Skip to content Skip to footer

Një e treta e Kuvendit, por jo e pushtetit — Erikleda Dorezi

Një e treta e Kuvendit, por jo e pushtetit

Gratë dhe sfidat e përfaqësimit real në politikën shqiptare

 

Në shtator 2025, legjislatura e re e Kuvendit të Shqipërisë do të nisë punën. Si rezultat i zgjedhjeve të 11 majit, vetëm 50 nga 140 ulëset e Parlamentit do t’u përkasin grave. Kjo shënon një rritje prej pesë mandatesh krahasuar me vitin 2021, kur në Kuvend u mandatuan 45 gra.

Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, Partia Socialiste kryeson me numrin më të madh të grave në grupin parlamentar, një prirje që lidhet edhe me mazhorancën e saj prej 83 mandatesh. Krahasuar me vitin 2021, ku PS kishte 26 deputete gra, në legjislaturën e vitit 2025 ky numër është rritur në 35. Kjo rritje prej 9 mandatesh përfaqëson pikërisht diferencën në numrin total të grave të mandatuara nga kjo parti mes dy zgjedhjeve, pavarësisht ndryshimeve në përbërjet individuale të grupeve parlamentare.

Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” mandatoi 13 gra, Partia Socialdemokrate dy, ndërsa zyrtarisht një grua është mandatuar edhe nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” me pak gjasa për ta mbajtur mandatin, pasi drejtuesit e koalicionit janë zotuar publikisht, se anëtarët e listës së mbyllur do të dorëhiqen.

Shifrat tregojnë se gratë zënë rreth një të tretën e vendeve në Kuvendin me 140 anëtarë. Shumica prej tyre janë mandatuar përmes listave të mbyllura, ndërsa listat e hapura, një mekanizëm që synon të forcojë lidhjen e drejtpërdrejtë mes votuesit dhe kandidatit, prodhuan pak përfaqësim për gratë.

Nga lista e hapur e Partisë Demokratike, vetëm Jorida Tabaku arriti të sigurojë një mandat, me 18,850 vota. Tabaku është ndër të paktat figura që ka qenë më parë pjesë e legjislaturës. Për gratë e reja në politikë, sfidat mbeten të mëdha – në veçanti për ato që vijnë nga zonat rurale dhe nuk kanë sponsorë politikë apo burime financiare për të mbështetur një fushatë të plotë.

Fatmira Kola, kandidate e PD-së për qarkun e Beratit, thekson se lista e hapur i ekspozon kandidatët drejtpërdrejt tek votuesit, por mungesa e financimit e bën sfidën të pabarabartë.

“Financimi i fushatës është një ndër sfidat më të mëdha për kandidatët e listave të hapura, veçanërisht për gratë. Shumë pak fonde vijnë nga subjektet politike, dhe pjesa më e madhe e fushatës mbështetet nga miq, komuniteti dhe vetëbesimi,” – thotë Kola.

Ajo e përshkruan fushatën si një “shkollë jete”, ku çdo takim me qytetarët është një provë përballjeje dhe qëndrueshmërie në vlerat personale.

“Në çdo sy që të shikon me besim, ndien një thirrje për të mos u dorëzuar,” – shton ajo.

Promovimi në media mbetet gjithashtu i kufizuar për gratë kandidate, për shkak të kostove të larta që lidhen me ekspozimin mediatik, i cili shpesh trajtohet si reklamë politike e paguar. Për kandidatet nga zonat rurale, kjo përkthehet në mungesë vizibiliteti dhe pamundësi për të ndërtuar një profil publik konkurrues.

Sipas Zylyftar Bregut, pedagog në Departamentin e Gazetarisë, Kodi Zgjedhor dhe mënyra e zbatimit të tij luajnë një rol vendimtar në përjashtimin faktik të grave nga garat politike.

“Në rastin pozitiv, listat e mbyllura mund të përdoren për të favorizuar gratë, sidomos ato që vijnë nga zonat rurale dhe që nuk kanë as sponsor politik e as ekonomik. Në rastin negativ, kur gratë vendosen në pjesën e hapur të listës – vetëm për të qenë formalisht në përputhje me ligjin – atyre u pamundësohet hyrja në Kuvend,” – vëren Bregu.

