Shkruan: Xhensila Nako, Tiranë
Sipas Censit 2023, rreth 6.5% e popullsisë mbi 5 vjeç në Shqipëri jeton me një aftësi të kufizuar. Megjithatë, ky komunitet shpesh mbetet në harresë nga mediat. Për shumë redaksi, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK) bëhen të dukshëm vetëm më 3 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të PAK, ndërsa çdo ditë tjetër, përditshmëria, puna, pasionet dhe sfidat mbetet jashtë vëmendjes.
Aktivisti Flamur Balaj, i angazhuar për vite me radhë në çështjet e aksesueshmërisë, e quan këtë situatë “braktisje mediatike”.
“Unë kam pasur shumë dalje në media për sa i përket aksesueshmërisë,” thotë ai, “tani nuk ka më interes nga TV kombëtare, madje as nga reporterët lokalë. Nuk duan ta ndjekin më si kauzë.”
Për Balajn, kjo është humbje e dyfishtë pasi jo vetëm që problemet mbeten të pazgjidhura, por edhe zëri i komunitetit nuk arrin të dëgjohet.
“Media e ngecur mes heroit dhe viktimës”
Raportimi mbi PAK shpesh futet në dy korniza të ngushta: ose si heronj që “ia dolën pavarësisht gjithçkaje”, ose si viktima të pafuqishme.
Titujt janë tregues të qartë të kësaj prirjeje. Në një emision të A2CNN përdoret shprehja “Një luftëtar si Tanushi”, një etiketë që, ndonëse tingëllon pozitive, kthen individin në figurë të jashtëzakonshme, në kufijtë e diskriminimit pozitiv. Në një portal tjetër shkruhet: “Gjeniu i verbër 9-vjeçar në Bilisht çudit me talentin e tij”. Fjala “i verbër” vendoset përpara emrit dhe moshës, duke e reduktuar identitetin në mungesën e shikimit. Po ashtu, fjala “çudit” e kthen suksesin në kuriozitet, jo në talent për t’u vlerësuar.
Nga ana tjetër, zgjatimet online të mediave kombëtar si Top Channel publikojnë tituj si: “I ndërpritet kemp-i pas 25 vitesh, gruaja që nuk mund të ecë kërkon ndihmë” ose “Hiqet kemp-i pasi mbush 18 vjeç, familja kujdeset e vetme për personat me spektrin autik”. Këtu përdorimi i diatezës pasive, “i ndërpritet”, “hiqet”, fsheh aktorin institucional. Personi paraqitet vetëm si objekt fatkeqësie, pa emër dhe pa agjenci.
Në të gjitha këto raste, titulli bëhet kornizë emocionale që orienton lexuesin drejt keqardhjes ose entuziazmit, por jo drejt përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Balaj e përmbledh: “Pikë së pari nuk më pëlqen mënyra e të folurit, sepse përdoren terma ofendues si invalidët ose tetraplegjikët… ndërkohë që mund të thuhet thjesht ‘persona me aftësi të kufizuara’”.
Ligji ekziston, por mungon llogaridhënia
Plani Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021–2025 parashikon masa konkrete për akses në shërbime, kujdes shëndetësor dhe punësim. Kuota 5% për përfshirjen në tregun e punës është e shkruar qartë. Por raportet e Avokatit të Popullit tregojnë se zbatimi mbetet i pjesshëm. Shumë punëdhënës vijojnë të mendojnë se PAK nuk janë “të përshtatshëm” për detyra të caktuara, një paragjykim i përhapur që mbyll dyer pune, pavarësisht aftësive reale.
Në këtë pikë, media do të mund të luante rolin më kritik: të monitoronte zbatimin e ligjit, të pyeste kush i zbaton kuotat, kush i shkel, dhe pse. Kjo mungesë e thellimit në raportim mbi temën i mban problemet jashtë axhendës së medias, duke e “zhdukur” këtë komunitet nga emisionet ‘prime-time’ të mbrëmjes apo llogaridhënia direkte.
“Unë shoh që nuk është trajtuar kurrë në emisionin ‘Opinion’ apo ‘Të Paekspozuarit’ një temë ku aktivistët dhe shoqatat e aftësisë të kufizuar të vendosen përballë përfaqësuesve të qeverisë”, thotë Flamur Balaj.
Media nuk është vetëm pasqyrë e realitetit, është edhe krijuese e tij. Nëse personat me aftësi të kufizuara shfaqen vetëm si “luftëtarë” ose vetëm si “të braktisur”, atëherë publiku e mëson të shohë kështu. Por nëse mediat i japin hapësirë zërit të tyre, i shohin si profesionistë, qytetarë dhe kontribues, atëherë fjala kthehet në barazi.
“Mungesa e interesit është braktisje”, thotë Flamuri. Rikthimi fillon me një hap të thjeshtë, t’i flasim një qytetari si qytetar, jo si simbol.
© 2025 AWA. Artikulli është realizuar në kuadër të Reporting Diversity Network.
