Skip to content Skip to footer

Vajzat dhe gratë e Revolucionit Flamingo që i qëndrojnë përballë dhunës policore

Foto: Citizens.al

Autore: Entenela Ndrevataj

Shqipëria hyn sot në ditën e 58-të të protestës njohur si Revolucioni Flamingo. Protesta ka krijuar traditën e të mbledhurit në orën 19:00 te sheshi “Skënderbej”, për të marshuar drejt Kryeministrisë, ku qëndron grupi tjetër i protestuesve.

Hapësira e përbashkët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” bëhet më pas pikëtakimi që jetësohet në kënde të ndryshme: në një cep gjenden fëmijët që pikturojnë, pak më tutje është “grupi i daulleve” dhe i feministeve, diku më tej qëndron grupi i mikrofonit dhe i qytetarëve të tjerë që artikulojnë shqetësime të përbashkëta dhe mblidhen nën disa kërkesa: Dorëheqje të Kryeministrit Edi Rama, anulim të ligjeve që favorizojnë ndërtime në zonat e mbrojtura, hetim të politikanë të korruptuar dhe ndryshim sistemi.

Krahas protestes së pasditeve, qytetarët e kanë zhvendosur protestën edhe përballë Kuvendit të Shqipërisë gjatë ditëve të javës kur mbahen seancat plenare. Dita e sotme shënoi dhe protestën e radhës përballë këtij institucioni, që u shoqërua me përplasje mes policisë dhe shoqërimin e disa protestuesve në komisariatin numër 1.

Ky skenar u përsërit ngjashëm me protestën e datës 23 korrik, ku policia përdori ujë me presion, gaz lotsjellës dhe spraj me piper dhe shoqëroi 32 protesues. Dhunës policore, qytetarët iu përgjigjen me vëzë dhe domate. Në mesin e disa personave të cilët u përballën me dhunën policore dhe shoqërime janë: Vjolanda Peca, gazetare, Elsa Paja, artiste dhe aktiviste dhe Zhaneta Lamçe, pensioniste 77-vjeçare.

Njihuni me Vjolanda Peca, gazetarja e shoqëruar nga forcat policore

Vjolanda Peca është gazetare e Citizens.al, që u shoqëruar nga policia në datën 23 korrik, teksa po raportonte mbi protestën . 

E enjtja ishte një nga ditët më të tensionuara që kam përjetuar në një protestë”, thotë Vjolanda Peca e cila pohon se ndjehej që situata ishte ndryshe, pasi kishte forca të shtuara të policisë, të cilët më pas e shoqëruan në komisarit, teksa po dokumentonte me kamera protestën.  

Mesa duket qëllova në vendin e gabuar”, shton ajo, “pasi do të vinte Kryeministri dhe efektivët bënë çmos që ta ‘fshinin’ hapësirën që të mos prekej as nga vezët e qytetarëve, e as të fotografohej nga kamera ime”.

Vjolanda Peca, gazetare e Citizens.al

Vjolanda qëndroi për disa orë në komisariat. “Nuk bëra rezistencë kur më morën, pasi e dija që do më lironin menjëherë sepse po bëja asgjë veçse detyrën time”.

Sipas Protokollit të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, të miratuar në maj 2025, gazetarwt kanw të drejtën për të raportuar, fotografuar dhe filmuar gjatë protestave, përfshirë operacionet policore, dhe kërkon nga punonjësit e policisë të mbrojnë sigurinë e tyre dhe të mos pengojnë punën gazetareske.

Momentin e shoqërimit ajo e kujton si një moment zhgënjyes, jo vetëm në aspektin personal, por edhe atë profesional.

Një gazetar duhet të ketë mundësinë të raportojë lirshëm, veçanërisht në momente me interes të lartë publik”, shprehet Vjolanda Peca, e cila u lirua vetëm pasi përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit u shpjegoi që ajo, në fakt, është gazetare.

Qasja ndryshoi, ishte disi më e ngrohtë. Më pas me anë të një telefonate më kërkuan ndjesë dhe më lanë të lirë”.

Per Vjolandën, protesta shumëditorë është një ngjarje historike të cilën ajo po e raporton për herë të parë, si gazetare e re në profesion.

Revolucioni Flamingo për mua është një ngjarje e cila e ka afruar njeriun te njeriu, te rrënjët e tij”, shprehet ajo. Protesta sipas saj ka ngjallur shpresë se një shoqëri më e mirë, më e lirë dhe më e barabartë është e mundur dhe këtë ajo e dokumenton përmes intervistave në terren.

Kreativiteti që ka shoqëruar këtë protestë është për të frymëzues, shprehur përmes artit, ironisë apo përformancave që komunikojnë me publikun. “Në vend të urrejtjes, ka zgjedhur simbolikën, në vend të dhunës, kreativitetin. Kjo e bën më të fortë dhe më të vështirë për t’u injoruar nga pushtetarët”, përmbyll ajo.

“Zhaneta përballë vetes”: Pensionistja protesuese 77-vjeçare, që u tërhoq me forcë nga policia

Zhaneta Lamçe, në datën 23 korrik, u shtri në tokë, teksa protestonte bashkë me qindra të tjerë, kur po mbahej seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Disa forca policore iu afruan për ta tërhequr dhe ishte pikërisht ky moment që u bë viral.

Zhaneta Lamçe tërhiqet me forcë nga policët, 23 korrik 2026. Foto: Web

Ajo proteston për shumë arsye dhe nuk është hera e parë që i bashkohet një revolucioni. Lamçe ishte prezente dhe në protestën e studentëve të viteve 90-të, që bëri më pas të mundur rrëzimin e regjimit diktatorial. Pas më shumë se tre dekadash, Lamçe përballet me probleme të mbartura. Lamçe merr pensiontë pjesshëm, pavarësisht viteve të plota të punës dhe është në procese gjyqësore për cështje pronash prej gati 20 vitesh.

Durova, durova, durova – tani u mbush kupa”, thotë pensionistja Lamçe, teksa rrëfen pse iu bashkua protestës. Zhaneta kujton momentin vendimtar kur e shtyu veten të dilte në protestën e 23 korrikit. Sipas saj, erdhi pas një bashkëbisedim me veten, pra “Zhaneta me Zhanetën”, siç shprehet ajo.

Dëgjo Zhaneta, kur të dalin me datë 23 që do të protestojnë, do të dalësh edhe do t’ia përplasësh keq. Mos ki turp, i thashë vetes sime”, kujton ajo, teksa pohon se është e bindur në qëndrimet e saj të konsoliduara me veten, pavarësisht dhunës policore. “Edhe nëse do të shtrihesh mes bulvardit derisa policia të vijë të të heqë zvarrë, ti nuk do të ikësh që aty”.

Në foton virale, Lamçe paraqitet duke buzëqeshur, teksa terhiqet nga nje grusht policësh, në tetativë për ta larguar nga rruga.

Unë në kokën time mendoj këtë që ‘Sa mirë ia bëre’, edhe me qeshet. I them vetes “Bravo Zhaneta’”. Edhe një herë, Zhaneta Lamçe përsërit qëndrimet e saj.

Anglisht nuk di, rusisht nuk di, italisht nuk di, kështu që do të flas shqip me ty z. Edi Rama: Përditë këtu më ke mua, do të bllokoj rrugët. Kaq kam në dorë, kaq bëj”, shprehet ajo.

Hajde kush është më i fortë, ti apo unë; populli apo ti”, mbyll fjalën e saj Zhaneta e cila ishte edhe sot e pranishme në protestën e 27 korrikut përballë Kuvendit.