Entenela Ndrevataj
Kryeministri Edi Rama ka vënë në shënjestër gazetarin Blendi Fevziu, drejtues i një prej emisioneve politike më të ndjekura në Shqipëri, “Opinion”, përmes një sërë postimesh në rrjetet sociale, duke përdorur imazhe të krijuara nga inteligjenca artificiale (IA), të njohura si “deepfake”, të shoqëruara me gjuhë denigruese dhe delegjitimese ndaj tij dhe medias në përgjithësi.
Deepfake njihet si përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale për prodhimin e videove, fotografive apo audios që duken si të vërteta. Këto teknologji mund të përdoren për qëllime të ndryshme, si: argëtimi, humori, krijimtaria artistike apo reklamat. Megjithatë, krahas këtyre përdorimeve, fabrikimi i përmbajtjeve të rreme vizuale apo audio mund të shërbejë edhe për prodhimin e përmbajtjeve të dëmshme, si: dezinformimi, propaganda politike, mashtrimi dhe, në raste ekstreme, pornografia abuzuese.
Sulmet e Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarit Blendi Fevziu erdhën pas deklaratave të këtij të në emisionin “Opinion” të datës 8 janar, gjatë një debati mbi situatën emergjente të përmbytjeve në disa qytete të Shqipërisë. Fevziu kritikoi mungesën e llogaridhënies së funksionarëve publikë ndaj gazetarëve, duke theksuar se ata shmangin pothuajse tërësisht daljet në konferenca për shtyp dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me median.
Sipas gazetarit Blendi Fevziu, institucionet operojnë përmes videove të parapërgatitura dhe të regjistruara, të paraqitura si dalje “live”, të njohura ndryshe si “kaseta”, të cilat më pas u shpërndahen mediave të gatshme për ripublikim. Fevziu deklaroi se kishte fakte për të paktën shtatë ministra që përdornin këtë metodë, duke e cilësuar këtë sjellje si arrogante dhe përçmuese ndaj qytetarëve.
Në vend që reagimi institucional të përqendrohej në sqarimin e pretendimeve ose në paraqitjen e fakteve kundërshtuese, Kryeministri reagoi përmes rrjeteve sociale ku gjeneroi fotografi përmes “deepfake” të gazetarit Blendi Fevziu në vende të ndryshme dhe u mor me jetën personale të këtij të fundit, duke e quajtur “influencer me kalendar të ngjeshur”, i cili prodhon “shpifje dhe gënjeshtra”.
Përdorimi i deepfake nga Kryeministri Edi Rama, paketuar si “satirë politike”, shënon një precedent të rrezikshëm, duke marrë parasysh balancat e pushtetit dhe ndikimin që figura e tij ka në shoqëri. Normalizimi i përdorimit të imazheve dhe publikimi i tyre në hapësira me mijëra ndjekës krijon një incident të rrezikshëm, pasi lehtëson dhe nxit përdorimin e imazheve të pavërteta pa miratim dhe e kthen atë në një aktivitet rutinë.
Gjithashtu, përdorimi i deepfake kundrejt gazetarëve kritikë e largon vëmendjen nga fokusi kryesor, ai i llogaridhënies ndaj çështjeve me rëndësi publike, dhe shpërqendron diskutimin duke e orientuar atë drejt diskurseve të personalizuara, në vend të asaj që ka realisht rëndësi. Në rastin konkret, imazhet deepfake përqeshin, infantilizojnë dhe minimizojnë rolin e gazetarit, duke minuar kështu llogaridhënien.
Deepfake dhe gjuhë përçmuese ndaj medias: Një paketë e plotë
Krahas gjenerimit të imazheve me deepfake, Kryeministri Rama shënjestroi në mënyrë të vazhdueshme median, ku ai përdor një sërë metaforash përçmuese për të përshkruar emisionin “Opinion” dhe hapësirën mediatike në tërësi. Studioja e emisionit etiketohet si “tenxhere e potershme që duhet të bubullojë përnatë” apo si “salon mediatik i qimeve të opozitës”. Këto shprehje nuk janë thjesht figura stilistike, por mjete retorike që synojnë të banalizojnë rolin e medias, duke e paraqitur atë si një hapësirë dezinformimi, potere dhe kaosi.
Përmes kësaj gjuhe, gazetaria kritike portretizohet jo si një mekanizëm llogaridhënieje, por si një spektakël i ulët, i motivuar nga interesa personale dhe politike. Ky diskurs kontribuon në minimin e besimit të publikut te media dhe ndihmon në ndërtimin e një narrative ku pyetja kritike trajtohet si problem, e jo si pjesë thelbësore e detyrës së tyre si funksionarë publikë.
