Skip to content Skip to footer

Përjashtimi i gazetarëve nga konferenca për shtyp

Përjashtimi i gazetarëve nga konferenca për shtyp: një precedent shqetësues për lirinë e medias

Sot, gjatë një konference për shtyp, Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar përgjithmonë gazetaren Ambrozia Meta nga konferencat për shtyp që ai zhvillon në institucionin e Kryeministrisë, pasi ajo i drejtoi një pyetje në lidhje me rastin e Belinda Ballukut. Ish-zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, ndodhet aktualisht në qendër të një hetimi nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dyshime për përfshirje në afera korruptive me fonde publike. SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit parlamentar të saj për të hapur rrugën e arrestimit, por Parlamenti e refuzoi këtë kërkesë.

Gjatë konferencës, Kryeministri Rama u përfshi në një replikë me gazetaren e Syri TV, Ambrozia Meta, por refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së saj në lidhje me rastin Balluku. Ai u përqendrua në pjesën e parë të pyetjes, ku gazetarja Meta ngriti shqetësimin për standardet e dyfishta në trajtimin e qytetarëve, duke theksuar se njerëzit e zakonshëm që nuk paguajnë energjinë elektrike mund të përballen me pasoja penale, ndërsa zyrtarët e lartë politikë duket se trajtohen ndryshe.

Replika mes dy palëve vijoi për disa minuta, deri në momentin kur Kryeministri ndërpreu konferencën për një periudhë të shkurtër dhe gazetarja Ambrozia Meta u nxor jashtë nga mjediset e sallës, ndërsa më pas u njoftua se ajo ishte përjashtuar përgjithmonë nga konferencat për shtyp të Kryeministrisë.

Në të njëjtën konferencë, edhe gazetari Isa Myzyraj raportoi se ishte ofenduar verbalisht nga Kryeministri. Pas sjelljes së tij ndaj Metës, Myzyraj vendosi të largohej nga konferenca në shenjë proteste. Sipas dëshmisë së vetë gazetarit, ai u përball me ofendime verbale nga Kryeministri dhe më pas u nxor gjithashtu jashtë nga ambientet e konferencës.

Për të dyja rastet ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), i cili i ka konsideruar këto sjellje të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet demokratike të komunikimit institucional me median. AGSH ka dënuar si sulmin verbal ndaj gazetarëve, ashtu edhe përjashtimin e tyre nga konferenca për shtyp, duke theksuar se këto veprime cenojnë parimet e respektit institucional dhe lirinë e medias.

Sipas deklaratës së Asociacionit, këto zhvillime përbëjnë një precedent shqetësues për kufizimin e aksesit të gazetarëve në informacion publik dhe përjashtimin selektiv të mediave nga aktivitetet institucionale. Një praktikë e tillë rrezikon të krijojë një klimë presioni ndaj gazetarëve, ku pyetjet kritike mund të ndëshkohen me përjashtim nga aktivitetet publike të institucioneve shtetërore.

Në një demokraci funksionale, konferencat për shtyp të institucioneve publike duhet të jenë hapësira ku gazetarët mund të parashtrojnë pyetje kritike në emër të interesit publik. Përjashtimi i gazetarëve për shkak të pyetjeve të tyre jo vetëm që cenon të drejtën e medias për të ushtruar rolin e saj mbikëqyrës, por dëmton edhe transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve ndaj qytetarëve.

Po aq shqetësuese është edhe përdorimi i gjuhës fyese dhe sulmeve personale ndaj gazetarëve nga ana e një zyrtari të lartë publik. Në rastin konkret, sipas dëshmisë së gazetarit Isa Myzyraj, ai është ofenduar personalisht nga Kryeministri gjatë konferencës për shtyp. Sjellje të tilla krijojnë një klimë armiqësore ndaj mediave dhe kontribuojnë në delegjitimimin e rolit të gazetarëve në sytë e publikut.

Kur gazetarët përballen me sulme personale apo ofendime nga drejtuesit më të lartë të institucioneve shtetërore, kjo jo vetëm që cenon dinjitetin profesional të tyre, por edhe rrit presionin mbi median për të shmangur pyetjet kritike. Një klimë e tillë mund të prodhojë vetëcensurë dhe të kufizojë hapësirën për gazetari të pavarur dhe hetuese.

Standardet demokratike kërkojnë që zyrtarët publikë të ruajnë respektin institucional ndaj medias, pavarësisht natyrës kritike të pyetjeve që u drejtohen. Sulmet personale, përjashtimi i gazetarëve dhe kufizimi i aksesit në aktivitetet publike të institucioneve krijojnë një precedent të rrezikshëm për lirinë e medias dhe për të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.