Skip to content Skip to footer

TRUPI, IDENTITETI DHE GRUAJA NË ARTIN SHQIPTAR

TRUPI, IDENTITETI DHE GRUAJA NË ARTIN SHQIPTAR

LUELA MYFTARI

Trupi, identiteti dhe gruaja  në artin shqiptar nuk janë vetëm tema artistike – janë territore betejash, në pamundësi për ta konsideruar luftë. Në një shoqëri ku trupi i gruas shpeshherë mbetet i kufizuar nga normat morale, fetare apo politike, arti bëhet një nga të paktat hapësira ku gruaja mund të marrë sërish kontrollin mbi përfaqësimin e saj. Por a është vërtet ajo e lirë të flasë? A i lejohet të provokojë, të zhvishet simbolikisht e fizikisht, të përballojë gjykimin?

Në historinë e artit shqiptar, figura e gruas është shfaqur më shpesh si objekt sesa si subjekt. Ajo është përdorur si model, si simbol i sakrificës, si ikonë e nënës, motrës apo heroinës por rrallë është dëgjuar zëri i saj si krijuese, apo si një joshje përtej përkushtimit dhe sakrificës. Tabutë që “vishnin” trupin e gruas, kontrolli shoqëror mbi sjelljen dhe rolin e saj, mungesa e formimit në arsim profesional apo në galeritë e ekspozimit, i kanë shtyrë shumë gra drejt heshtjes ose periferisë. Ato pak që arritën të krijonin, shpesh u detyruan të punonin në përputhje me modelet ideologjike të kohës, duke fshehur zërin e tyre të vërtetë. Dhe modelet ideologjike në Shqipërinë komuniste ishin ato të “njeriut të ri”, të burrave dhe grave që punonin njëlloj, tokën, në fabrika, si traktoriste apo si luftëtare. Po si shfaqej gruaja gjatë këtyre pesë dekadave? Kush ishte “gruaja e re \ njeriu i ri” që krijoi diktatura në vendin tonë? Si shfaqej ajo dhe si shfaqet ende në veprat e asaj kohe? Një figurë e re, larg rolit tradicional, por e ndërtuar sipas një modeli ideologjik që mund ta rrëfej përmes pesë cilësive.

  1. Gruaja si heroina punëtore dhe revolucionare  

Propaganda e paraqiste gruan si të barabartë me burrin në ndërtimin e socializmit: punëtore në uzina, bujkë në kooperativa, mësuese, inxhiniere, madje edhe ushtare. Mos harrojmë që kartolina e Shqipërisë është mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar. Mjafton të shohim pikërisht atë vepër, që artistikisht mund t’i rendisim pafund cilësi, por në përmbajtje ofron këtë qasje: gruaja atë kohë duhej të ishte ishte një figurë e fortë, e disiplinuar, e përkushtuar ndaj Partisë dhe Atdheut.

  1. E zhveshur nga sensualiteti, e mbushur me detyrë  

Në artin realist socialist, trupi i gruas nuk paraqitej kurrë si erotik apo i lirë, por si trup pune, trup në shërbim të shoqërisë. Mungesa e individualitetit dhe sensualitetit ishte mënyrë për të kontrolluar dhe neutralizuar çdo formë autonomie personale. Trupi i saj ishte gjithnjë i zhveshur nga sensualiteti, i mbushur me detyrë. Madje ka filma shqiptarë, kur dialogu mes një burri dhe një gruaje në shtpëi është gjithnjë për punën dhe orarin e përcaktuar për familjen, por thuajse asnjëherë për dashurinë.

  1. Emancipim i kontrolluar  

Megjithëse gratë fituan të drejta të rëndësishme (arsimim, punësim, përfaqësim institucional), ky “emancipim” vinte nga lart dhe ishte i kufizuar nga roli ideologjik që regjimi u caktonte. Arti dhe media e kohës i përçuan këto imazhe të ndërtuara: gra të buzëqeshura, me uniformë pune ose me fëmijë në krah, gjithmonë të ndershme dhe të përkushtuara ndaj kolektivitetit, ndaj pasurisë së përbashkët, ndaj mirëqenies së të gjithëve, përtej frigoriferit që e ndanin fqinjet me njëra-tjetrën. 

  1. Nën kontrollin e moralit socialist

Pavarësisht rolit të ri, gruaja duhej të ishte e ndershme, e thjeshtë, e përkushtuar ndaj familjes dhe komunitetit. Sjellja personale, veshja, fjalët, madje edhe krijimtaria artistike, duhej të përputhej me normat e moralit socialist. Në jo pak raste, vajzat që janë në kinematografi bijat e një drejtori shfaqen të përkëdhelura dhe të paragjykuara për veshjet e shtrenjta. Mendoni që aktorja Rajmonda Bulku paragjykohej se kishte një pardesy të kuqe, kur të gjithë e kishin gri. Ndonëse ajo ishte aktore. Një artiste që mund t’i lejohej t’i tregonte pak më shumë ngjyra botës. Por, kjo nuk ishte në moralin socialist, i cili përmes kinematografisë kontrollonte dhe i jepte mesazhe edhe shoqërisë.