Ai thekson se kjo nuk është një çështje që prek vetëm gratë. Edhe burrat që vijnë nga zonat rurale e kanë të vështirë të përfaqësohen, duke qenë se pjesa më e madhe e deputetëve janë banorë të Tiranës që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me komunitetet që përfaqësojnë.

“Rreth 70% e deputetëve janë banorë të Tiranës dhe përfaqësojnë rrethet. Për gratë, kjo vështirësi është edhe më e madhe, por nuk është ekskluzivisht një problem gjinor,” – shton ai.

Zegjine Çaushi, kandidate nga lista e hapur e PS në qarkun e Fierit, është ndër të paktat raste kur kombinimi i mbështetjes politike dhe promovimit mediatik ndihmoi në sigurimin e një rezultati të lartë. Mbështetur nga drejtuesja politike e qarkut dhe aktive në rrjetet sociale, Çaushi përdori një stil komunikimi ironik dhe satirik për të rritur dukshmërinë publike. Ajo humbi mandatin pas rinumërimit të kutive me vetëm 10 vota diferencë nga një tjetër kandidate e PS, por rivalja e saj u shpreh se do të tërhiqej, duke ia rikthyer mandatin Çaushit.

Financimi dhe ndarja gjinore e buxhetit

Buxheti total i shpërndarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për subjektet politike në zgjedhjet e 11 majit nuk parashikon ndarje gjinore. Por për shkak të përbërjes së listave ku dominojnë burrat, fondet për gratë kandidate rezultojnë dukshëm më të ulëta.

Në rastin e Partisë Socialiste, nga 179 kandidatë gjithsej, 68 ishin gra. Buxheti i partisë u nda në mënyrë të barabartë për të gjithë kandidatët, por për shkak të numrit më të madh të burrave, pjesa më e madhe e fondit shkoi për ta.

Për Partinë Demokratike, me gjithsej 186 kandidatë – nga të cilët vetëm 50 gra – ndarja rezulton edhe më disproporcionale. Nga rreth 45 milionë lekë që mori PD-ja, gratë kanë përfituar vetëm 12 milionë në total, ose 2.4 milionë lekë për secilën kandidate. Kjo do të thotë se 73% e buxhetit të PD-së ka shkuar për kandidatët burra.

Edhe preferencat e votuesve reflektojnë një pabarazi të ngjashme. Nga gjithsej 1,235,151 vota parapëlqyese të dhëna për kandidatët, 909,085 (ose 73.6%) i takojnë burrave dhe vetëm 326,066 (ose 26.4%) grave. Kjo përqindje tregon jo vetëm një hendek të dukshëm në përfaqësim, por edhe në perceptimin publik dhe mbështetjen elektorale të grave kandidate.

 

Viti 

Nr. Total i Kandidatëve

Kandidate gra

Gra të mandatuara

2021

1841

732

45

2025

2046

787

50

Tabela 1: Numri i grave kandidate dhe mandateve të fituara nga gratë në zgjedhjet e 2021 dhe 2025

Ndërkohë, pjesëmarrja e grave në politikë vijon të mbetet e kufizuar, pavarësisht rritjes së lehtë në numër. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, nga 2046 kandidatë gjithsej, 787 ishin gra, por vetëm 50 arritën të mandatohen në Kuvend. Kjo shifër, edhe pse më e lartë se ajo e vitit 2021, tregon se ndryshimi është më shumë numerik sesa thelbësor. Në mungesë të reformave strukturore që garantojnë përfshirje reale, përfaqësimi gjinor mbetet ende i varur nga vullneti politik dhe konjukturat elektorale. Për shumë gra, veçanërisht ato që vijnë nga zonat rurale apo nuk mbështeten nga struktura të fuqishme partiake, rruga drejt përfaqësimit institucional vijon të jetë një sfidë e pabarabartë.