Skip to content Skip to footer

Rrjeti i Grave në Media nis zyrtarisht rrugën në kuadër të projektit “Breaking the Moulds – Shaping the Future”

Rrjeti i Grave në Media nis zyrtarisht rrugën në kuadër të projektit

“Breaking the Moulds – Shaping the Future”

Tiranë, 26 qershor 2025 – Në mjediset e Europe House në Tiranë, Rrjet i Grave në Media mbajti aktivitetin e tij të parë në kuadër të projektit “Breaking the Moulds – Shaping the Future”, i cili zbatohet nga organizata Albanian Women in Audiovisual (AWA), në bashkëpunim me SCiDEV dhe me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Rrjeti i Grave në Media është një nismë e rëndësishme e AWA-s që synon të nxisë bashkëpunimin, fuqizimin dhe zhvillimin profesional të grave dhe vajzave në fushën e medias dhe sektorin audiovizual në Shqipëri. Pas përfundimit të fazës së parë, Rrjeti numëron tani rreth 155 anëtare në të gjithë Shqipërinë, me 75% të pjesëmarrëseve që veprojnë në Qarkun e Tiranës.

Një rrjet për bashkëpunim dhe mbështetje të ndërsjellë

Sabina Kodra, Drejtore Ekzekutive e AWA-s, çeli aktivitetin me një fjalim ku ndau rrugëtimin tetëvjeçar të organizatës, e cila lindi nga nevoja për të fuqizuar potencialin e padukshëm të grave në fushën e medias dhe audiovizualit në Shqipëri. Ajo theksoi se Rrjeti i Grave në Media është një organizim joformal që synon të krijojë një hapësirë të qëndrueshme për shkëmbimin e eksperiencave, ndërtimin e kapaciteteve dhe mbështetjen e ndërsjellë mes profesionisteve të sektorit, duke adresuar në mënyrë të strukturuar sfidat me të cilat ato përballen në mjedisin mediatik shqiptar

Valbona Sulçe, eksperte e medias dhe një nga themelueset e Rrjetit , ndau përvojën dhe rrugëtimin e krijimit të rrjetit, i cili nisi së bashku me Irena Myzeqarin dhe një grup gazetaresh të tjera. Ajo theksoi rëndësinë e ndërtimit të një platforme të dedikuar për gratë në media, ku ato të mund të lidhen, bashkëpunojnë dhe të advokojnë për përmirësime cilësore në aspektin gjinor në industrinë mediatike. Znj. Sulçe tha se në fokus të Rrjetit të Grave në Media përfshihen fuqizimi i grave përmes mentorimit, aktiviteteve dhe punëtorive tematike, advokimi për përfaqësim të barabartë dhe lidership, si edhe mbështetja për mirëqenien personale dhe forcimi i solidaritetit ndër-kolegjial.

Sfidat e gazetarisë me ndjeshmëri gjinore 

Blerjana Bino, Drejtore Ekzekutive e SCiDEV, ndau gjetjet kyçe nga studimi mbi gazetarinë me ndjeshmëri gjinore, realizuar në kuadër të projektit ‘Breaking the Moulds, Shaping the Future.’ Ajo vuri në dukje se presioni për klikime, ritmi i shpejtë i lajmeve dhe barrierat strukturore në media përbëjnë pengesa për raportimin e qëndrueshëm dhe të ndjeshëm ndaj gjinisë. 

Znj. Bino gjithashtu theksoi nevojën për politika të brendshme gjinore, ndërtim kapacitetesh përmes trajnimeve dhe mentorimit, rrjete më të forta si dhe një advokim të vazhdueshëm për cështjet gjonore. Ajo gjithashtu nënvizoi se SCiDEV mbetet gjithmonë i hapur për mbështetjen e grave dhe vajzave në media.

Fjolla Spanca, koordinatore projekti pranë AWA-s ndau me të pranishmet gjetjet e sondazhit me anëtare të Rrjetit lidhur me nevojat dhe sfidat që ato kanë në mjedisin e punës, ekuilibrin mes familjes dhe profesionit, si dhe ide për adresimin e tyre. Këto gjetje do të shërbejnë për të ndërtuar programin e fuqizimit të grave dhe vajzave në media për vitin në vijim.

Zëri i përvojave në media

Në diskutimin që pasoi, Alida Tota, gazetare me mbi 20 vite përvojë, ndau reflektime mbi rëndësinë e pasionit në punë dhe mbështetjes ndër-kolegiale. Znj. Tota theksoi nevojën për të punuar ngushtësisht me redaksitë dhe kryeredaktorët, në mënyrë që të krijohen kushte më të mira për vajzat dhe gratë në këtë profesion.

