



Për shumë nga moshatarët e mi të mbaroje universitetin, pothuajse ishte një “must” [detyrë] dhe të definonte sa i zoti do te ishe ti në jetë; edhe pse shumë nga njerëzit, të cilët shoqëria i konsideron të suksesshëm si Bill Gates, Steve Jobs as nuk e kanë mbaruar universitetin. Si foto të parë kam zgjedhur një foto me babin tim, pasi mendoj se figura e tij më ndikoi që të nis rrugën drejt dijes. Nëse nuk mëson do përfundosh në rrugë si yt atë, këto ishin “presionet e para” të mamasë sime, e cila edhe pse babi im punonte si shitës në tregun industrial, e përdorte këtë si formë presioni që të na detyronte të mësonim. “Do jesh jashtë në ftohtë, në të nxehtë, të shikosh njerëzit në sy kur të ndalojnë të japin ndonjë lekë”, këto ishin figurat letrare që përdorte mamaja ime për të na “demonizuar” punën në rrugë dhe romantizuar zyrën dhe komoditetin që do të ofronte universiteti. Edhe pse sot unë sërish më shumë punoj në rrugë, zgjedhje të cilën, e kam kryer me vullnet të plotë.
Nuk ka një situatë apo person që më ka lidhur me gazetarinë. Madje kur rikthehem në kohë, do të përmendja si stimul të parë serialet “Dosjet e FBI”, që transmetonte dikur Top Channel. Paralelisht jepeshin dhe disa seri nga Donald Trump i ri, sesi të bëhesh një biznesmen i suksesshëm. Duke marrë parasysh natyrën time kurioze, patjetër që ndiqja dosjet dhe mezi prisja ditën e transmetimit.
Ishte 2009 kur lexova emrin tim në gazetë, që kisha fituar degën e gazetarisë; gazetën e mora në një kioskë përbri shkollës “Eftali Koci”, në Durrës, kioskë e cila nuk ekziston më sot. Nuk mund ta them ekzaktësisht nëse lidhet me atë që quhet vdekje e shtypit të shkruar apo pjesë e ndryshimit që erdhi në qytet për shkak të rindërtimit të shkollës aty, pas tërmetit të 2019, proces i cili i ka ndryshuar fasadën e shumë zonave edhe ne Tiranë, përmend këtu 5 majin, Kombinatin etj.
Isha e katërta në listë, kur i tregova prindërve të mi se kisha fituar degën e gazetarisë, nuk është se pati ndonjë entuziazëm të madh, duke qenë se babai im do kishte dëshirë që të ndiqja juridikun apo ekonomikun, degë të cilat ishin në boomin e tyre në ato vite.
Por, pavarërësisht kuriozitetit si natyrë dhe dëshirës për t’i shkuar më thellësisht gjërave, të bëhesha një gazetare në fillimet e universitetit e lidhja më tepër me famën, ekranin dhe të bukurën, ndoshta kjo edhe sepse ishte vetë media që na ushqente më shumë me figura të cilat rrallë ishin gazetarë terreni.
Por revoltën e të qënit thjesht prezente si një vajzë ekrani e ndjeva shumë herët. Më kujtohet kur isha ende studente dhe punoja për një format show të së dielës, ku së bashku me disa vajza të tjera na kishin përzgjedhur që të qëndronim në një formë rrethi, për t’i bërë pyetje një personazhi të famshëm, apo siç quhet VIP. U mërzita shumë që do flisja vetëm 5 sekonda, aq sa do të zgjaste pyetja, që për më tepër do të na e jenin të gatshme. Nuk pranova të merrja pjesë dhe i thashë producentit të asaj kohe, i cili ishte italian, se dëshiroja të bëj diçka më shumë se një pyetje dhe ai më dha një pozicion “më të favorshëm” duke më lënë të lexoja komentet që vinin nga rrjetet sociale në të njëjtin një talk – show, pozicion i cili kishte pak më shumë kohë televizive dhë një komunikim më shumë me hostin. Mbaj mend që paguhesha 50 mijë lekë të vjetra për puntatë dhe ato para prgjithësisht i shpenzoja për veshjen që duhet të paraqitesha dhe transportin.
Pas disa eksperiencave fillestare në gazetari, mendova të shkëputem, pasi dëshira për të eksploruar botën ishte më e thellë. Kjo paralelisht me faktin se ishte një sektor që në fillimet e tua të keqpaguhesh apo mos të paguhesh pothujase fare, sepse po “bën eksperiencë që të duhet për më vonë” ishte një normë.
