Skip to content Skip to footer

Gazetarja Klodiana Lala vihet në shënjestër të Kryeministrit Rama pas kritikës për inceneratorët

Klodiana Lala vihet në shënjestër të Kryeministrit Rama pas kritikës për inceneratorët

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetin social X, reagoi lidhur me nivelin e ndotjes në Shkozet, të shfaqur përmes disa imazheve, duke fajësuar qytetarët për ndotjen.

Gazetarja investigative Klodiana Lala komentoi në postimin e tij, duke vënë në dukje se inceneratorët që supozohej të zgjidhnin problemet me ndotjen, rezultuan në skema të mëdha korrupsioni dhe, si pasojë, janë jofunksionalë.

Kryeministri, pasi bllokoi komentet në postim, bëri një reagim tjetër në rrjetin social X, duke iu drejtuar komentit të gazetares Klodiana Lala (të cilën vendosi të mos e përmendë me emër dhe mbiemër), duke e cilësuar atë si një koment “me një injorancë të ububushme”.

Sipas tij, “një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dezinformon”, duke nënkuptuar se kritikat e gazetares Lala kanë bazë në gjuhë urrejtjeje, shpifjeje dhe dezinformimi. Më pas, ai shtoi se kjo kategori gazetarësh “po shtohet njësoj si plastika”.

Të dhënat e llogaritura nga BIRN tregojnë se vetëm inceneratori i Tiranës, i cili nuk është vënë në punë dhe ka sjellë si rezultat arrestimin e disa zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, u ka kushtuar shqiptarëve një dëm ekonomik prej 47 milione euro borxhe dhe parapagime.

Për këtë rast ka reaguar edhe SafeJournalists Albania, duke konsideruar se gazetarja Klodiana Lala ka ngritur një çështje me rëndësi publike dhe të dokumentuar dhe se është përballur me një gjuhë poshtëruese dhe delegjitimese.

Kur Kryeministri, nga pozita e tij e pushtetit, përgjithëson dhe diskrediton rolin e gazetarisë në vend që të japë llogari, vëmendja zhvendoset nga çështjet reale të interesit publik drejt sulmit ndaj atyre që bëjnë pyetje”, shkruhet në deklaratë. “Kjo dobëson debatin publik dhe rrezikon të normalizojë presionin ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj grave në gazetari”, – thuhet më tej në reafimin zyrtar.

Lidhur me këtë rast është shprehur edhe Asociacioni i Gazetarëve në Shqipëri (AGSH), të cilët e kanë konsideruar këtë gjuhë si të papranueshme dhe intimidues.

Një gjuhë e tillë nuk kontribuon në sqarimin e opinionit publik, por ushqen polarizimin, banalizon debatin dhe krijon një precedent të rrezikshëm presioni verbal ndaj gazetarëve”, shkruhet në reagimin e AGSH-së.

Situata e medias në Shqipëri

Raporti i Gjuhës së Urrejtjes në Shqipëri, i kryer nga Albanian Women in Audiovisual në kuadër të projektit Reporting Diversity Network, për periudhën janar 2024 – qershor 2025, nxorri në pah se në Shqipëri, krahas grupit të grave, të cilat preken në masë dërrmuese nga gjuha e urrejtjes (40.6%), është evidentuar edhe një kategori e dytë.

Sipas këtij monitorimi, gazetarët janë grupi i dytë më i prekur, të shënjestruar qëllimisht.

Liria e medias dhe intimidimi i gazetarëve në Shqipëri janë evidentuar edhe nga raportet vjetore të organizatave që mbrojnë lirinë e medias. Bazuar në raportin e vitit 2025 nga Freedom House, Shqipëria mbetet një vend “pjesërisht i lirë”, që përballet me sfida të vazhdueshme në pavarësinë e gjyqësorit, pluralizmin politik dhe mbrojtjen e lirive civile.

Në mënyrë të ngjashme, organizata Reporterë pa Kufij (Reporters Without Borders) e renditi Shqipërinë në vendin e 99-të në vitin 2024 dhe në vendin e 80-të në vitin 2025, nga 180 vende të monitoruara për lirinë e shtypit.

Reporterë pa Kufij raportojnë se “gazetarët përballen me presion politik, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore”, duke vënë theksin te kërcënimet në rritje ndaj gazetarëve investigativë.

Gazetarja Klodiana Lala vihet në shënjestër të Kryeministrit Rama pas kritikës për inceneratorët