Skip to content Skip to footer

Këshilli i Evropës: Presioni politik dhe ekonomik cenon pavarësinë e medias në Shqipëri

Cover: SafeJournalists.net

Progres-Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026 vlerëson se vendi ka një nivel përgatitjeje nga “i pjesshëm” deri në “mesatar” në fushën e lirisë së shprehjes. Raporti thekson se garancitë ligjore për ushtrimin e lirë, të pavarur dhe profesional të gazetarisë mbeten për t’u përmirësuar, ndërsa nxjerr në pah një sërë problematikash që vazhdojnë të ndikojnë në mjedisin mediatik në Shqipëri.

Shqetësimet lidhen veçanërisht me pavarësinë dhe pluralizmin e medias, transparencën mbi pronësinë dhe financimin, intimidimin dhe fushatat denigruese ndaj gazetarëve, përdorimin e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPPs), si dhe ndikimin politik në institucione të rëndësishme të sektorit, si Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) dhe Radio-Televizioni Shqiptar (RTSH).

Pavarësia dhe pluralizmi i medias

Sipas Progres-Raportit, Shqipëria ka ndërmarrë disa hapa për përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, përfshirë masat në linjë me Aktin Evropian për Lirinë e Medias. Megjithatë, raporti vëren se tregu mediatik vijon të ndikohet nga ndërhyrjet ekonomike, përmes grupeve të biznesit me lidhje politike dhe ndërthurjes së interesave politike, ekonomike dhe të tjera.

Një tjetër problem mbetet mungesa e transparencës mbi burimet e financimit të medias, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore. Në të njëjtën kohë, pronësia mediatike mbetet e përqendruar në duart e një numri të kufizuar personash, çka ngre shqetësime për pluralizmin dhe pavarësinë e medias.

Raporti evidenton gjithashtu shqetësime lidhur me pavarësinë e Autoritetit të Mediave Audiovizive.

“Pavarësia e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) ende nuk është e garantuar, ndërsa procedura e emërimit të anëtarëve të bordit të tij lë hapësirë për ndikim politik dhe të korporatave”, thuhet në raport.

KE vëren gjithashtu mangësi në zbatimin e Kodit të Transmetimit ndaj organeve mediatike që transmetojnë përmbajtje politike të regjistruar paraprakisht gjatë fushatave zgjedhore.

Shqetësime të ngjashme ngrihen edhe për pavarësinë e RTSH-së, veçanërisht lidhur me proceset e zgjedhjes dhe emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues. Pas një vlerësimi të detajuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), në vitin 2026 u lançua një mision për mbështetjen e reformës së RTSH-së, me synim adresimin e problematikave të identifikuara dhe përafrimin e strukturës së transmetuesit me standardet evropiane.

Intimidimi, fushatat denigruese dhe sulmet ndaj gazetarëve

Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet sigurisë së gazetarëve dhe presionit ndaj tyre. Gazetarët vijojnë të përballen me intimidim, kërcënime, fushata denigruese, sulme fizike dhe verbale, si dhe padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPPs).

Sipas Progres-Raportit, rastet e intimidimit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përfshirë edhe nga zyrtarë të lartë shtetërorë dhe punonjës të policisë, janë bërë më të dukshme. Këto raste janë shoqëruar me fushata denigruese, SLAPP-e, sulme fizike dhe verbale me motive politike, si dhe dezinformim.

Raporti vëren se ndër gazetarët më të ekspozuar ndaj këtyre formave të presionit janë gazetarët investigativë dhe gratë gazetare.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit të cituara në raport, gjatë periudhës së monitoruar janë regjistruar 21 raste që përfshinin gazetarë. Gjashtë prej tyre lidhen me kërcënime ndaj jetës ose rrezikim të integritetit fizik, ndërsa 14 raste të tjera kishin të bënin me forma të tjera kërcënimi ose ngacmimi.

Megjithëse raporti evidenton disa përpjekje për ndjekjen gjyqësore të rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, ai vëren se pandëshkueshmëria mbetet e përhapur, për shkak të mungesës së një historiku të qëndrueshëm të hetimeve dhe veprimeve gjyqësore.

Në këtë kuadër, raporti nënvizon nevojën për forcimin e kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese dhe për një reagim më efektiv ndaj sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përfshirë gjatë protestave. Po ashtu, kërkohet zbatim më i fortë i procedurave disiplinore, administrative dhe gjyqësore në rastet e shkeljeve.

Dhuna digjitale dhe shkeljet e privatësisë së gazetarëve

Presioni ndaj gazetarëve nuk kufizohet vetëm në hapësirën fizike. Progres-Raporti evidenton se kërcënimet digjitale dhe ngacmimet online vijojnë të jenë të pranishme.

“Shqetësime serioze vazhdojnë të ngrihen lidhur me shkeljet e privatësisë, pasi të dhënat personale dhe profesionale të gazetarëve vijojnë të keqpërdoren nga subjekte të paautorizuara”, thuhet në raport.

Sipas KE-së, mekanizmat institucionalë për raportimin, trajtimin dhe parandalimin e kërcënimeve digjitale mbeten të pamjaftueshëm. Po ashtu, vijon të mungojë monitorimi dhe raportimi sistematik mbi çështjet gjyqësore që lidhen me gazetarët.

Raporti evidenton gjithashtu kufizime në aksesin e gazetarëve në asistencë ligjore dhe në mbështetjen që ata marrin nga organet mediatike, çka e bën më të vështirë përballimin e kërcënimeve dhe presioneve me të cilat përballen në ushtrimin e profesionit.

Kushtet e punës dhe presioni ndaj gazetarëve

Përtej sigurisë fizike dhe digjitale, Komisioni Evropian ngre shqetësime edhe për kushtet e punës së gazetarëve. Pasiguria në punësim, pagat e papaguara, ngarkesa e lartë e punës dhe mosrespektimi i kontratës së punës vazhdojnë të ndikojnë në profesion.

“Vetëcensura mbetet e përhapur, e nxitur nga presioni politik, kërcënimet ligjore dhe varësia ekonomike”, shkruhet në raport.

KE vëren gjithashtu se organizatat profesionale dhe mekanizmat e vetërregullimit mbeten të dobët dhe se nevojiten më shumë përpjekje për forcimin e standardeve etike dhe mbështetjen e gazetarëve.

Në tërësi, Progres-Raporti i vitit 2026 vlerëson se, pavarësisht disa hapave të ndërmarrë nga Shqipëria për përafrimin me standardet evropiane, mjedisi për ushtrimin e lirë dhe të pavarur të gazetarisë mbetet problematik. Transparenca e pronësisë dhe financimit, pavarësia e institucioneve rregullatore dhe transmetuesit publik, mbrojtja e gazetarëve nga intimidimi dhe sulmet, si dhe përmirësimi i kushteve të punës mbeten ndër çështjet kryesore që kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme.