Të dhëna dhe gjetje kryesore nga Raporti i Monitorimit të Gjuhës së Urrejtjes dhe Diskursit Diskriminues 2024–2025
AWA _ Raporting Diversity Network
Ky raport pasqyron situatën e Gjuhës së Urrejtjes dhe Diskursit Diskriminues (GJUD) në mjedisin mediatik shqiptar, përmes analizës së shkallës së përhapjes, formave, ngjarjeve nxitëse dhe ashpërsisë së saj, bazuar në incidentet e raportuara dhe të mbledhura përmes monitorimit mediatik.
Objektivat e raportit kërkimor:
- Identifikimi i prirjeve kryesore të Gjuhës së Urrejtjes dhe Diskriminimit (GJUD) në diskursin publik në Shqipëri gjatë periudhës janar 2024 – qershor 2025;
- Vlerësimi i ashpërsisë në përdorimin e GJUD-së përmes analizës së qasjes emocionale të narrativave dhe nënnarrativave që kanë në fokus grupet më të prekura.
Pasqyrë e përgjithshme e përdorimit të GJUD-së në Shqipëri
Në këtë raport janë përfshirë incidentet e ndodhura gjatë periudhës janar 2024 – qershor 2025. Gjatë kësaj kohe janë raportuar gjithsej 96 incidente, prej të cilave 12 janë klasifikuar në kategori të përgjithshme të GJUD-së, ndërsa 84 janë regjistruar në kategori të veçanta.
Narrativat më të përhapura të përdorimit të GJUD-së janë:
A. mbi baza gjinore (40.6%),
B. ndaj kundërshtarëve politikë (12.5%),
C. ndaj gazetarëve (12.5%).
Narrativat e tjera të GJUD-së përfshijnë:
- pakicat seksuale (7.3%)
- përkatësia etnike (5.5%),
Gjatë periudhës së monitorimit janë identifikuar dy kategori të reja të GJUD-së:
- ndaj institucioneve publike (3.7%)
- dhe ndaj fëmijëve/minoreneve (3.7%).
Ndërkaq, narrativat kundër fesë dhe emigrantëve/refugjatëve mbeten në nivele të ulëta.
Dinamika në raportimin mediatik
Media vazhdon të ndjekë një qasje sensacionaliste, duke i dhënë përparësi dramës ndaj analizës kritike dhe sistemike.
Çështjet e ndjeshme si trafikimi dhe femicidi raportohen me terma të paqartë, shpesh duke normalizuar dhunën.
Respektohet pak ose aspak privatësia e viktimave, ndërsa diskursi mediatik shpesh përforcon stereotipe dhe paragjykime.
Tejseksualizimi i trupit të gruas në funksion reklamash vazhdon të trajtohet si “çështje normale”, madje edhe nga institucione shtetërore si AMA.
Diskursi urrejtës kundër gazetarëve
Sulmet përfshijnë shpërndarje të informacioneve të rreme, kërcënime, sulme kibernetike dhe padi penale.
Gazetarët përballen me diskreditim dhe gjuhë denigruese, sidomos kur angazhohen në gazetari hulumtuese.
Shumica e sulmeve burojnë nga figura publike dhe institucionale.
Diskursi urrejtës ndaj kundërshtarëve politikë
Përdoren narrativa me bazë seksiste, homofobike, nxitje të dhunës dhe dehumanizim.
Diskursi shpesh ka qëllime të qarta politike për diskreditim dhe manipulim të perceptimit publik.
Elementet e përbashkëta në të gjitha kategoritë
Personalizim i diskursit: sulmet fokusohen në jetën personale, pamjen fizike dhe aspekte private.
Amplifikim në media dhe rrjete sociale: platformat digjitale riprodhojnë dhe forcojnë GJUD për klikime dhe angazhim.
Normalizim i agresionit: përdorimi i metaforave poshtëruese dhe gjuhës ofenduese krijon një klimë publike armiqësore, që shpesh normalizon agresorin dhe riviktimizon viktimën.
