Zërat e Artit – Një Mbrëmje Rrëfimesh dhe Emocionesh në Teatrin “A. Z. Çajupi”, Korçë
Mbrëmja e djeshme në kuadër të projektit “Zërat e Artit – një karavan nëpër Shqipëri” u zhvillua në Teatrin “A. Z. Çajupi” në Korçë dhe solli një atmosferë të jashtëzakonshme plot emocione, kujtime dhe rrëfime të rralla nga artistët e qytetit.
Në skenë u ngjitën emra të njohur të artit shqiptar si Josif Minga, Zamira Kita, Koço Qendro, Llazi Balashi, Ilda Pepi, Blerta Belliu dhe Ylli Trajçe, të cilët ndanë me publikun histori të pathëna nga jeta dhe karriera e tyre artistike. Ishte një natë ku e qeshura dhe lotët ndërthureshin në mënyrë natyrale, duke prekur zemrat e të gjithëve të pranishmëve.
Blerta Belliu, aktore e talentuar dhe moderatorja jonë për këtë ndalesë të karavanit, solli një energji të rrallë në sallë – me humorin dhe sinqeritetin e saj, ajo na bëri të qeshim me zemër dhe të përjetojmë thellë rrëfimin e saj personal. Me plot të drejtë, ajo është konsideruar edhe si “Ferrari i Korçës”!
Koço Qendro, legjendë e teatrit dhe kinemasë shqiptare, ndau me publikun histori që rrallë i janë dëgjuar më parë. Anekdotat e tij sollën buzëqeshje të sinqerta dhe respekt të madh për një jetë të tërë në shërbim të artit.
Llazi Balashi, veterani i Korit “Lira”, na dhuroi një moment të paharrueshëm teksa kënduam së bashku me të. Fjalët e tij prekëse – “Kënga të mban gjallë, të rinon, të jep shpirt” – ishin një testament i fuqisë së muzikës.
Josif Minga, kompozitor dhe dirigjent, na fali një tjetër dimension të artit, duke ndarë momente nga jeta e tij profesionale dhe duke na bërë të këndonim së bashku, mes humorit dhe pasionit për muzikën.
Zamira Kita, aktore dhe regjisore e njohur, na frymëzoi me rrëfimet e saj dhe na la me disa këshilla që do t’i mbajmë mend gjatë. Ajo është një figurë që vazhdon të frymëzojë brezat e rinj.
Ilda Pepi ndau një moment shumë personal e prekës – rikthimin e të atit në skenë dhe mënyrën se si ajo vetë ndoqi gjurmët e tij. Ishte një kujtim që emocionoi dhe ngrohu sallën.
Ylli Trajçe, një personazh sa karizmatik aq edhe i përkushtuar ndaj kulturës së Korçës, tregoi historinë e një rruge të vetme të mbushur me artistë që kanë lënë gjurmë. Një dëshmi për trashëgiminë artistike të qytetit.
Faleminderit Korçës për mikpritjen e ngrohtë, publikut për energjinë dhe dashurinë, artistëve për shpirtin e ndarë me ne dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për mbështetjen në këtë udhëtim përmes zërave të artit.
Shihemi në Shkodër!
