



Mes kolegeve të mirënjohura të medias shqiptare, sonte jam unë, një vajzë, një grua që jeton dhe punon në Shkodër. Një gazetare lokale që është literalisht vetëm në çdo kronikë: nga vrasja te teatri, nga gjykata te stadiumi, nga protesta te përmbytjet. Në çdo kohë, në çdo orë.
Karriera ime nuk ka qenë kurrë e lehtë, por gjithmonë e vërtetë. Më ka mbajtur pasioni. Kur nisa, më thanë: “Do e lësh për tre vjet” dhe “do të bëhesh si burrë”. Asnjëra nuk ndodhi (shpresoj).
Ditën që u bëra nuse, unë po nisja titrat e lajmeve.
Me djalin e madh, Noelin, kam shkuar në ngjarje të rënda si vrasje dhe i thoja: “Po xhirohet një film”, ndërsa ai më priste në makinë apo vinte në varkë me mua gjatë përmbytjeve.
Kur linda djalin tjetër, mora laptopin me vete në spital. Sapo dola nga salla, u përgjigja për impaktin e analizës së fundit tek BIRN. Në muajin e fundit të shtatzënisë isha në terren në zgjedhje, në fushatë, në numërim votash. Sepse pasioni nuk më la asnjëherë të ndalem.
Njëherë, në një portal sapo të hapur, shkrova për një lajm investigativ dyshimin e mbështetur mbi të dhëna dhe burime për vrasjen e një shqiptari në Athinë. Ishte një shkrim investigativ i bërë vetëm me kurajë dhe instinkt. Disa orë më vonë, ai u bë lajmi kryesor në mediat kombëtare, duke ngritur në këmbë policinë, ambasadën greke dhe atë shqiptare.
Atë ditë kuptova diçka që s’e harroj kurrë: gazetari i mirë e gjen hapësirën kudo, edhe nëse mbyllen dyert e mediave me peshë.
Sepse e vërteta nuk ndalet. Në këtë rrugëtim, përveç pasionit, më ka rritur kërkimi për më shumë. Kam ndjekur trajnime, mentorime, leksione, kam advokuar për të tjerët dhe kam mësuar çdo ditë.
Nuk kam refuzuar asnjë bashkëpunim që më sfidonte, sepse çdo projekt, çdo takim, çdo histori më ka bërë më të plotë si gazetare, si grua, si njeri.
Dua ta mbyll me këtë: Profesionalizmi nuk përcaktohet nga vendi, por nga forca e brendshme për të mos u ndalur. Sepse suksesi nuk ndodh në zyrat e mëdha, ai ndodh në zemrën e njeriut që nuk heq dorë nga ajo që do.
Sonte jam këtu për t’ju kujtuar këtë:
Mos u ndalni. Jo kur ju thonë se nuk ia vlen. Jo kur rruga bëhet e vështirë. Jo kur duket se askush s’ju sheh. Sepse çdo hap, çdo përpjekje, çdo histori që tregoni është prova që ju tashmë po bëni ndryshimin.
