Shkruan: Xhensila Nako, Tiranë
Në një botë ku historia përcakton fuqinë, kush mban mikrofonin dhe kush mbetet pa zë ka rëndësi
Në industrinë globale audiovizive, e vlerësuar në mbi 2 trilionë dollarë në vitin 2024, krijimi i përmbajtjes nuk është thjesht biznes; është formësim i mendimeve, i vlerave dhe i realitetit tonë të përbashkët. Por në këtë peizazh të gjerë, zërat e grave shpesh mbeten në periferi jo sepse ato nuk flasin, por sepse nuk dëgjohen mjaftueshëm.
Sipas të dhënave më të fundit nga projekti global i monitorimit të medias GMMP, vetëm 26% e lajmeve në televizion, radio, shtyp dhe online kanë në qendër gratë. Kjo do të thotë që gjysma e popullsisë së botës përfaqësohet në vetëm 1/4 e lajmeve.
Në Shqipëri, ky realitet vjen në këtë formë: ndonëse 67% e gazetarëve janë gra, ato janë të nënpërfaqësuara në pozitat kyçe drejtuese. Vetëm 25% e kryeredaktorëve dhe 10% e drejtorëve të televizioneve janë femra. Kjo nuk është një rastësi është pasojë e një sistemi të pabarabartë.
“Ajo”: Një mikrofon që i jep zë grave në media
Podcasti “Ajo”, një nismë e Albanian Women in Audiovisual (AWA), është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kësaj pabarazie. Me 30 episode, ai nuk ofron vetëm biseda, por krijon një hapësirë ku gratë që punojnë, krijojnë dhe rezistojnë në median shqiptare mund të flasin lirshëm pa filtra, pa maska, pa frikë.
Por “Ajo” nuk është vetëm një arkiv rrëfimesh është një pasqyrë e thellë e një realiteti që kërkon ndryshim. Një realitet ku ligjet ekzistojnë, por nuk zbatohen; ku gratë paguhen deri në 30% më pak se burrat; ku ngacmimi vazhdon të mbetet një temë tabu; dhe ku një grua shpesh përballet me zgjedhjen e vështirë mes karrierës dhe jetës familjare.
Një thirrje për reflektim dhe veprim
Kjo hyrje e përbashkët lidh fijet mes ekonomisë globale të kulturës dhe realitetit të medias në Shqipëri, duke e bërë të qartë se çdo episod i “Ajo” është më shumë se një rrëfim personal është një thirrje për dëgjim, reflektim dhe veprim.
Sepse ndryshimi nuk fillon me deklarata; Ai fillon me një zë që guxon të thotë:
“Unë jam këtu. Unë flas.”
Një platformë që nxit dialog dhe përfaqësim të barabartë
Podcasti “Ajo”, krijuar nga AWA në partneritet me SciDev dhe me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, është një platformë thelbësore dialogu që hedh dritë mbi realitetin e grave në median shqiptare. Me 30 episode, ky projekt përmbledh rrëfimet e 30 grave dhe vajzave që punojnë në sektorin audioviziv, bazuar në të dhënat e rrjetit të AWA-s.
Shifrat që flasin dhe ligjet që heshtin
Shifrat janë themelore për të kuptuar pabarazinë:
- 67% e gazetarëve janë gra
- Vetëm 25% e kryeredaktorëve janë gra
- Vetëm 10% e drejtorëve të stacioneve televizive janë gra
Këto shifra tregojnë ekzistencën e pengesave strukturore që nuk kapërcehen vetëm me etikë, por me ligje të zbatueshme dhe politika të qarta.
Politikat gjinore në letër, por jo në praktikë
Edhe pse Shqipëria ka një kuadër ligjor për barazi gjinore, mungojnë disa elementë kyç:
- Nuk zbatohet buxhetim i ndjeshëm gjinor për median, pasi ky mekanizëm aplikohet vetëm në programet buxhetore të institucioneve shtetërore;
- Mediat private nuk detyrohen të mbledhin të dhëna sipas gjinisë;
- Ligji për mediat audiovizive nuk përmban kapitull të veçantë për barazinë gjinore.
Këto boshllëqe e bëjnë të pamundur monitorimin efektiv dhe zbatimin real të barazisë gjinore në këtë sektor.
Pengesat që përballen gratë në industrinë audiovizive
Disa nga sfidat kryesore janë:
- Mungesa e grave në rolet teknike (më pak se 10%) si regjisore, operatore, drejtuese fotografie;
- Mungojnë fonde apo politika publike që synojnë mbështetjen e grave dhe vajzave në këtë sektor;
- Ngacmimi seksual dhe dhuna, që shpesh heshten;
- Mungesa e mbështetjes për balancimin punë-jetë familjare;
- Pabarazia në paga deri 30% më pak për gratë;.
- Stereotipizimi në media, ku gratë portretizohen në role të kufizuara, ndërsa burrat mbizotërojnë në lajmet e politikës, ekonomisë dhe sigurisë
AJO përmes historive personale dhe përvojave profesionale, është një ftesë për reflektim mbi stereotipet gjinore, rolin e gruas në informim dhe përgjegjësinë e medias në kohët moderne.
Podcasti “Ajo” nuk është thjesht një koleksion episodesh, por një pasqyrë dhe një kujtesë për atë që duhet bërë. Ai dëshmohet se barazia gjinore është një rrugëtim për zërin e grave që nuk janë dëgjuar kurrë mjaftueshëm, por edhe dëgjimin e burrave që duan të jenë pjesë e ndryshimit për një shoqëri më të barabartë. Në fund, “Ajo” është një thirrje ndaj ndryshimit të realitetit, i cili vjen nga një dialog i hapur dhe i sinqertë që përfshin të gjithë.
Ky aktivitet realizohet nga Albanian Woman in Audiovisual, në partneritet me @scidev.center dhe me mbështetjen e @euinalbania.
