Skip to content Skip to footer

Zërat e Medias — Aulona Musta

Të jesh grua në Shqipëri nuk është aspak e lehtë. Sa herë e kemi thënë e dëgjuar këtë fjali… fjali që në fakt shpesh thuhet nga gratë të cilat bëjnë çmos tja vështirësojnë jetën vetes, por dhe grave të tjera, sepse po unë mendoj që ne gratë në pjesën më të madhe të rasteve jemi e keqja më e madhe e vetes, dhe për fat të keq, edhe grave të tjera.

Dhe them se në këto 40 vite jetë e kam kuptuar nga vjen kjo. Nga frika e madhe që gratë kanë nga lira, nga të qenit të lira.

“Kujdes, se është turp!” Kjo është fjalia me të cilën janë rritur pjesa më e madhe e brezit tonë. Në vend që të dëgjonim fjali motivuese, fjali frymëzuese prej prindërve tanë, çdo gjë që bënim dukej sikur nuk ishte mjaftueshëm, ose ishte e gabuar: “Mos e ngri zërin se është turp”, “Mos qesh shumë se është turp”,  “Mos kërko atë që të takon se është turp”, “Mos ki shumë vetbesim se është turp”, “Mos ji e lirë se është turp. Liria është për rrugaçet”.

Kështu u etiketove edhe 20 vite më parë, kur vendosa të futem në reality shown “Kafazi i Artë”, ndërkohë që e vetmja gjë që doja unë Aulona 20 vjeç, që kishte jetuar gjatë gjithë kohës nën tutelën dhe mbrojtjen e mamit dhe të babit, unë Aulona 20 vjeç e urtë, e ndrojtur (ose siç më etiketonin për shumë vite palluqe), e sjellshme, e qetë, nxënëse shumë e mirë,  e vetmja gjë që kjo Aulona donte ishte t’i provonte vetes që mund t’ja dilte t’i bënte realitet ëndrrat e dëshirat e saj. Unë mund t’ia dilja të përballesha me botën, e vetme, pa mbrojtjen e mamit dhe të babit. Unë mund të isha aq e lirë sa të merrja vetë vendimin që do të futesha në një reality edhe kundër dëshirës së prindërve. Ai ka qenë momenti i parë i rëndësishëm për mua kur kuptova që para lirisë së zgjedhjes për të bërë gjërat që ti do, jo gjërat që të tjerët duan për ty, asgjë tjetër nuk ka vlerë.

Dhe që nga ai moment, unë u njoha si vajza që theu tabut. Kush e mban mend historinë e di përse. Ama për shumë të tjerë, unë vazhdoja isha thjesht një rrugaçe, që guxoi të zgjidhte lirinë për të jetuar ndjenjat, pëlqimin, dashurinë e saj, para syve të gjithë botës, mbi të gjitha para syve të një shoqërie që gruan e lirë e shihte si kërcënim, jo si frymëzim.

Siç vazhdojnë ta bëjnë edhe sot. Sepse edhe sot, 20 vite më pas, unë për një pjesë të mirë vazhdoj të jem ajo rrugaçja që kam guximin dhe lirinë të dal me rroba banjo në instagram, apo të vesh një fustan të shkurtër seksi, apo të ekspozoj trupin e të kërcej duke luajtur me sensualitetin e saj. Për më tepër që jam dhe grua e martuar, për më tepër që jam edhe nënë.

“Kjo nuk është liri, kjo është shthurje, moj rrugaçe” – është një ndër komentet e shumtë dhe të shpeshtë që vjen, padyshim nga dikush që është rritur gjithë jetën me ndjenjën e turpit për trupin e saj, për ndjenjat e saj, për seksualitetin e saj, për veten e saj. “Cfarë edukate po i jep vajzës” – vijon një tjetër koment. Sepse të prekësh dhe të sulmosh një grua tek fëmija, është forma e preferuar e grave të burgosura brenda hekurave që kanë ndërtuar në mendjen e tyre, ku gruaja, pasi bëhet nënë vdes së qeni grua, e madje për fat që keq, në shumë raste, vdes së qeni edhe njeri.

Por unë dua që vajza ime të rritet në një botë ku liria nuk ka ngjyrë turpi.

Ku një grua mund të dalë në plazh, të qeshë me zë, të veshë çfarë e bën të ndihet mirë, të jetë nënë dhe njëkohësisht sensuale, të jetë e fortë dhe e brishtë në të njëjtën kohë. Dua që ajo të dijë dhe të rritet me shembullin që ti mund të jesh nënë, bashkëshorte, sipërmarrëse, shtëpiake – të gjitha në një. Që një ditë të duash të veshësh rroabt më të bukura dhe të shkosh në lokalet më të shtrenjta, ditën tjetër të dalësh me tuta dhe të hash drekën në makinë me nxitim. Që mund të jesh e dhënë pas palestrës po aq shumë sa çje edhe pas librave. Që mund të kesh barkun me muskuj e në të njëjtën kohë kokën gjithë tru.

Dua që ajo mos ta kufizojë kurrë veten brenda disa standarteve dhe kornizave në të cilat shoqëria do të vendosë gruan, e cila s’mund të jetë shumë gjëra në të njëjtën kohë. Dua që ajo të kuptojë se të jesh e lirë nuk është mëkat, është dhurata më e madhe që mund t’i bësh vetes.

Pas 40 vitesh, unë mund të them me bindje se kam kam kuptuar që njerëzit kanë frikë nga gratë e lirë: Nga ato gra, jetën e të cilave nuk e kontrollon dot me mendimin e të tjerëve. Nga ato gra që nuk kanë nevojë për leje për të qenë të lumtura.

Sepse një grua e lirë është si pasqyrë: ajo të detyron të shohësh kufijtë e vetë burgut tënd. Kështu që po, unë do të vazhdoj të bëj zgjedhjet që dua dhe që më bëjnë mua të lumtur

Do të postoj foto si të dua. Do të them çfarë mendoj. Do të vishem si dua. Do ta jetoj jetën siç unë dua. Sepse për mua, të jetosh ndryshe nga ajo që në të vërtetë dëshiron, është forma më e keqe e burgimit.

Unë nuk kam frikë nga zërat e jashtëm, unë kam frikë vetëm nga ai i brendshmi që mund të më thotë: “Ndalo së jetuari jetën tënde dhe fillo jeto jetën që të tjerët duan për ty ”. Por e di që kjo nuk do të ndodhë kurrë, sepse liria për të vënë mirëqënien time mendore, fizike dhe emocionale para gjithçkaje është arma më e fortë që kam.

Sepse në fund të ditës, të jesh e lirë nuk do të thotë të mos kesh frikë. Do të thotë të ndjesh frikën, dyshimet, mërzinë e sërish të ecësh përpara. Të jesh e lirë do të thotë të mos  të ulësh kokën kur të gjykojnë, të mos të kërkosh të pëlqehesh nga të gjithë, por në fund të ditës mos të humbasësh kurrë respektin për veten.

Prandaj, sot, dua t’u them të gjitha grave që më dëgjojnë:

Mos kërkoni lejen për të qenë të lira. Mos kërkoni miratimin për të qenë të lumtura. Është e drejta bazike, që na takon dhe që nuk ta jep as mami, as babi, as burri, as fëmija, as shoqëria, por ja jep ti vetes tënde.