Për mua, të qenit gazetare, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe feministe është pjesë e identitetit tim, nuk më duhet të jem në një punë të tillë për ta përshfaqur. Më kujtohet se në një periudhë që isha shkëputur nga gazetaria, punoja në një anije krociere të madhe, si kamariere. Kam punuar aty përgjatë një viti dhe gjatë gjithë kohës, duke qenë se pabarazia e madhe sociale dukej qartazi, midis punonjësve që vinin nga vendet më të varfëra përgjithësisht dhe pushuesve, doja të filmoja kushtet dhe çfarë ndodhte aty brenda. Më bënin shumë përshtypje orët e gjata të punonjësve, mbi 14 dhe krijova një album që e kam quajtur red eyes, ku shumë punonjës nga personeli kishin sy gjaku, sic e cilësoja unë.
Një moment tjetër që kujtoj se pavarësisht se nuk e kuptoja as vetë mirë se çfarë po ndodhte ishte fillimi që nisa të kurohem për probleme të shëndetit mendor, e vendosa që punëdhënëses sime t’i tregoja të vërtetën. “Personalja është politike” ka qënë gjithmonë moto e jetës sime mendoj, edhe pse e kam praktikuar ende pa u njohur me këtë shprehje. Mendoj se shefja ime në atë kohë ende nuk ishte normalizuar me shpërthimin e problemeve të shëndetit mendor, si dhe shumë njerëz të tjerë, kështu që më pushuan nga puna. Shumë kolege më thanë se shumë vajza merrnin mjekim të tillë, por pse duhet ta pranoja dhe t’i thoja. Të mbash qëndrime, duke thënë të vërtetën tënde shpesh të kthen nje naive apo idealiste, karaktere të cilat në moshë të hershme të pranohen, ndërsa nëse i ke edhe të pas 30-tave, shpesh të bëjnë të dukesh jo brenda kornizës shoqërore.
Arsyeja pse u riktheva në botën e gazetarisë dhe vazhdoj e ushtroj si profesion është redaksia ku punoj tani dhe dëshira për të kontribuar në gazetarinë e pavarur. Edhe pse duket utopike dhe e vështirë të pranohet që një reaksi mund të funksionojë pa ineteresa ekonmikë apo politikë, prodhimi i materialeve nga qytetarët dhe për qyetarët është ajo që më ka nxitur të rikthehem dhe mos të shkëputem nga puna që bëj.
Për të konkretizuar një rast, ku ndërthur gazetarinë dhe aktivizmin, dëshiroj t’ju tregoj për një nga gratë më frymëzuese të cilën fillimisht e njoha përmes raportimit dhe më pas marrëdhënia jonë u thellua, jo vetëm për shkak të përzemërsisë sime ndaj saj, por edhe për shkak sepse doja të kontribuoja që të lehtësoja sa më shumë rrethanat në të cilat ajo ndodhej.
Ina Kasimatin e kam njohur në një podkast që kam realizuar për kancerin e gjirit në 2022, ku ajo më tregoi për herë të parë sfidat e saj nëpërmjet një lidhje nga telefoni, pasi ishte zhvendosur ne Luksemburg.
Pas një viti organizova një udhëtim me një mikeshën time për në Luksemburg, qyteti ku Ina kurohej prej disa vitesh, pasi kishte refuzuar të mjekohej në Shqipëri, për shkak të mungesës së medikamenteve dhe formës së trajtimit.
Patëm një lidhje shumë të bukur shpirtërore ku unë shpesh e updatoja për gjërat që bëja në Tiranë dhe ajo më tregonte për sfidat e saj. Patëm dhe një tentativë për të krijuar një libër, ku do të këmbenim disa letra, të cilat në fund do të publikoheshin.
Tentativa mbeti përgjysmë, pasi në mars të 2024 Ina ndërroi jetë! Ndjehem e lehtësuar që së bashku me një grup miqsh dhe kolegësh i mundësuam Inës që ditët e fundit të jetës t’i kalonte në Shqipëri, dëshirë e saj, të cilën ma shprehu si formë kërkese dhe dëshire. Hapëm një “go fund me” dhe brenda 48 orëve u mblodhën rreth 40 mijë euro. Paratë u shpenzuan për një charter mjekësor që i mundësoi kthimin në shtëpi.
Teksa libri nuk u përfundua kurrë, Ina nuk është më, ajo që ka mbetur është dëshira ime për të kontribuar dhe për t’u angazhuar në histori që mendoj se ia vlejnë të raportohen dhe të dëgjohen.
