Shkruan: Mirilda Tili , Tiranë
Në shtatorin e vitit 2025, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë u ulën 47 gra dhe vajza, rreth një e treta e deputetëve të rinj. Në pamje të parë, ky është një lajm që sugjeron progres në barazinë gjinore. Por pas këtij numri, fshihet një realitet tjetër: një skenë politike që, më shumë se hapje ndaj grave, shërben si platformë e kontrolluar, ku barazia gjinore luhet si pjesë e një skenari të detyruar ligjor, jo si një vlerë e brendshme.
Nuk po themi asgjë të re nga ajo që është konkluduar prej kohësh: gratë në fushata elektorale janë aktore, por rrallë protagoniste. Ligji detyron partitë që 1/3 e listave të përbëhet nga gra e vajza. Në zgjedhjet e fundit, nga 2,150 kandidatë gjithsej, 682 ishin gra. Por shpesh përfshihen vetëm për të shmangur penalitetet ligjore. Një pjesë e madhe vendoset në fund të listave, pa mbështetje reale nga strukturat e partisë, pa burime të barabarta dhe pa mundësi për të zhvilluar një fushatë të dinjitetshme. Në vend që të përfaqësojnë fuqinë e gjysmës së popullsisë, ato shpesh reduktohen në figura simbolike të balancës gjinore. Kjo vërehet si tek partitë tradicionale, ashtu edhe tek ato të reja që supozohet të sillnin energji ndryshe.
“Financimi: Sfidë që favorizon burrat”
Fushatat politike janë bërë gjithnjë e më të kushtueshme dhe fondet janë “filtri i parë i pabarazisë”. Për zgjedhjet e 11 majit 2025, u shpërndanë 150 milionë lekë për partitë parlamentare, një rritje krahasuar me vitin 2021. Por mungesa e transparencës në shpenzimin e fondeve dhe ndarjen e buxhetit midis kandidatëve mbetet problem thelbësor.
Vetëm në rrjetet sociale u shpenzuan mbi 350 mijë dollarë: Partia Demokratike kryeson me rreth 150 mijë USD, e ndjekur nga Partia Socialiste me 60–65 mijë USD dhe Partia Mundësia me mbi 52 mijë USD. Megjithatë, mbështetja e barabartë për gratë kandidate nuk u garantua. Shumë prej tyre mbetën pa zyra elektorale, pa materiale propagandistike dhe shpesh, pa akses në burime bazike.
Një shembull i përfolur ishte ai i kandidates Sara Mila nga Elbasani, e cila u shpall si më e votuara. Një fytyrë e re, e pahasur më pare në hapësirën publike, por e lidhur me biznesin e bashkëshortit, kompaninë Anmetal, nën hetim për tendera publikë. Ky rast ngre pyetje të forta mbi mënyrën si mbështeten disa kandidate dhe mbi qëllimet që fshihen pas tyre.
“Një mjedis jo transparent ku dominojnë presionet dhe gjyqi publik”
Gratë përballen jo vetëm me mungesën e burimeve, por edhe me presion publik e gjykim mbi jetën private, pamjen apo lidhjet familjare. Ato rrallë vlerësohen për platformat politike, duke krijuar një klimë shkurajuese që i largon nga politika para se të kenë një mundësi reale për t’u dëgjuar.
Edhe për ato që arrijnë të fitojnë, sfidat vazhdojnë. Pozicionet drejtuese mbeten të dominuara nga burrat. Partitë e reja, megjithëse shpallen si progresiste, shpesh mbeten të drejtuara nga figura mashkullore, ndërsa gratë përdoren për “balancë”.
Në këtë panoramë, një rol të rëndësishëm luan edhe raportimi i mediave dhe transparenca institucionale. Në përgjigje ndaj interesimit, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) është shprehur se raporti i monitorimit të fushatës është dorëzuar tashmë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). AMA ka theksuar se nuk ka të drejtë ta ndajë me mediat, pasi është KQZ që duhet ta publikojë. Megjithatë, ndonëse muaji shtator po mbyllet, KQZ ende nuk e ka bërë publik raportin. Kjo mungesë transparence vetëm sa shton dyshimet dhe e bën edhe më të vështirë debatin e ndershëm mbi barazinë gjinore dhe financimin e fushatave.
Dhe një detaj i rëndësishëm është pikërisht koha televizive/mediatike që vajzat dhe gratë kandidate marrin në fushatë. Kjo për sa i përket kohës si sasi, sepse si cilësi edhe janë shënuar raste që gratë janë cilësuar apo figura e tyre është denigruar. Rastet disa, mes tyre ai i zonjës Ilda Zhulali, ku sulmi në media ishte për titullin “e bija e babait pa kontribute në parti” dhe nuk merrej në konsideratë kontributi i saj real në Shqipëri për shkak të investimit të saj personal.
Nëse duam demokraci të vërtetë, nuk mjafton të kemi gra në listë. Duhet t’u japim atyre mjete, hapësirë, respekt dhe zë. Sepse pa këtë, nuk kemi përfaqësim. Kemi vetëm fasadë, një teatër pas skenës, ku gratë shfaqen si figurante, por rrallë si udhëheqëse.
Dhe tashmë që ky shkrim i rishikuar në periudhë kohore nuk ndryshon aspak me situatën që fushatë, ku pavarësisht se me numrat 1/3 janë vajza dhe gra, në media janë parë me lupë për ato që kanë veshur dhe sjelljet në “pasarelën hyrëse” të Parlamentit, por jo për çështjet që kanë ngritur në sallën ku kanë hyrë me votat e qytetarëve.
© 2025 AWA. Artikulli është realizuar në kuadër të Reporting Diversity Network.
