Skip to content Skip to footer

Në Shqipëri, gratë vriten dy herë – Raportimi në media i dhunës ndaj grave

Autore, Florida Mingla. Tiranë

M.N., ishte vetëm 36 vjeçe kur iu mor jeta në sy të fëmijëve të saj të mitur. Tragjedia e tyre nuk mbaron atë ditë, sepse, kur të rriten ata do të përballen me një sërë shkrimesh që nuk flasin për një krim të përbindshëm të kryer ndaj nënës së tyre, por për një histori pasioni të maskuar me një gjuhë romantike.

“E vrau nga xhelozia”; “Krim pasioni në zemër të qytetit”; “Nuk duroi tradhtinë, ia mori jetën,” — këto janë titujt që vulosën në publik fundin e jetës së M.N-së, në vitin 2025.

Ashtu si M.N, edhe gra të tjera, të cilat kanë vdekur nga duart e partnerëve apo të ish-partnerëve të tyre, do të mbeten përjetësisht të damkosura si ‘tradhëtare’.

Për herë të parë, Observatori Shqiptar i Femicidit, publikoi një raport të detajuar mbi vrasjet e grave dhe vajzave dhe femicidin në vitin 2024, ku rezultoi se 32 gra janë vrarë në Shqipëri gjatë periudhës 2021–2023. Afro 90% e vrasjeve (27) janë kryer nga partneri i tyre intim, ose nga një anëtar i familjes dhe janë raportuar si krim pasioni apo të shtyra nga xhelozia.

Mediat, të ndikuara nga konkurrenca dhe/apo nga dëshira për të qenë të parat në raportimin e një ngjarjeje që sjell klikime, shpesh i japin përparësi titullit të “goditur”, por në këtë rast “goditja” nuk është aspak e pafajshme. Një titull i tillë zhvendos vëmendjen nga autori i krimit dhe nga fakti që një grua është viktimë e dhunës sistematike, duke e kthyer në një histori “xhelozie”.

Problemi është se tituj të tillë kanë efekt më të madh sesa duket. Ato janë narracione që kultivojnë një kulturë ku gruaja shpesh shihet si viktimë përfundimtare e veprimeve të saj në rastin konkret të tradhëtisë, dhe jo e dhunës sistematike që i bëhet nga partneri apo ish-partneri.

Kur mediat shkruajnë “e vrau nga xhelozia”, në nëntekst lexuesi ftohet ta kuptojë, madje disi ta justifikojë autorin. Por çfarë është “xhelozia” në këto raste? A është ajo një arsye, një motiv, apo një alibi për të vrarë? Dhe nëse jo, përse e ‘shesim’ si të tillë?

Fjona Ibrahimi, gazetare e ZËRI, e cila mbulon aktualitetin ku përfshihet dhe kronika e zezë, bën një ‘mea culpa’ kur e pyes për këto ‘tituj bombastikë’. Megjithatë shton se shumë herë, gazetarët ndjehen të detyruar të thjeshtojnë mënyrën e raportimit për të qenë më të kuptueshëm pranë audiencës.

“Sa i përket titujve me termat “xhelozi” apo “krim pasioni”, mendoj se përdoren për të qenë më të kuptueshëm për shqiptarët, pasi në vendin ku jetojmë prej vitesh dhuna ndaj grave justifikohet me xhelozinë e bashkëshortit. Është e gabuar, pasi nuk ka një justifikim kur kemi të bëjmë me një krim,” — shprehet ajo.

Klikimet, shton Fjona, ndikojnë në përzgjedhjen e një titulli, por që kurrsesi nuk mund të vihen mbi profesionalizmin.

“Në një treg konkurrues, elementi me të cilin mund të ‘kapësh’ më shumë klikime, është të bërit titullin më tërheqës, të shtosh një detaj më shumë, por pa harruar që jemi gazetarë. Ka shumë lajme të cilat mund të ndikojnë në ndërgjegjësimin e audiencës për një çështje të caktuar,” — përfundon Fjona.

Të njëjtin qëndrim zgjedh të mbajë edhe Brixhilda Deda, gazetare e Top Channel. Por, Brixhilda tregon edhe pasojat me të cilët përballen gazetarët në raste raportimesh të tilla.

“Tituj si ‘nga xhelozia’ apo ‘krim pasioni’ nuk pasqyrojnë realisht ngjarjen. Fatkeqësisht sot titulli zgjidhet kryesisht për klikime. Shumë herë ndodh që titulli të mos ketë fare lidhje me përmbajtjen e lajmit. Ka pasur edhe raste kur, për shkak të titujve të tillë të vendosur vetëm për klikime, pasojat i kanë mbajtur vetë gazetarët,” — shprehet ajo.

Me pasoja nënkupton kritikat në redaksinë e lajmeve pas raportimit të bërë. Gazetari, është i njëjti person të cilit i kërkohet shikueshmëri dhe që më pas vihet me ‘shpatulla pas murit’ kur duhet kritikuar dikush për përmbajtjen. Brixhilda e mbyll me një apel, pasi rolin e gazetarit nuk e sheh vetëm si teknik në raportim, por edhe edukues.

“Roli i gazetarit në thelb nuk kufizohet vetëm tek informimi, por përfshin edhe edukimin e publikut përmes mënyrës se si strukturohet, kontekstohet dhe përcillet informacioni. Gazetaria cilësore kontribuon në formimin e opinionit publik dhe në rritjen e kulturës mediatike të shoqërisë. Mënyra si e japim informacionin ka po aq rëndësi sa vetë informacioni. Një titull i gabuar mund ta banalizojë dhunën ndaj grave, ndërsa një trajtim i përgjegjshëm e kthen në çështje shoqërore që kërkon reagim,” — e mbyll Brixhilda fjalën e saj.

