Kur rrjeti social bëhet armik: Dhuna digjitale dhe viktimat e saj
Elira Kadriu
Në 2024, dy gra vendosën t’i jepnin fund jetës për shkak të dhunës digjitale.
Bedrie Loka, 41 vjeç dhe nënë e katër fëmijëve, humbi jetën pasi u ekspozua ndaj bullizimit në rrjetet sociale, ku disa materiale filmike të saj u shpërndanë në TikTok. Ajo kishte kërkuar ndihmë duke e denoncuar çështjen në Policinë e Durrësit në vitin 2022, por pa marrë zgjidhje.
Rreth një muaj më vonë, në shkurt të këtij viti, një grua tjetër, 27-vjeçare, u vetëvra në Kamëz, pasi një personazh i njohur i TikTok-ut, Altin Çoku, publikoi foto të saj intime.
Dhuna digjitale ndaj grave përfshin forma të ndryshme abuzimi, si ngacmimi kibernetik, përndjekja digjitale, shpërndarja pa pëlqim e imazheve apo videove, gjuha e urrejtjes, nxitja për urrejtje dhe abuzimi përmes rrjeteve sociale.
Studimi “Dimensioni Digjital i Dhunës”, i publikuar nga UN Women Albania, tregoi se 41% e grave në Shqipëri kanë përjetuar dhunë të lehtësuar nga teknologjia dhe 83% e qytetarëve që përdorin internetin kanë parë raste të tilla online. Të dhënat identifikojnë se vajzat 18–24 vjeç janë katër herë më të rrezikuara se gratë mbi 65 vjeç.
“Kur një foto intime kthehet në ferr publik”
“Më kërkoi ca foto intime dhe pas shumë këmbënguljeve ja dërgova, por mendova se ishte mjaftueshëm i rritur për t’i mbajtur private” – më shkruan Adela*.
Adela më rrëfen historinë e saj nëpërmjet teksteve, sepse histori të tilla janë të vështira për t’u ndarë përballë.
Në kohën që përjetoi dhunën kibernetike Adela ishte në fazën e adoleshencës dhe mendonte se kjo histori do të rëndonte në imazhin e saj tërë jetën, duke e penalizuar që të takonte dikë që do e pranonte me “fajin e saj”.
“Ato foto u publikuan në Tik – Tok, e pas ca kohësh u fshinë nga Policia, por emri im u njollos në të gjithë Shqipërinë”- vijon Adela.
Sipas saj, ajo çka e vriste çdo ditë e nga pak ishin komentet poshtë fotos. Adela kujton se këtë histori e ndau vetëm me të ëmën e saj, por duke qenë se vjen nga një qytet me mentalitet të thellë, e ëma duke mos ditur si ta menaxhonte situatën, ia rrëfeu edhe bashkëshortit të saj.
“U mundova ta kaloj por ishte e pamundur, derisa në jetën time u shfaq një njeri që më mbështeti dhe nuk më gjykoi” – nënvizon vajza.
Adela përmbyll se çdo vajzë, sidomos në moshën e adoleshencës, duhet të ketë kujdes të mos shpërndajë materiale të tilla, pasi jo të gjitha mund të kenë mbështetje psikologjike nga familja dhe shoqëria dhe situata të tilla mund të rezultojnë fatale për një të ardhme të afërt.
Një hap përpara, shumë mungesa pas
Deri më tani, kuadri ligjor nuk e ka adresuar siç duhet dhunën online, për shkak të mungesës së përkufizimeve të posaçme, kapaciteteve të kufizuara institucionale dhe nivelit të ulët të ndërgjegjësimit publik. Megjithatë, projektligji “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, i cili pritet të miratohet në javët në vijim, për herë të parë do të njohë dhunën digjitale si formë dhune më vete. Ky projektligj e ka kaluar fazën e konsultimit publik dhe pritet të kalojë në Parlament për miratim në javët në vijim.
Avokatja Iris Aliaj e cila ka punuar për studimin “Dimensioni Digjital i Dhunës”, shpjegon se legjislacioni shqiptar nuk e përkufizon dhunën digjitale dhe nuk e kriminalizon atë plotësisht. Gjithashtu, ka mungesa në mekanizma të shpejtë për heqjen e përmbajtjeve, si dhe ka kapacitete të kufizuara duke lënë viktimat e pambrojtura.
“Viktimat nuk marrin mbështetjen psikologjike dhe ligjore të duhur. Kjo tregon se fenomeni nuk është virtual. Ai ka pasoja të prekshme, të rënda dhe shpesh të pakthyeshme” – thekson Irisi.
Sipas avokates, projektligji “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”, i cili pritet të miratohet në javët në vijim, është një hap pozitiv pasi për herë të parë njeh dhunën digjitale si formë dhune në familje; por edhe garanton mbrojtjen ne mjedise te tjera të cenueshme që mund të jenë publike apo private.
“Por kjo nuk mjafton. Dhuna e lehtësuar nga teknologjia nuk mund të trajtohet vetëm me ligje civilo–administrative; ajo kërkon ndryshime të thella në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin e Procedurës Civile”, – analizon Aliaj.
Ajo shton se përtej boshllëkut ligjor, mentaliteti është problem po aq i madh, i cili në pjesën më të madhe fajëson viktimën.
“Në momentin që shantazhohet një vajzë, reagimi i parë i shoqërisë është se pse e ke bërë foton dhe jo kush e shpërndau. Dhe kjo shton dhunën dhe e ul raportimin!” – pohon avokatja.
Aliaj përmbyll se çdo vajzë dhe grua ka të drejtë të mbrohet online, duke raportuar shantazhin, të ruajë provat digjitale dhe të kërkojë mbështetje psikologjike, pasi përgjegjës për publikimin e materialeve intime është vetëm autori, jo viktima.
Praktika udhëzuese evropiane
Për të harmonizuar nismat kombëtare me zhvillimet evropiane, ia vlen të përmenden disa praktika të mira.
Në Bashkimin Evropian , çështja e dhunës kibernetike po trajtohet me instrumente gjithnjë e më të forta. Në maj 2024 u miratua direktiva 2024/1385 – ligji i parë ndër-evropian që kriminalizon format kryesore të dhunës kibernetike në të 27 vendet anëtare, vendos detyrime të qarta për raportim online dhe parashikon gjoba të rënda për platformat që nuk i heqin përmbajtjet abuzive.
Jashtë Evropës ka modele të avancuara, Australia për shembull, përmes zyrës së “eSafety Commissioner”, detyron heqjen e përmbajtjeve të dëmshme brenda 24 orësh.
Edhe rekomandimet në studimin “Dimensioni Digjital i Dhunës” theksojnë nevojën e përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktiva evropiane si Konventa e Stambollit, Rekomandimi Nr. 1 i GREVIO-s, Konventa e Budapestit, apo edhe direktivën e 2024/1385 të BE-së. Kjo sepse Shqipëria po ndërmerr hapa pozitivë me projektligjin aktual, por mbetet nevoja për afate të detajuara dhe një autoritet të qartë zbatues, përndryshe rrezikohet të mbetet një kornizë vetëm në letër.
*Emri është ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin
Ky artikull është realizuar në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, si pjesë e projektit Reporting Diversity Network, me mbështetje të Bashkimit Evropian.
