Një grup organizatash që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias i janë bashkuar nismës së Albanian Women in Audiovisual, duke u bërë bashkënënshkruese të kërkesës drejtuar Byrosë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku kërkohet marrja e masës disiplinore ndaj deputetes Zegjine Caushi.
Kërkesa vjen pas përdorimit të gjuhës fyese dhe denigruese nga ana e deputetes Zegjine Çaushi ndaj deputetit Gazment Bardhi gjatë seancës plenare të datës 19 shkurt, gjuhë që bie ndesh me standardet e komunikimit parlamentar dhe me parashikimet e Kodit të Sjelljes së Deputetit.
Në vijim gjeni tekstin e plotë të letrës:
Drejtuar:
Byrosë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, që përbëhet nga:
- Niko Peleshi Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë PS
- Klodiana Spahiu Zëvendëskryetare e Kuvendit PS
- Agron Gjekmarkaj Zëvendëskryetar i Kuvendit PD
- Milva Ekonomi Sekretare për Buxhetin PS
- Belind Këlliçi Sekretar për Buxhetin PD
- Ulsi Manja Sekretar për Procedurat dhe Votimet PS
- Flamur Hoxha Sekretar për Statusin e Deputetit PD
- Fatmir Xhafaj Sekretar për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën e Botimet Parlamentare PS
- Taulant Balla Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë PS
- Blendi Klosi Sekretar për Transparencën dhe Teknologjinë e Informacionit PS
Lënda: Kërkesë për konstatimin e shkeljes së Kodit të Sjelljes dhe marrjen e masës disiplinore “Vërejtje”
I nderuar z. Kryetar,
Të nderuar anëtarë të Byrosë,
Kjo shkresë lidhet me zhvillimet e seancës plenare te datës 19 shkurt, gjatë së cilës deputetja Zegjine Caushi përdori gjuhë fyese dhe denigruese ndaj Kryetarit të Grupit Parlamentar Demokrat, z. Gazment Bardhi, duke përdorur shprehjeve që cenojnë dinjitetin personal dhe bien ndesh me standardet e komunikimit parlamentar, të parashikuara në aktet rregullatore të Kuvendit. Sjellja e mësipërme përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Nenit 6, pika 1, të Kodit të Sjelljes së Deputetit, i cili ndalon rreptësisht përdorimin në Kuvend të gjuhës së pahijshme, fyese ose denigruese, si dhe çdo formë cenimin personal ndaj deputetëve. Gjithashtu, kjo sjellje bie në kundërshtim me pikën 2 të po këtij neni, që ndalon forma diskriminimi, stereotipizimi apo komunikimi që cenojnë dinjitetin njerëzor në ushtrimin e mandatit parlamentar.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve dhe ka detyrimin institucional të garantojë standarde të larta etike në diskursin parlamentar, e të mbrojë dinjitetin e ushtrimit të mandatit përfaqësues. Debati politik mund të jetë i fortë dhe polemik, megjithatë, ai duhet të zhvillohet brenda kufijve të respektit institucional dhe të përgjegjësisë publike.
Nga ana tjetër, media ka amplifikuar gjuhën e urrejtjes në Kuvend përmes shpërndarjes së lajmeve me tituj denigrues përmes citimit të drejtpërdrejtë të fjalëve të deputetes Çaushi, duke i riprodhuar ato pa analizë kritike, çka jo vetëm që legjitimon diskursin e gjuhës së urrejtjes, por edhe kontribuon në normalizimin e tij në hapësirën publike.
Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një sjellje të përsëritur jo etike parlamentare nga deputetja Zegjine Çaushi, vlerësojmë se masa “Tërheqje e vëmendjes” nuk përbën më një reagim proporcional në raport me natyrën dhe frekuencën e shkeljes. Në zbatim të parimit të proporcionalitetit dhe të përshkallëzimit të masave disiplinore siç parashikohet në Rregulloren e Kuvendit, kërkojmë marrjen e masës disiplinore “Vërejtje”.
Në këtë kuadër, kërkojmë nga Byroja e Kuvendit:
- Konstatimin formal të shkeljes së Nenit 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit;
- Vendosjen e masës disiplinore “Vërejtje”, në përputhje me dispozitat e Rregullores së Kuvendit;
- Bërjen publike të vendimmarrjes, në funksion të transparencës institucionale dhe forcimit të standardeve të etikës parlamentare.
Kjo kërkesë nuk synon kufizimin e debatit politik, por garantimin e kufijve etikë që e bëjnë debatin demokratik, konstruktiv dhe në përputhje me dinjitetin e institucionit të Kuvendit. Kërkojmë nga mediat të luajnë rolin e tyre edukues dhe të raportojnë me përgjegjshmëri, duke mos i bërë jehonë gjuhës së urrejtjes, por të kontribuojnë në ngritjen e standardeve të komunikimit publik, duke promovuar gjuhë të kujdesshme, analizë të balancuar dhe respekt për vlerat themelore të demokracisë dhe barazisë.
Duam gjithashtu të theksojmë se për ne është e rëndësishme që kërkesa jonë të merret parasysh, ndaj presim brenda 10 ditëve kalendarike pune një përgjigje për masat e marra nga ju mbi shkeljen e Kodit të Sjelljes së Deputetit nga deputetja Zegjine Çaushi, në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi.
Me respekt,
Albanian Woman in Audiovisual
Organizatat nënshkruese:
- Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
- The Center for Science and Innovation for Development (SCIDEV)
- Qendra për Advokim Social
- Community Reporters Albania (CRA)
- Gender Alliance for Development Centre (GADC)
- Aleanca LGBT
- Ambasada PINK
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri)
- Westminster Foundation for Democracy (WFD)
- Qendra për Drejtësi Gjinore në Shqipëri
- Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”
- Qendra psiko-sociale VATRA
- Në Dobi të Komunitetit
- Citizens.al
- Albanian Center for Quality Journalism (ACQJ)
