Skip to content Skip to footer

Çertifikohen gazetarët për raportimin e diversitetit

Çertifikohen gazetarët për raportimin e diversitetit

Në kuadër të Rrjetit për Raportimin e Diversitetit, projekt që po zbatohet në Shqipëri nga Albanian Woman in Audiovisual (AWA) me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Smart Balkans, janë shpërndarë certifikatat për 10 gazetarë që kanë përfunduar me sukses Trajnimin e Gazetarëve për Raportimin e Diversitetit.

Ky trajnim u zhvillua pas “Takimit me kryeredaktorët” nga mediat tradicionale dhe moderne në Shqipëri, duke synuar të krijojë nxitjen e një qasjeje më gjithëpërfshirëse dhe etike në raportimin mediatik.

 

Tema të rëndësishme për gazetarinë bashkëkohore

Trajnimi ka përfshirë tema që lidhen ngushtë me punën e përditshme të gazetarëve, si:

  • raportimi me ndjeshmëri gjinore;
  • përfshirja e diversitetit në kronikat dhe artikujt e përditshëm;
  • përdorimi i terminologjisë së saktë gjatë raportimit;
  • njohja dhe respektimi i të drejtave të njeriut në përmbajtjet mediatike.

Trajnimet u udhëhoqën nga Valbona Sulçe Kolgeci dhe prof. Eralda Methasani, të cilat ndanë përvojën e tyre profesionale në dy sesione të veçanta me gazetarët pjesëmarrës.

 

Nga trajnimet te mentorimi praktik

Pas trajnimit, gazetarët u përfshinë në një fazë mentorimi profesional, nën udhëheqjen e Valbona Sulçe Kolgecit dhe Lorin Kadiut. Gjatë kësaj periudhe, ata realizuan artikuj dhe produkte mediatike që reflektojnë njohuritë e fituara dhe qasjen e re ndaj temave që lidhen me diversitetin dhe barazinë.

 

Një hap përpara drejt një media më gjithëpërfshirëse

Në një realitet ku gazetaria përballet me sfida të shumta, projekte të tilla i japin peshë fjalës dhe përgjegjësisë publike që ajo mbart.

Rrjeti për raportimin e diversitetit synon të forcojë kapacitetet profesionale të gazetarëve dhe të promovojë një media që pasqyron realitetin shoqëror me ndjeshmëri, profesionalizëm dhe respekt ndaj të drejtave të njeriut.