Kjo njihet ndryshe edhe si “teoria e scapegoating”, që ka si synim të zhvendosë përgjegjësinë dhe fajin tek një individ apo grupimi tjetër, kryesisht vulnerabël, në vend se të përballen me përgjegjësinë apo dështimet.
Megjithatë, gjuha problematike e Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarëve nuk është rast përjashtimor, por një gjendje e përsëritur. Së fundmi, gazetarja investigative Klodiana Lala u ndesh me një reagim të ngjashëm pasi kritikoi mungesën e menaxhimit të mbetjeve si një rrjedhojë politike, duke vënë theksin te mungesa e inceneratorëve, të cilët kanë rezultuar në skema korruptive, dhe jo te sjellja qytetare.
Kryeministri Rama iu kundërpërgjigj gazetares Lala me një reagim tjetër në rrjetin social X, duke e cilësuar komentin si “injorancë të ububushme”. Në vazhdën e delegjitimimit të gazetarëve dhe të ushtrimit të detyrës së tyre, ai i ndau këta të fundit në dy kategori: ata që nuk gënjejnë dhe nuk dezinformojnë, të cilët sipas tij janë të paktë, dhe një grup i dytë që dezinformon dhe shpif e që po shtohet “njësoj si plastika”, duke nënkuptuar se gazetarja Klodiana Lala i përkiste këtij grupi.
Vitin e shkuar, ai u zgjodh “Troll of the year” nga organizata Reporting Diversity Network që merret me raportimin e rasteve të gjuhës së urrejtjes. Ky titull u jepet individëve, grupeve apo mediave në rajonin e Ballkanit Perëndimor që shpërndajnë gjuhë urrejtjeje në bazë të gjinisë, etnisë apo kategorive të tjera sociale. Kryeministri Edi Rama u shpall “Troll of the year” për gjuhën e urrejtjes që përdori ndaj deputetit të opozitës Gazmend Bardhi pasi ai ngriti sërish shqetësimin e korrupsionit në rastin e inceneratorëve.
Përdorimi i teknologjisë dhe korrupsioni: shqetësime që shkojnë përtej
Integrimi i IA në sferën politike nuk është një risi për Shqipërinë, pasi, për herë të parë, vendi ka një Ministre Shteti për Inteligjencën Artificiale, e dizenjuar për t’u marrë, krahas digjitalizimit të shërbimeve, me prokurimin publik dhe me nënshkrimin e kontratave me kompanitë private. Në deklarata të ndryshme publike, vetë Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar Ministren e AI, Diella, si një mekanizëm që do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit dhe në lehtësimin e procesit të digjitalizimit.
Megjithatë, ndonëse mungojnë informacione të detajuara mbi mënyrën se si Diella do të funksionojë dhe se si ky mekanizëm pritet të kontribuojë konkretisht në luftën kundër korrupsionit, ajo çfarë dihet është se Presidenti i Republikës, pasi dekretoi Edi Ramën si Kryeministër të Shqipërisë, i delegoi atij edhe ushtrimin e përgjegjësisë për “ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale ‘Diella’”.
Luftimi i korrupsionit mbetet një nga sfidat kryesore të Shqipërisë. Të dhënat e organizatave ndërkombëtare që merren me gjurmimin e korrupsionit në botë, si Transparency International, e rendisin Shqipërinë me 42 pikë nga 100, një nga rezultatet më të ulëta në Evropë. Korrupsioni mbetet veçanërisht i përhapur në fushën e prokurimeve publike, i konsideruar gjerësisht si sektori më i korruptuar i administratës publike.
Nga ana tjetër, Freedom House e klasifikon Shqipërinë si një “regjim tranzicional/hibrid”, me një vlerësim prej 68 pikësh nga 100, çka pasqyron dobësi të vazhdueshme në institucionet demokratike dhe mekanizmat e llogaridhënies.
Të gjendur përpara situatës së keqpërdorimit të inteligjencës artificiale dhe të dhënave shqetësuese mbi korrupsionin, integrimi i Diellës nuk duket se premton se do t’i japë zgjidhje problemeve strukturore të transparencës dhe llogaridhënies, për sa kohë mungojnë garancitë ligjore, mekanizmat e pavarur të mbikëqyrjes dhe qartësia mbi mënyrën se si ky instrument do të funksionojë në praktikë.