Raportimi i dhunës ndaj grave me etikë dhe profesionalizëm është kyç në reduktimin e fenomenit. Sipas Lutfi Dervishit, pedagog i Gazetarisë dhe një ndër autorët e Kodit të Etikës së Gazetarit, kur gara është për “views” dhe per “k” e jo për vlera, profesionalizmi bëhet viktimë e urgjencës për të qenë të parët dhe më të lexuarit/shikuarit.

“Gazetari që duhet të informojë, analizon dhe kujdeset për gjuhën, shndërrohet në prodhues përmbajtjeje që matet me statistika. Është një kompromis i heshtur, por i rrezikshëm, sepse në fund dëmton besueshmërinë e vetë profesionit. Pasojat janë fatale,” — shprehet Dervishi.

I pyetur për rolin e gazetarëve në formësimin e mënyrës si shoqëria e sheh dhunën ndaj grave, pedagogu Dervishi e sheh si themelor.

“Gazetari është filtër dhe pasqyrë. Nëse pasqyra është e shtrembër, shoqëria e sheh realitetin në mënyrë të shtrembër. Përmes mënyrës se si raportohen rastet, si përzgjidhen fjalët, si përshkruhen viktimat dhe autorët, media ose ndihmon të kuptojmë seriozitetin e dhunës, ose e banalizon atë. Gazetaria ka fuqinë të ndërtojë ndjeshmëri, empati dhe ndërgjegjësim, por edhe të riprodhojë stereotipe. Prandaj, roli i saj është moral po aq sa informues,” — përfundon ai.

Çështja e raportimit profesional për dhunën ndaj grave nuk është vetëm shqiptare, por globale. Media italiane Valigia Blu na sjell në mendje historinë e Donatella Colasanti, fotot e të cilës vijojnë të shpërndahen ende kudo, edhe 50 vite pas asaj që njihet si “masakra e Circeos”. Ajo është një nga ngjarjet më dramatike dhe treguese të dhunës gjinore në Itali: dy vajza u rrëmbyen, u përdhunuan dhe u torturuan për dy ditë nga tre të rinj të ekstremit të djathtë; njëra prej tyre u vra, tjetra, shtatëmbëdhjetëvjeç, mbijetoi duke u shtirur si e vdekur.

Kur shkruan fjalët “Masakra e Circeos” në një motor kërkimi, shumë kohë para se autorët e masakrës të shfaqen, shfaqet Donatella, vajza që i dha vetes një shans për të jetuar kur sulmuesit e saj e mbyllën në bagazhin e një makine me trupin e shoqes së saj. Ajo është kthyer në simbolin e masakrës.

Fytyra e saj e përgjakur, pa miratimin e saj, ngeci përgjithmonë në media, duke e përndjekur atë dhe duke e reduktuar në një ikonë të pavullnetshme traume. Kjo ngjarje vë gishtin në një plagë ende të hapur dhe shumë aktuale: përse duhen foto për të besuar dhunën?

“Përse ende sot, pavarësisht ndërgjegjësimit më të madh të medias se si të përballemi me ngjarje të caktuara, imazhe nga skenat e vrasjes së grave, pamjet e trupave të tyre të përgjakur, përdhunimeve/dhunimeve apo edhe fotot e tyre personale krah njeriut që tashmë është kthyer në vrasësin e tyre, vazhdojnë të qarkullojnë në media si burim klikimesh?!” — shkruan Valigia Blu.

Nga ana tjetër, edhe Rrjeti i Raportimit të Diversitetit, një nismë rajonale për frenimin e gjuhës së urrejtjes në Ballkan, e ka ngritur disa herë shqetësimin për raportimin sensacionalist të dhunës ndaj grave, si faktorin kryesor për shtimin e dhunës ndaj tyre.

Përshembull, në Serbi, një kërkim i shpejtë në Google për “crime of passion” tregon më shumë se 20,000 rezultate vetëm në vitin e kaluar. Bëhet fjalë për shumë raporte apo intervista televizive që ngrejnë pikëpyetje nëse diçka mund ose nuk mund të konsiderohet një “krim pasioni”.

Titujt si “Një krim i paprecedentë pasioni: Ai mbyti një vajzë në banesën e tij dhe u hodh nga kati i dytë i Pallatit të Drejtësisë” ose “Vrasje e tmerrshme për shkak të xhelozisë: Polici qëlloi ish-të dashurën në sy të partnerit të ri”, tregojnë se si është përshtatur përgjegjësia. Vrasësi bëhet viktimë e pasionit dhe gruaja, një fusnotë.

Unë sot nuk kam bashkangjitur asnjë foto të asnjë prej grave të përfshira në ngjarjet e përmendura. Dhe kjo, jo pa arsye.

Si gazetare mendoj se neve sot, na takon të reflektojmë dhe t’i bëjmë edhe të tjerët të reflektojnë mbi faktin që raportimi duhet të ketë në fokus fenomenin dhe jo personin.

Një gazetar/e nuk mund të kthehet në njeriun që i rikujton traumën e jetës një gruaje, e cila mund të jetë duke luftuar për t’u shëruar. Ne nuk mund të bëhemi frymëzues apo promovues të patriarkatit që e prodhon dhunën, edhe me fjalë. Ne kemi përgjegjësi për atë që raportojmë dhe duhet t’i emërtojmë dukuritë për atë që janë, pa i zbukuruar apo i etiketuar. Neve na takon që të themi të vërtetën.

© 2025 AWA. Artikulli është realizuar në kuadër të Reporting Diversity Network.