Skip to content Skip to footer

Përfundon me sukses programi i mentorimit për gazetaret e reja

Njëzet e dy gazetare të reja nga e gjithë Shqipëria përfunduan me sukses programin e mentorimit të organizuar nga Albanian Women in Audiovisual (AWA) në kuadër të projektit “Breaking the Moulds – Shaping the Future”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian.

Programi u krijua për të mbështetur zhvillimin profesional dhe personal të gazetareve në fillimet e karrierës së tyre, duke krijuar ura bashkëpunimi mes profesionisteve me përvojë dhe brezit të ri të gazetarisë. Përmes mentorimit individual, pjesëmarrëset patën mundësinë të zhvillonin aftësitë e tyre profesionale, të zgjeronin rrjetin e kontakteve dhe të fitonin më shumë besim për të ndërtuar karrierën në media dhe sektorin audiovizual.

Në prill 2025, AWA hapi thirrjen për përzgjedhjen e mentoreve nga Rrjeti i Grave në Media, duke ftuar gazetare me përvojë të ndanin njohuritë dhe eksperiencën e tyre me koleget e reja. Nga 21 aplikime u përzgjodhën tetë mentore: Alida Tota, Esmeralda Keta, Ilda Hoxha, Ina Allkanjari, Doreada Mio, Irena Shabani, Juljana Mezini (Ristani) dhe Esiona Konomi.

Në të njëjtën kohë, thirrja për gazetaret e reja tërhoqi 30 aplikime, ndërsa 22 pjesëmarrëse u përzgjodhën për t’u bërë pjesë e programit.

Gjatë periudhës qershor–gusht 2025, mentorimi u zhvillua online për tetë javë, duke ofruar deri në 20 orë mentorim për secilin grup. Programi trajtoi tema të rëndësishme si planifikimi i karrierës, lidershipi i grave në media, ndërtimi i rrjeteve profesionale, gazetaria me perspektivë gjinore, zhvillimi i skenarëve, rrëfimi vizual dhe planifikimi i proceseve të prodhimit dhe post-produksionit me ndjeshmëri gjinore.

Përmes sesioneve të rregullta, gazetaret e reja morën mbështetje të personalizuar për të zhvilluar aftësitë e tyre në gazetari, redaktim dhe storytelling, duke krijuar njëkohësisht lidhje të reja profesionale që do t’i shoqërojnë edhe pas përfundimit të programit.

Programi u mbyll më 9 tetor 2025 me një ceremoni certifikimi, ku mentoret dhe menteet u vlerësuan me certifikata për angazhimin dhe përfundimin me sukses të këtij rrugëtimi të përbashkët, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e mentorimit në fuqizimin e grave në media.