








Çertifikohen gazetarët për raportimin e diversitetit
Në kuadër të Rrjetit për Raportimin e Diversitetit, projekt që po zbatohet në Shqipëri nga Albanian Woman in Audiovisual (AWA) me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Smart Balkans, janë shpërndarë certifikatat për 10 gazetarë që kanë përfunduar me sukses Trajnimin e Gazetarëve për Raportimin e Diversitetit.
Ky trajnim u zhvillua pas “Takimit me kryeredaktorët” nga mediat tradicionale dhe moderne në Shqipëri, duke synuar të krijojë nxitjen e një qasjeje më gjithëpërfshirëse dhe etike në raportimin mediatik.
Tema të rëndësishme për gazetarinë bashkëkohore
Trajnimi ka përfshirë tema që lidhen ngushtë me punën e përditshme të gazetarëve, si:
- raportimi me ndjeshmëri gjinore;
- përfshirja e diversitetit në kronikat dhe artikujt e përditshëm;
- përdorimi i terminologjisë së saktë gjatë raportimit;
- njohja dhe respektimi i të drejtave të njeriut në përmbajtjet mediatike.
Trajnimet u udhëhoqën nga Valbona Sulçe Kolgeci dhe prof. Eralda Methasani, të cilat ndanë përvojën e tyre profesionale në dy sesione të veçanta me gazetarët pjesëmarrës.
Nga trajnimet te mentorimi praktik
Pas trajnimit, gazetarët u përfshinë në një fazë mentorimi profesional, nën udhëheqjen e Valbona Sulçe Kolgecit dhe Lorin Kadiut. Gjatë kësaj periudhe, ata realizuan artikuj dhe produkte mediatike që reflektojnë njohuritë e fituara dhe qasjen e re ndaj temave që lidhen me diversitetin dhe barazinë.
Një hap përpara drejt një media më gjithëpërfshirëse
Në një realitet ku gazetaria përballet me sfida të shumta, projekte të tilla i japin peshë fjalës dhe përgjegjësisë publike që ajo mbart.
Rrjeti për raportimin e diversitetit synon të forcojë kapacitetet profesionale të gazetarëve dhe të promovojë një media që pasqyron realitetin shoqëror me ndjeshmëri, profesionalizëm dhe respekt ndaj të drejtave të njeriut.