Klodiana Lala, gazetarja e njohur investigative, ndau përvoja nga jeta e saj profesionale dhe personale, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit mes grave në media, përtej sfidave të përditshme që ato përjetojnë. Ndër të tjera, ajo nënvizoi se është thelbësore të mos heshtim kur gratë kërcënohen apo sulmohen. Znj. Lala vuri në dukje mungesën e reagimit të koordinuar nga gratë që janë pjesë e jetës publike ndaj problematikave dhe shqetësimeve të kohës, duke theksuar nevojën për më shumë bashkërendim dhe unifikim të zërave të tyre, në mënyrë që reagimet të jenë më të fuqishme, më të zëshme dhe me ndikim real në shoqëri.

Nga na tjetër, Mirela Milori, gazetare dhe moderatore prej 20 vitesh në ekran, u shpreh se sot duhet të konsiderohen të tejkaluara mentalitetet sipas të cilave gratë luftojnë njëra-tjetrën apo se rivaliteti ndodh “brenda llojit”. Sipas saj, pikërisht nisma si kjo e Rrjetit të Grave në Media përfaqësojnë shembuj domethënës të këtij angazhimi të ri dhe të nevojshëm.

Rafaela Rica, sipërmarrëse e suksesshme në Shqipëri dhe një nga themelueset e AWA-s, u shpreh e entuziazmuar pasi u takua me aq shumë vajza dhe gra të mbledhura për një qëllim të përbashkët. Ajo ndau pjesëza nga rrugëtimi i saj profesional, duke reflektuar gjithashtu mbi mënyrën se si ndryshoi qasja e saj ndaj punës pas lindjes së djalit. Sipas znj. Rica, balancimi ndërmjet jetës familjare dhe asaj profesionale kërkon më shumë hapësirë për menaxhim dhe vëmendje ndaj nevojave specifike që kanë gratë, veçanërisht kur ato bëhen nëna dhe përballen me përgjegjësi të dyfishta.

Mentorimi – Investim në të Ardhmen

Në vijim të aktivitetit, u prezantua Programi i Mentorimit, një komponent thelbësor i projektit, i cili synon të lidhë gazetaret me përvojë me vajza të reja që aspirojnë të ndërtojnë një karrierë të qëndrueshme në media. 

Skuadrat e mentorimit me profesioniste si Esmeralda Keta, Ilda Hoxha, Esiona Konomi, Alida Tota, Doreada Mio, Irena Shabani, Juli Ristani dhe Ina Allkanjari të cilat do të mentorojnë për një periudhë 3 mujore 20 profesioniste të reja të medias nën shmebullin dhe modelin e përvojës së mentorimit të krijuar me Rrjetin në fazën nismëtare. 

Profesionistet e reja u shprehën të entuziazmuara për mundësinë që u është dhënë për të ndërtuar rrugëtimin e tyre profesional krah gazetareve me eksperiencë të pasur në fushën e medias. Për to, mentorimi nga gra që kanë kapërcyer sfida të shumta në këtë profesion përfaqëson jo vetëm një përgatitje të vlefshme, por edhe një zgjerim të vizionit dhe besimit për të ardhmen e tyre në këtë fushë.

Në përmbyllje të aktivitetit, znj. Sabina Kodra ftoi gratë dhe vajzat pjesëmarrëse të ndanin pritshmëritë e tyre mbi atë çfarë presin nga Rrjeti, si dhe të shprehnin angazhimet personale që janë të gatshme të ndërmarrin gjatë tre muajve të ardhshëm.

Gjithashtu, u prezantua kalendari i aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të projektit Breaking the Moulds – Shaping the Future, ku do të përfshihen takime, trajnime dhe nisma të tjera që synojnë forcimin e rolit të grave në media.

Drejtoresha ekzekutive e AWA-së znj. Sabina Kodra ndau me pjesëmarrëset detaje mbi “Reimagining Media: Gjinia, Perspektiva & Teknologjia” një bootcamp 3-ditor për media innovative, i cili pritet të mbahet në datat 26-28 shtator 2025 dhe ku rrëfimi gjithëpërfshirës takohet me inovacionin e një brez i ri krijuesesh fuqizohet për ta formësuar të ardhmen e medias. 

Lancimi i Rrjetit të Grave në Media shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një peizazhi mediatik më të barabartë, gjithëpërfshirës dhe të ndjeshëm ndaj çështjeve gjinore në Shqipëri.