  1. Korniza tjetër e shtetit

Gruaja shqiptare në komunizëm u çlirua nga disa barriera, por u vendos në një kornizë tjetër të kontrolluar nga shteti, ku zëri i saj personal shpesh heshte përballë misionit kolektiv. Ajo nuk kishte shumë të drejta që tejkalonin sjelljen e përshtatshme ndaj burrit dhe familjes së tij. Madje të divorcoheshe në një kohë kur burrin ta kishte “rregulluar” partia, ishte një revoltë e kotë. Në periudhën komuniste, gruaja shqiptare u vendos në qendër të një projekti shtetëror për “emancipimin e gruas”, por jo për të afirmuar individualitetin e saj—përkundrazi, për ta modeluar sipas një ideali kolektiv.

Por sot, ky imazh i gruas po ndryshon. Artistet shqiptare po rikthejnë zërin e humbur — dhe po flasin me guxim për trupin, kujtesën, dhunën, identitetin dhe lirinë. Nga piktura te performanca, nga instalacionet në hapësira publike te ndërhyrjet në rrjetet sociale, artistet shqiptare po e sfidojnë më në fund narrativën patriarkale. Ato e përdorin trupin si mjet rrëfimi, si protestë, si politikë, si memorie, si dhimbje dhe si identitet i papërkthyeshëm në gjuhën e pushtetit. Nëpërmjet artit të tyre, ato pyesin: kush jemi, kujt i përkasim dhe kush ka të drejtë të na tregojë?

Artiste si Alketa Xhafa Mripa përdorin performancën për të thyer heshtjen rreth dhunës ndaj grave dhe për të shëruar kolektivisht plagët e historisë, si në veprën “Thinking of You” që bëri jehonë ndërkombëtare. Doruntina Kastrati në instalacionet e saj eksploron jetën e grave punëtore, përplasjet e tyre me sistemin dhe patriarkatin. Gjithashtu, Ilda Pepi dhe Klodiana Zoto janë dy prej artisteve që përmes pikturës dhe performancës shqyrtojnë identitetin e gruas dhe rolin e saj në shoqëri, duke sfiduar normat tradicionale dhe duke risjellë në skenë trupin dhe historinë femërore me një qasje të re dhe shumë më guximtare. Në këtë mënyrë, artet vizuale në Shqipëri po bëhen një hapësirë ku gratë mund të jenë vetvetja, të flasin për përvojat e tyre dhe të kërkojnë një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë.

Në letërsi, shkrimtaret si Rita Petro, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Besa Myftiu dhe Lindita Arapi kanë qenë zëra të rëndësishëm për identitetin dhe lirinë e gruas shqiptare, duke sfiduar tabutë dhe stereotipet me poezitë dhe romanet e tyre. Por, shpeshherë të paragjykuara në rrjetet sociale, apo në platformat publike. Mjafton të kujtojmë zallamahinë dhe histerinë shoqërore, kur Rita Petro fitoi një çmim për vëllimin poetik “Vrima”. Edhe Besa Myftiu, e cila bëri një skenar filmi për abortin, përfaqësonte  një guxim për Shqipërinë që sapo kishte dalë nga diktatura apo që ende jetonte me gjembat e këtij sistemi. Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh se cilat ishin gratë shkrimtare që deri atëherë ishin modele për të kuptuar pse duhej kjo letërsi që po vinte dhe pse ishte e vështirë të shkruaje hapur për këtë tema. Ato gjithsesi lexoheshin, por duhej guxim i madh t’i komentoje në shoqëri. Në lidhje me gratë shkrimtare, albanologu Robert Elsie, ka krijuar një renditje të autoreve të para gra ku, sipas tij, prin Adelina Mamaqi, me veprën poetike “Ëndrra vashërie” (1963), duke vijuar me: Zhuljana Jorganxhi, Natasha Lako, Adelina Bolashi, Elsa Ballauri, Beatriçe Bolliçi, Flora Brovina, Edi Shukriu, për të arritur në vitin 1973 me Helena Kadare dhe romanin “Një lindje e vështirë”, që konsiderohet romani i parë në letërsinë shkruar nga gratë shqiptare. Përballë tyre po krijohej një brez tjetër artistesh. Një paraqitje të zonjave të letërsisë shqipe e gjejmë edhe në librin “Mëngjeset në Kafe Rostand”, që e ka bërë shkrimtari ynë Ismail Kadare, duke filluar me Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Luljeta Leshnaku, Ani Wilms, Besa Myftiu, Lindita Arapi etj., “emrat e të cilave kurrsesi s’mund të jenë shterues”, thotë ai. E sigurisht, ato që e duan lirinë kurrsesi mos qofshin shteruese!

