Më 4 qershor, Albanian Women in Audiovisual (AWA), në bashkëpunim me SCiDEV, organizoi në “Tek Bunkeri” eventin përmbyllës të projektit “Breaking the Moulds, Shaping the Future”, financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri.
Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, dhe vijoi me panelin e diskutimit mbi gazetarinë lokale, me fokus të veçantë te gazetaret gra, përfaqësimi i tyre në media dhe barazia gjinore. Në pjesën e dytë të mbrëmjes u prezantuan filmat artistikë, mini-dokumentarët, podcast-et dhe veprat artistike të përfituesve të Programit të Minigranteve, një skemë mbështetëse e projektit “Breaking the Moulds, Shaping the Future”.
Ky aktivitet u zhvillua në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, kur sheshet e disa qyteteve janë mbushur me protestues të cilët i janë bashkuar Revolucionit të Flamingos. Këto zhvillime kanë nxjerrë në pah edhe një herë rolin e rëndësishëm të gazetarëve lokalë dhe mediave të pavarura, të cilat po raportojnë mbi protestat përmes qasjeve alternative dhe po i japin jehonë ngjarjeve përmes rrjeteve sociale dhe platformave të ndryshme digjitale.
Në fjalën e tij hapëse, Silvio Gonzato, Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri, theksoi rëndësinë e gazetarisë së pavarur dhe gjithëpërfshirëse si një prej shtyllave themelore të vlerave evropiane.
“Përmes nismave si ‘Breaking the Moulds, Shaping the Future’, ne mbështesim jo vetëm profesionistët dhe organizatat mediatike, por edhe vlerat demokratike që qëndrojnë në themel të së ardhmes evropiane të Shqipërisë”, u shpreh Ambasadori Gonzato.
“Gazetarëve dua t’u them: vazhdoni të tregoni histori që kanë rëndësi, të sfidoni stereotipet dhe t’u jepni zë grupeve dhe individëve që shpesh mbeten të nënpërfaqësuar. Në këtë mënyrë, ju kontribuoni në ndërtimin e një shoqërie të informuar dhe demokratike. Ne do të vazhdojmë të jemi në krahun tuaj”, shtoi ai.
Pas fjalës së ambasadorit u zhvillua paneli “Strengthening Women’s Voices in Local Journalism and Media”, i moderuar nga Valbona Sulçe. Në panel morën pjesë Sabina Kodra nga AWA, Blerjana Bino nga SCiDEV, Lorin Kadiu nga Citizens.al dhe Emi Kalaja, gazetare lokale nga Shkodra.
Në diskutim, Sabina Kodra vuri theksin te rëndësia e njohjes dhe vlerësimit të punës së gazetarëve lokalë, krijuesve të përmbajtjes dhe rrëfimtarëve që sjellin në vëmendje histori të komuniteteve të tyre. Ajo nënvizoi se vlera e kontributit të tyre nuk matet vetëm përmes produkteve përfundimtare, por edhe përmes përkushtimit, kohës, besimit të ndërtuar me komunitetet dhe këmbënguljes së nevojshme për t’i bërë këto histori të dukshme në hapësirën publike.
Blerjana Bino prezantoi punën e SCiDEV në promovimin e barazisë gjinore, përmirësimin e kushteve të punës dhe forcimin e politikave të brendshme në median shqiptare. Gjatë prezantimit, ajo ndau edhe Manualin për Barazinë Gjinore, të hartuar në kuadër të projektit, si një instrument praktik për institucionet mediatike. Sipas saj, ky manual synon të adresojë një boshllëk të kahershëm në sektorin mediatik shqiptar, ku shumë redaksi ende nuk kanë politika të qarta dhe mekanizma funksionalë për garantimin e barazisë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të punës, krijimin e kushteve të sigurta në vendin e punës dhe parandalimin e ngacmimeve apo formave të tjera të diskriminimit.
Nga perspektiva e medias së pavarur, Lorin Kadiu theksoi rëndësinë e raportimit të historive që shpesh mbeten jashtë vëmendjes së mediave kryesore. Ai vuri në dukje se mediat lokale dhe të pavarura janë më pranë komuniteteve dhe problematikave të tyre, por njëkohësisht përballen me sfida të vazhdueshme financiare dhe mungesë burimesh, ndërsa vazhdojnë të kryejnë një rol të domosdoshëm në informimin e publikut.
Në mbyllje të panelit, Emi Kalaja ndau përvojën e saj si gazetare në terren, duke folur për sfidat e përditshme të raportimit në nivel lokal. Ajo theksoi nevojën që perspektivat dhe zërat e grave të mos trajtohen si dytësorë në gazetari, por të jenë pjesë integrale e mënyrës se si rrëfehen dhe raportohen realitetet e komuniteteve.
Nga diskutim në celebrim: Shfaqja e 9 filmave, punimeve artistike dhe dokumentarëve
Një nga momentet kryesore të mbrëmjes ishte prezantimi i nëntë projekteve multimediale të realizuara në kuadër të Programit të Minigranteve III, të cilat sollën në vëmendje histori, perspektiva dhe realitete të ndryshme që lidhen me barazinë gjinore, përfaqësimin, jetën në komunitetet lokale dhe sfida të ndryshme sociale.
Përmes formateve të ndryshme, si dokumentarë, filma të shkurtër, podcast-e dhe materiale artistike, autorët dhe autoret eksploruan tema që shpesh mbeten jashtë vëmendjes së debatit publik. Publiku pati mundësinë të ndiqte dokumentarin “Gratë Ricikluese” nga Romina Sefa, filmin “Ajo Rrëfen” nga Emi Kalaja, si dhe “Të Padukshmet” nga Elira Kadriu, të cilat trajtonin përvojat dhe sfidat e grave në kontekste të ndryshme shoqërore.
Programi vijoi me materialin artistik “Album dhe Puls” të Hajrije Dedej, dokumentarin “Ajo që Mungon në Kornizë” të Ardit Alimemetit, filmin “Dy Botë” të Olsi Sherifit dhe dokumentarin “FemnArt” të Ilir Shytës. Po ashtu, pjesëmarrësit ndoqën podcast-in “Gjinia dhe Edukimi” nga Megi Trashani dhe Maria Gogo, si dhe dokumentarin e shkurtër “Jeta e Natës” nga Ida Gurguri.
Projektet e prezantuara dëshmuan potencialin e gazetarisë, artit dhe tregimit multimedial për të sjellë në qendër të vëmendjes zëra dhe histori që shpesh mbeten të padëgjuara, duke nxitur reflektim dhe diskutim mbi çështje me rëndësi për komunitetet dhe shoqërinë në tërësi.
Paralelisht me shfaqjet multimediale, pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitonin edhe një ekspozitë interaktive të tregimtarisë vizuale, e cila solli përmes fotografive, materialeve multimediale dhe dëshmive personale historitë dhe përvojat e përfituesve të Programit të Minigranteve III.
Një pjesë e veçantë e ekspozitës ishte galeria artistike e përbërë nga 22 fotografi të realizuara nga 22 përfituese të programit. Përmes veprave të tyre, artistet sollën reflektime dhe perspektiva të ndryshme mbi identitetin, barazinë gjinore, komunitetin dhe sfidat sociale. Galeria krijoi një hapësirë dialogu mes artit, gazetarisë dhe aktivizmit qytetar, duke dëshmuar se rrëfimi i historive mund të marrë forma të ndryshme, por të ketë të njëjtin ndikim në nxitjen e debatit dhe ndërgjegjësimit publik.
