“Boundiaries”, loja që edukon të rinjtë mbi kufijtë dhe ngacmimin seksual
Sot u prezantua “Boundiaries: Serious game për kufijtë”, një lojë që synon të informojë dhe edukojë të rinjtë e moshës 15–18 vjeç mbi ngacmimin seksual. Loja është krijuar nga një grup prej pesë të rinjsh: Orkida Loku, Juliana Bujarja, Arb Izeti, Andi Barohoxha dhe Arba Alija, të cilët formuan ekipin “Drita”.
Ekipi “Drita” mori formë gjatë bootcamp-it “Ndryshimi fillon nga ti”, të zhvilluar vitin e kaluar nga Albanian Women in Audiovisual (AWA) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Gjatë këtij bootcamp-i, të rinjtë patën mundësinë të punonin në grupe dhe të prezantonin ide mbi mënyrat e luftimit të ngacmimit seksual.
“Boundiaries ishte një ide që e shkruajtëm fillimisht në një tabakë të bardhë, por asnjëri prej nesh nuk e dinte saktësisht se si do ta zhvillonim”, – thotë Orkida Loku, një nga anëtaret e ekipit “Drita”.
Më pas, ideja për krijimin e një loje interaktive për të rinjtë u mbështet nga AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, me fonde nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).
“Idenë tonë e prezantuam me shumë pasion dhe momenti kur na thanë se do të financohej ishte një shtysë e madhe për ta vënë në jetë”, – vijon Loku. Pas përzgjedhjes, grupi “Drita” nisi punën konkrete për realizimin e projektit. Një burim i rëndësishëm frymëzimi ishte podcasti “Unë Tregoj”, i prodhuar nga AWA, një podcast që u jep zë vajzave dhe grave, të mbijetuara të dhunës seksuale dhe ngacmimeve.
Dëgjo serinë e podcasteve “Unë tregoj” këtu.
“Ne analizuam të gjithë skenarët dhe transkriptet e episodeve të ‘Unë Tregoj’. Andi Barohoxha, i cili studion për regji, na ndihmoi në ndërtimin e skenarëve dhe në fund draftin ia dorëzuam Arbit”, shpjegon Loku.
Pas përfundimit të skenarëve, anëtarët e grupit “Drita” përdorën Inteligjencën Artificiale (IA) për realizimin e videove, të cilat funksionojnë njëkohësisht si lojë. Ato janë të ndara në sekuenca, ku përdoruesit ftohen t’u përgjigjen pyetjeve në varësi të situatave të paraqitura. Për ta përfunduar lojën, përdoruesit duhet ta ndjekin videon deri në fund dhe t’u përgjigjen pyetjeve të vazhdueshme, në mënyrë që të kuptojnë se si zhvillohet ngjarja.
“Mendova se ky ishte një rast shumë i mirë për të treguar se Inteligjencën Artificiale mund ta drejtojmë dhe ta shfrytëzojmë për kauza pozitive dhe për të sjellë ndikim të mirë në shoqëri”, – thotë Arb Izeti.
Pas përfundimit të prezantimit, përfaqësues të shoqërisë civile që punojnë me fëmijë dhe të rinj patën mundësinë të shkëmbenin ide mbi mënyrat se si format alternative të informimit dhe ndërgjegjësimit, sikurse loja “Boundiaries: Serious game për kufijtë”, mund të kenë më shumë dukshmëri.
“Kemi vënë re se kur flasim për dhunën me bazë gjinore, ky është një grup-moshë që nuk adresohet sa duhet”, – u shpreh gjatë diskutimit Valbona Sulçe, eksperte e jashtme.
“Shpesh fokusohemi më shumë te pasojat sesa te edukimi i atyre që nesër mund të jenë dhunues apo viktima të dhunës me bazë gjinore”, – vijoi më tej Sulçe, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të të gjitha grupeve shoqërore në luftimin e ngacmimit seksual dhe në thyerjen e tabusë për të folur hapur mbi këtë temë.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit ‘bounDiaries’, mbështetur nga AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, me fonde të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Sida)