Në kinematografi e teatër ka disa gra e vajza që janë përpjekur të na tregojnë edhe më shumë përtej kornizave të realizmit socialist. Luljeta Hoxha është një regjisore dhe aktore shqiptare e lindur në Tiranë. Pasi mbaroi studimet tek Fakulteti i Arteve Skenike, ajo vendosi si regjisore një vepër të Woody Alen me titull: “I mirë dhe seksi”. Në Kosovë, gratë regjisore e krijuese në këndvështirmin tim janë disi më të guximshmë. Blerta Zeqiri dhe filmi i saj “Martesa” ku trajtohet një trekëndësh dashurie për shumë nga ne është ende një temë e re, e paeksploruar apo e trajtuar sa duhet. Filmi tregon se dashuria kërkon guxim, mirëpo gjetja e lirisë e sidomos për ta shprehur atë mund të jetë e vështirë kur e keni kaluar jetën tuaj duke u fshehur.

Antoneta Kastrati është regjisore e lindur në Kosovë, që aktualisht jeton në Los Angelos. Pasi i mbijetoi luftës së Kosovës në vitin 1999, ajo mori një kamera dhe filloi të bënte filma dokumentarë të shkurtër. Filma që adresonin çështje të diskutuara të shoqërisë së pasluftës. Ajo ka një master në gazetari dhe komunikim dhe ka përfunduar studimet e regjisë në Institutin Amerikan të Filmit në Los Angelos. Filmi i saj i parë me metrazh të gjatë ‘Zana’ u prezantua në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto. Ai ishte edhe propozimi i Kosovës për Oscar 2020, në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj. Filmi “Zana” është një dramë tronditëse dhe emocionuese që rrëfen luftën, betejat, pasigurinë dhe tmerrin e një vajze të re që përpiqet të bëhet nënë, ndërsa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët gjatë kohës së luftës. Dyshimet dhe ballafaqimi me veten, lufta e brendshme për t’u bërë nënë, po ashtu pak është trajtuar përmes kinemasë në Shqipëri.

More Raça është një regjisore e lindur në Kosovë në 1992. Ajo është diplomuar për Regji të Filmit nga Universiteti i Prishtinës dhe aktualisht është regjistruar në Ph.D, studime për kinematografi. Filmi i saj “Home”, bazohet në një ngjarje të vërtetë dhe paraqet konfliktin për çështje trashëgimie në mes të vëllait dhe motrës, në mes të drejtës tradicionale dhe asaj ligjore.

Po a është mjaftueshëm për të zhbërë atë që krijoi për thuajse pesë dekada a ndoshta edhe më shumë përmes atyre që jetuan në një sistem totalitar? A mund ta pikturosh ndryshe njeriun e ri që krijoi diktatura dhe a duhet ta veshim gjithnjë me moral për të qenë brenda gruas si model në familje e shoqëri? A kemi guxuar mjaftueshëm apo vetëm sa i kemi hedhur pak më shumë dritë këto vite të tranzicionit?

Sigurisht që zërat vijojnë të shtohen, herë brenda kufirit e herë jashtë zyrtarisht, po e rëndësishme është që këto vepra të flasin shqip, që gratë të guxojnë, ndonëse sërish do të gjykohen virtualisht edhe nga ata që nuk dalin me portretet e fytyrën e tyre të vërtetë, edhe nga ata që fshihen përtej identitetit të rremë. “Vrima” e Rita Petros, “Zana” e Antoneta Kastratit duhen lexuar, shijuar e shndërruar në pikëpyetje që duhet t’i ketë edhe një zonjë në fshat, por fatkeqësisht libri aty mezi shkon, ndërsa kinemaja thuajse nuk njihet se sa magji ka. Këto forma lejojnë një shprehje më të lirë, më intime dhe më të drejtpërdrejtë, larg konvencioneve tradicionale me të cilat u rrit një brez më parë. Ato e vendosin trupin e femrës si subjekt aktiv dhe jo si objekt pasiv, por nëse veprat nuk rrugëtojnë drejt mendjeve që janë ende të burgosura të një realiteti tjetër, vështirë do ta kemi të dallojmë vulgaren nga liria e vërtetë e mendimit.








© 2025 AWA. Artikulli është realizuar në kuadër të Reporting Diversity Network me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian dhe Smart Balkans