Skip to content Skip to footer

Masterclass-i katër ditor për të thyer stereotipet dhe formësuar të ardhmen

Masterclass-i katër ditor për të thyer stereotipet dhe formësuar të ardhmen

Nga 26 deri më 29 shtator 2024, Tirana u shndërrua në një laborator krijues ku historia, kamera dhe ndjeshmëria gjinore u bashkuan për të krijuar një gjeneratë të re krijuesish audiovizualë. Masterclass-i intensiv katër ditor, i organizuar nga Albania Women in Audiovisual (AWA) në partneritet me Scidev dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, solli një eksperiencë transformuese për  70 pjesëmarrësit e projektit “Breaking the Moulds, Shaping the Future”.

Nga ideja në ekran: Një proces krijues

Dita e parë: Forca e fjalës

Udhëtimi nisi me thellimin e artit të shkrimit të skenareve me ndjeshmëri gjinore. Nën drejtimin e Doruntina Bashës, dramaturge dhe skenariste me eksperiencë, pjesëmarrësit eksploruan se si të tregojnë histori që sfidojnë stereotipet dhe reflektojnë realitete të ndryshme gjinore. Rrefimi i historive u bë mjeti kryesor për të dhënë zë perspektivave që shpesh mbeten të padëgjuara.

Dita e dytë: Nga skena në skenar

Me idetë e mbjella, dita e dytë u fokusua në aspektet teknike dhe krijuese të paraproduksionit. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe filluan të konkretizojnë vizionet e tyre, duke kaluar nga koncepti abstrakt në kornizën e qartë të një produkti audiovizual. Ekspertët Timo Heinänen, fotograf dhe kinematograf me përvojë pedagogjike, dhe Giovanni Robbiano, producent, skenarist dhe regjisor, i udhëzuan grupet në çdo hap të procesit.

Dita e tretë: Magjia e xhirimit

E mërkura u dedikua krijimit aktiv xhirimet filluan dhe idetë morën jetë përpara kamerave. Pjesëmarrësit përjetuan në kohë reale sfidat dhe gëzimin e prodhimit audiovizual, duke punuar me dritë, tingull, kornizim dhe drejtim. Post-produksioni filloi të marrë formë ndërsa materialet e para filluan të montohen.

Dita e katërt: Premiera

Kulmi i masterclass-it erdhi me finalizimin dhe shfaqjen e 9 produkteve audiovizuale. Çdo projekt tregoi një perspektivë unike, duke dëshmuar fuqinë e një rrefimi të vetëdijshëm gjinor dhe diversitetit të zërave krijues.

Hapi tjetër: Mini Sub-Grants

Historia nuk përfundon këtu. Pjesëmarrësit e masterclass-it kanë mundësinë të aplikojnë për Mini Sub-Grant, një mundësi unike për të vazhduar rrugëtimin e tyre krijues. Këto grante janë krijuar për të nxitur krijimtarinë dhe për të inkurajuar zhvillimin e tregimeve me ndjeshmëri gjinore në media, duke u dhënë artistëve mjetet për të realizuar projektet e tyre.

Pse është i rëndësishëm ky masterclass?

Në një industri ku zëri i grave dhe perspektiva gjinore ende lufton për hapësirë, iniciativa si “Breaking the Moulds, Shaping the Future” nuk janë thjesht trajnime janë lëvizje. Ato krijojnë profesionistë që jo vetëm dinë të përdorin kamerën, por e kuptojnë fuqinë e saj për të ndryshuar narrativa dhe për të ndërtuar një industri më përfshirëse.

Përmes këtij bashkëpunimi midis AWA, Scidev dhe Bashkimit Europian, po krijohet një rrjet krijuesish që sjellin freski, autenticitet dhe barazi në mediat audiovizuale shqiptare.

Për më shumë informacion rreth projektit dhe mundësive të ardhshme, ndiqni Albania Women in Audiovisual.