Skip to content Skip to footer

Kur raportimi kthehet në rrezik: Dhuna ndaj gazetarëve në protesta

Entenela Ndrevataj

Ditën e djeshme, operatori i News 24, Aldo Kashari, dhe automjeti i këtij televizioni u përfshinë nga flakët gjatë ushtrimit të detyrës, teksa po raportonin nga protesta e Partisë Demokratike. Rrobat e operatorit Kashari morën flakë, duke i shkaktuar djegie në gishta.

Jo vetëm Kashari, por edhe gazetarë e operatorë të tjerë punuan nën një klimë tensioni, e cila më pas përshkallëzoi në përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga forcat e policisë për shpërndarjen e protestës, si dhe të molotovëve dhe fishekzjarrëve nga ana e protestuesve. Sipas raportimeve, disa efektivë policie janë dëmtuar, ndërsa Policia e Shtetit ka shoqëruar 22 protestues, katër prej tyre të mitur.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi lidhur me dhunën ndaj punonjësve të medias, duke e cilësuar atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së fjalës.

“Rasti i Aldo Kasharit është shqetësues”, tha Isa Myzyraj, gazetar dhe drejtues i AGSH-së, për Albanian Woman in Audiovisual. “Të dhënat tregojnë se operatori nuk ka qenë objekt i drejtpërdrejtë i sulmit, por ndodhej pranë momentit kur një koktej molotov shpërtheu, pa qenë ai apo media objektiv i synuar”, sqaroi Myzyraj.

AGSH bëri thirrje për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, si dhe kërkoi nga organizatorët e protestave të marrin përgjegjësi për sigurinë dhe të distancohen nga aktet e dhunës ndaj mediave.

Të njëjtin shqetësim ndau edhe Rrjeti SafeJournalists në Shqipëri, duke theksuar se jo vetëm operatori i News 24, por edhe gazetarë e punonjës të tjerë të medias u ekspozuan ndaj gazit lotsjellës, ujit me presion dhe masave të tjera të shpërndarjes së turmës gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas SafeJournalists, organizatorët dhe protestuesit duhet të shmangin çdo veprim që rrezikon punonjësit e medias. Nga ana tjetër, rrjeti u kërkon autoriteteve të marrin masa që gazetarët të ushtrojnë profesionin në mënyrë të sigurt, duke respektuar protokolle të qarta operacionale që njohin dhe mbrojnë rolin e medias.

Dëmtimet që pësoi Aldo Kashari nuk janë raste të izoluara. Sipas databazës së SafeJournalists, vetëm në muajt janar dhe shkurt të këtij viti janë regjistruar katër incidente dhune ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.

Konkretisht, gjatë protestës së 24 janarit, në media u raportua për përdorimin e spray-it ndaj fotoreporterit Felix Bilani dhe të ujit me presion ndaj gazetares Marsi Korreshi, gjatë mbulimit të protestës.

Gazetarët mbeten të ekspozuar ndaj dhunës në protesta

Në deklaratën e saj lidhur me incidentin ndaj Aldo Kasharit, SafeJournalists theksoi se redaksitë dhe organizatat mediatike duhet të kryejnë vlerësime të duhura të rrezikut dhe të sigurojnë pajisje mbrojtëse të përshtatshme dhe udhëzime për punonjësit e angazhuar në mbulimin e ngjarjeve me rrezik të lartë.

“Si gazetar, sfida kryesore nuk është vetëm raportimi i ngjarjes, por edhe mbijetesa profesionale në terren”, thotë Myzyraj, i cili punon si gazetar terreni në Ora News. “Kur përdoret gaz lotsjellës apo ujë me presion, gazetari bëhet po aq i ekspozuar sa protestuesit”, shton ai.

Sipas “Manualit për Sigurinë e Gazetarëve në Shqipëri”, përgatitur nga Free Press Unlimited Netherlands (FPU) në bashkëpunim me Qendrën Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim në Shqipëri (SCiDEV), redaksitë duhet të ndërmarrin një sërë hapash për të garantuar sigurinë e gazetarëve:

  1. Të kenë protokolle të qarta për identifikimin e rreziqeve.
  2. Të caktojnë një person përgjegjës ose pikë kontakti për çështjet e sigurisë.
  3. Të sigurojnë pajisjet e nevojshme mbrojtëse për stafin që mbulon ngjarje me rrezik.
  4. Të kenë siguracionet e nevojshme (udhëtimi, pajisje, shëndet) në rast incidentesh.

Myzyraj thekson se gazetarët duhet të pajisen me maskë kundër gazit lotsjellës, syze mbrojtëse, jelekë identifikues me mbishkrimin “PRESS” dhe helmeta mbrojtëse.

“Kur këto mungojnë, gazetari detyrohet të raportojë me frikë. Dhe frika është armiku më i madh i gazetarisë së lirë”, pohon ai.

Për gazetarët: Si të veprosh në rast cënimi të sigurisë?

Sa i përket dokumentimit të rasteve, rekomandohet ruajtja e provave paraprake, si foto të ekranit, detaje mbi autorin e mundshëm dhe adresat web që mund të ndihmojnë në ndjekjen penale. Sugjerohet gjithashtu raportimi në platforma ndërkombëtare si “Mapping Media Freedom” apo “Journalists in Distress”.

Në rast të ndjekjes penale, “Manuali për Sigurinë e Gazetarëve në Shqipëri” thekson se kallëzimi duhet të bëhet nga punëdhënësi.

Sa i përket sigurisë fizike, “Udhëzuesi Praktik për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve” i Këshillit të Evropës rekomandon disa masa konkrete:

  • Në rast përdorimi të gazit lotsjellës, të mbulohet hunda dhe goja me shall, fashë ose maskë të lagur me ujë.
  • Të mbulohet gjithashtu koka dhe flokët të jenë të lidhura.
  • Të përdoren syze mbrojtëse (edhe ato të skive apo notit mund të ndihmojnë).
  • Të mbulohet sa më shumë lëkura me veshje me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata.

Në rast sekuestrimi të pajisjeve që përmbajnë regjistrime video, gazetari duhet të shprehë kundërshtimin, duke e cilësuar si një akt të mundshëm censurimi, të ndaluar nga Kushtetuta. Në rast arrestimi, rekomandohet njoftimi i menjëhershëm i redaksisë dhe kërkimi i pranisë së avokatit.