanitetit”. Në atë teatër, aktorët nuk mësonin role përmendësh, por improvizonin mbi tema të jetës së përditshme ose histori të sugjeruara nga publiku. Shpesh, vetë publiku ftohej të ngjitej në skenë për të luajtur versionin e vet të realitetit. Në këtë mënyrë, përmes emocioneve të sinqerta dhe përjetimeve të drejtpërdrejta, ndodhte ajo që Moreno e quante “katarsis” një çlirim i ndjenjave të bllokura. Kjo përvojë frymëzoi atë të krijonte më pas një metodë që nuk ndikon vetëm mendjen, por edhe trupin, zërin, hapësirën dhe marrëdhëniet me të tjerët. Psikodrama mori formën e saj moderne në mesin e viteve 30, si një qasje e fuqishme grupi që ndihmon njerëzit të ndërgjegjësohen, të shprehin ndjenjat dhe të ndryshojnë përmes veprimit.
Blatner (2002) e quan psikodramën një nga qasjet më të fuqishme në fushën e psikoterapisë, jo vetëm për efektet e saj transformuese, por edhe për mundësinë që ofron për të trajtuar çështje të thella në mënyrë të sigurt dhe krijuese. Me ndihmën e roleve të ndryshme dhe përfshirjes aktive të trupit, zërit dhe imagjinatës, pjesëmarrësit jo vetëm që kuptojnë më mirë emocionet e tyre, por shpesh përjetojnë edh një çlirim të fuqishëm –një lloj “magjie të brendshme” që të ndryshon për mirë. Ajo që e bën psikodramën kaq të veçantë është se mund të përshtatet për këdo. Ajo ndërthuret me shumë qasje të tjera terapeutike duke krijuar një fushë të gjerë përdorimi për çdo nevojë dhe rrethanë. Është një metodë që flet një gjuhë të përbashkët për të gjitha fushat e sjelljes njerëzore dhe që nxit shërimin përmes veprimit.
Në një kohë ku ndjenjat shpesh mbeten të pashprehura dhe sfidat shpirtërore duken të pakapërcyeshme, psikodrama vjen si një dritare e re për ta parë dhe përjetuar veten. Psikodrama jo thjesht ndihmon, por shpëton jetë, duke u dhënë njerëzve një mënyrë për të luajtur realitetin e tyre dhe për ta shndërruar atë. Nuk e harroj rastin e një klienti kur i përlotur më tha: “Kjo është hera e parë që e ndiej veten të dëgjuar pa pasur nevojë të flas.” Pak minuta më parë ai ishte ngjitur në skenën tonë të vogël dhe përmes lojës së rolit, kishte përjetuar një përqafim që i kishte munguar gjithë jetën. Ishte një përqafim simbolik, por ai çast kishte më shumë fuqi se dhjetëra seanca të heshtura.
Zërat që nuk janë dëgjuar: Psikodrama si hapësirë për rikthimin e dinjitetit
Psikodrama ka një fuqi të veçantë kur aplikohet me persona që kanë përjetuar trauma. Përvojat e luftës, fatkeqësive natyrore, abuzimeve, humbjeve, lënë gjurmë që janë të vështira për t’u shprehur me fjalë. Psikodrama u jep formë atyre ndjenjave përmes skenave simbolike dhe reale, duke krijuar një hapësirë të sigurt për t’i përballuar. Siç e thekson dhe Blatner, (1996), psikodrama është një mënyrë për të angazhuar të gjithë njeriun – trupin, zemrën, mendjen dhe shpirtin – në një proces të thellë të shërimit dhe rritjes. Në kohën kur shoqëria jonë ka gjithnjë e më shumë nevojë për ndërlidhje njerëzore, ndjeshmëri dhe mirëkuptim, psikodrama vjen si një udhërrfyes i fuqishëm drejt një jetë më të ndërgjegjshme dhe të shëndetshme emocionalisht.
Thuajse çdo ditë përmes psikodramës punoj me fëmijë që nuk flasin dot për traumën, me të rinj të mbushur me zemërin, me burra që nuk guxojnë të qajnë apo gra që kanë humbur zërin e tyre. Kam punuar kudo, në shkolla, qendra komunitare, terapi grupi, terapi familje, me prindër e mësues. Kam punuar me gra të dhunuara, që për herë të parë morën fuqinë për të folur përballë “dhunuesit” duke e vendosur një anëtar të grupit në atë rol. Përmes psikodramës, kam ndërtuar empati për të shëruar grupe të thyera nga ngacmimi e bullizmi, apo për të ndihmuar mësuesit dhe nxënësit të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Psikodrama ka qenë ura që i ka lidhur të gjithë. Në psikodramë nuk ka publik që gjykon por ka një skenë që pranon gjithçka: dhimbjen, gëzimin, pasiguritë, kujtimet e vështira dhe ëndrrat e parealizuara.
Trupi që guxon: Psikodrama dhe fuqizimi gjinor
Psikodrama i ndihmon vajzat dhe gratë të rimarrin zërin përmes veprimit. Psikodram na mëson se ndryshimi i vërtetë ndodh kur e ndjejmë trupin tonë të lirë, kur marrin rolin që gjithmonë kemi pasur frikë të luajmë dhe kur guxojmë të përjetojmë një version të ri të vetes. Gjatë seancave kam parë gra që për herë të parë kanë zbuluar se, shumë nga zgjedhjet e tyre, nuk ishin të tyre por ishin role të trashëguara brez pas brezi. Kam parë vajza që përmes lojës së roleve kanë përjetuar fuqinë e të qenit udhëheqëse, fuqinë e zbulimit të dëshirave të tyre, të mbuluara nga pritshmëritë e familjes apo shoqërisë. Psikodrama u jep hapësirën e nevojshme për të eksploruar, për të sfiduar dhe për çliruar veten nga kufizimet e padukshme që shoqëria vendos mbi trupin dhe mendjen e vajzave dhe grave. Është një kthim te vetja për të qenë më shumë sesa na kanë mësuar të jemi.
Ende sot shumë njerëz më pyesin: “Pse përdor psikodramën?” e unë vazhdoj t’u përgjigjem: sepse nuk është mjaftueshëm vetëm të flasësh për dhimbjen – duhet ta prekësh, ta shohësh, ta vendosësh përpara syve e pastaj ta rindërtosh. Psikodrama është jetë në veprim. Është një metodë që na fton të guxojmë, të jemi të sinqertë, të luajmë role që kemi pasur frikë t’i marrim dhe zbulojmë pjesë të vetes që nuk i kemi njohur. Sot pas kaq vitesh, çdo herë që dikush ngjitet në atë skenë dhe zgjedh të përballet me historinë e vet, unë e di: ndryshimi po ndodh. Dhe në heshtje, them me vete: “Mirë se erdhe në psikodramë – aty ku zemra flet më shumë se fjalët.” Në një botë që shpesh nxit maskimin e ndenjave, psikodrama u jep njerëzve lejen për të qenë të papërkryer, të vërtetë në proces. Në këtë udhëtim nuk ka zgjidhje magjike, por çaste të vogla që ndryshojnë jetën. Dhe në syrin tim, çdo skenë është një kujtim i gjallë se po, shërimi është i mundur, kur njeriu guxon ta shohë dhe përqafojë veten për atë që është.