Dita e Rinisë:
Kërkohet të ulet gjuha e urrejtjes në media dhe politikë
Në Ditën Kombëtare të Rinisë, Rrjeti i Profesionistëve të Rinj, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Gruaja Shqiptare në Audiovizual (AWA) iu drejtuan përmes një letre zyrtare Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mediave Audiovizuale (AMA), ku kërkuan të merren masa të menjëhershme për të ulur nivelin e gjuhës së urrejtjes në hapësirën publike, në ekranet televizive dhe në jetën politike të vendit.
Kjo deklaratë thekson se gjuha e urrejtjes po sjell pasoja të mëdha për kohezionin shoqëror dhe të ardhmen e vendit, ku grupi më i prekur mbetet ai i të rinjve, që përbën 21.3% të popullsisë (INSTAT).
“Për 60% të të rinjve, gjuha e urrejtjes përbën një ndër pengesat kryesore për ndërveprimin shoqëror dhe për mirëqenien emocionale të të rinjve”, – shkruhet në deklaratën e përbashkët, e cila thekson se dhuna verbale është përkthyer në shifra tragjike.
Sipas të dhënave nga Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, në tre vjet, pesë adoleshentë janë vrarë nga një bashkëmoshatar i tyre. Ndërkohë, rastet e konflikteve me armë të ftohta në vitin 2025 janë edhe më të shumta.
“Vetëm gjatë vitit 2025 janë bërë publike mbi 16 raste të dhunës me armë të ftohta mes të rinjve”, theksohet në vijim në deklaratën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, teksa nënvizohet se këto të dhëna përbëjnë një sinjal alarmi se si normalizimi i dhunës në hapësirën politike dhe mediatike po ushqen dhe po legjitimon gjithnjë e më shumë sjellje agresive në shoqëri.
Duke marrë në konsideratë shifrat shqetësuese, përmes kësaj deklarate, Rrjeti i Profesionistëve të Rinj, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Gruaja Shqiptare në Audiovizual i bëjnë thirrje AMA-s që të zhvillojë një monitorim proaktiv dhe të vazhdueshëm të përmbajtjeve televizive që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, tallje apo denigrim dhe t’i publikojë këto të dhëna në mënyrë periodike. Gjithashtu, këto organizata theksojnë nevojën e ndërmarrjes së masave konkrete ndaj programeve që normalizojnë gjuhën e urrejtjes.
Së dyti, kërkohet nga Parlamenti i Shqipërisë të zbatojë Kodin e Etikës, duke marrë masa disiplinore ndaj gjuhës fyese, nënçmuese dhe denigruese në sallën parlamentare, të vendosë standarde të larta të komunikimit publik dhe të promovojë një klimë debati konstruktive.
Studim: Gjuha e urrejtjes në mediat shqiptare mbetet shqetësuese
Raporti monitorues i gjuhës së urrejtjes dhe asaj diskriminuese në Shqipëri, për periudhën janar 2024 – qershor 2025, monitorim i kryer nga Gruaja Shqiptare në Audiovizual në kuadër të projektit Reporting Diversity Network (RDN), nxori në pah të dhëna shqetësuese sa i përket gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në mjedisin mediatik në Shqipëri.
Në këtë periudhë kohore u analizuan 96 incidente të gjuhës së urrejtjes në Shqipëri. Pjesa dërrmuese e tyre (40.6%) targetojnë vajzat dhe gratë, gjetje kjo që nuk është e re, pasi edhe këtë vit, njësoj si vitet e mëhershme, vajzat dhe gratë mbeten më të targetuarat.
Sipas këtij raporti, gjuha e urrejtjes ndaj vajzave dhe grave dominon në mjedisin mediatik në Shqipëri si pasojë e raportimit objektifikues dhe retorikës seksiste, të prodhuar ose të amplifikuar nga vetë media.
Raporti thekson se, krahas grave, dy kategori të tjera të targetuara nga gjuha e urrejtjes kanë dalë në pah: gazetarët (12.5%) dhe kundërshtarët politikë (12.5%). Narrativa të tjera të gjuhës së urrejtjes përfshijnë pakicat seksuale (7.3%), etninë (5.5%), institucionet publike (3.7%) dhe fëmijët/minorët (3.7%).
Gjetjet e raportit shkojnë në linjë me deklaratën e drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe Autoritetit të Mediave Audiovizuale, të cilat nxjerrin në pah edhe një herë nivelin shqetësues të dhunës online, të amplifikuar nga media dhe mjedisi politik.
