Skip to content Skip to footer

Gratë, shënjestra në rrjet: anatomia e një linçimi digjital

Gratë, shënjestra në rrjet: anatomia e një linçimi digjital

Isa Myzyraj

Më 7 nëntor, deputetja socialiste Iris Luarasi doli në një konferencë për media, ku sqaroi se përse projektligji për “Barazinë Gjinore”, i miratuar në Parlament vetëm me votat e socialistëve, nuk është në fakt një projektligj që “shkatërron familjen” dhe “krijon gjini të reja”.
Në orën 12:48 minuta, zonja Luarasi publikon në faqen e saj në Facebook deklaratën për shtyp që e kishte lexuar pak minuta më herët në sallën e konferencave të Kuvendit të Shqipërisë dhe, në hyrje të deklaratës, ajo tha: “Ligji njeh vetëm 2 gjini. Ligji për Barazinë Gjinore i miratuar dje nga Parlamenti Shqiptar synon të transformojë në realitet parimin kushtetues të barazisë mes grave dhe burrave në çdo fushë të jetës.”

Në rrjetin social Facebook, Luarasi kishte deri më datën 22 nëntor 173 komente, dukshëm shumëfish më shumë sesa çdo postim tjetër i saj. Ajo merr zakonisht një numër të ulët komentesh në rrjetet sociale, por këtë herë gjithçka duket se “kishte dalë jashtë kontrollit”.
Nga një analizë e hollësishme e komenteve të zonjës Luarasi, rreth 60% e tyre janë denigruese deri në ofenduese.

Përmbajtja kryesore e komenteve negative në postimin e deputetes socialiste, një ish-aktiviste për mbrojtjen e grave dhe vajzave, përmban kryesisht nota seksizmi, mizogjenie, homofobie, sulme personale dhe gjuhë urrejtjeje.

Por përpara se ligji të miratohej në Kuvend dhe “shënjestër” të bëheshin deputetët, lufta më e madhe ishte kundër aktivistëve të shoqërisë civile që e kishin mbrojtur projektligjin. Në emisionin “Off the Record” në A2CNN, më 28 tetor 2025, Mirela Arqimandriti nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, u përball me një gjuhë që u konsiderua mizogjene dhe seksiste nga organizatat e shoqërisë civile.

“Zonja Arqimandriti, ia kam thënë edhe në emisionin tjetër, nëse do silleni në studio si burrë, do t’ju trajtoj si burrë”, – tha në emision pastori Akil Pano, një ndër zërat kryesore kundër ligjit “Për Barazinë Gjinore” , drejtuar aktivistes Arqimandriti.

Në të njëjtin program, gjuha u përshkallëzua edhe më tej nga Robert Aliaj, i cili e quajti Arqimandritin “histerike”, “figurë neveritëse”, “figurë e shëmtuar” dhe përdori etiketime të tjera.

Zhvendosja e sulmeve nga salla e parlamentit në platformat sociale ka bërë që gjuha e urrejtjes ndaj grave të bëhet e dukshme dhe e normalizuar, ndërsa platforma të thjeshta si Facebook, Instagram e TikTok shndërrohen në vende linçimi publik.

Gazetaret dhe ekspertet: Sulmet janë më të egra ndaj grave

Gazetarja Esiona Konomi thotë se kur gratë futen në terrene të nxehta politike apo denoncojnë korrupsionin, reagimi nuk është thjesht kritikë ndaj punës së tyre, por një valë e tërë fyerjesh që synojnë ta shkatërrojnë personin.

“Sa më shumë rritet përfshirja e grave dhe vajzave në çështje me ndjeshmëri të lartë publike, aq më e fortë është fushata agresive ndaj tyre”, – shpjegon ajo, duke kujtuar se veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, pjesëmarrja në panele televizive përballë politikanëve e ka vënë përballë gjuhës së ashpër në studio dhe komenteve mizogjene online.

Konomi tregon se është bërë edhe shënjestër e një fushate të mirëorganizuar denigrimi:
“Jam përballur me një fushatë denigruese dhe fyese të organizuar nga një politike, si hakmarrje ndaj punës sime si gazetare, teksa denoncoja një aspekt të punës së saj në qeverisje”, thotë ajo. “Personalisht i kam kaluar me sportivitet, pa u viktimizuar, dhe duke i konsideruar një fletë lavdërimi për denoncimet e mia”, – por pranon se familja ka ndjerë presion të madh dhe shqetësim real nga këto fushata.

Në vlerësimin e saj, sulmet ndaj grave gazetare janë dukshëm më të dhunshme se ndaj kolegëve burra. 

“Padyshim që sulmet ndaj grave dhe vajzave janë shumëfish më të forta krahasuar me kolegët burra. Gjuha e pamëshirshme merr konotacion seksist, që nis nga komenti i pamjes fizike, deri te veshjet, dhe një skanim i jetës intime. Këto fenomene janë më të kufizuara për burrat”, nënvizon ajo.

Për Konomin, përgjegjësia e mediave është po aq e madhe sa edhe e autorëve të komenteve.
“Mendoj që një përgjegjësi e madhe bie ndër to, sepse së pari ato i portretizojnë vajzat dhe gratë në tërësi si objekte, më shumë sesa si subjekte. Nga ana tjetër nuk kontrollojnë komentet online në platformat e tyre për të fshirë apo penguar komentet me përmbajtje fyese, dhe nuk mbajnë qëndrim kritik ndaj aktorëve që përdorin gjuhë fyese apo mizogjene”, – thotë ajo.

Pikërisht mungesa e moderimit bën që shumë gra të hyjnë në “spiralën e heshtjes”. “Disa vajza dhe gra, të vëna në qendër të sulmeve, dhe të ngelura thuajse të vetme përballë agresorëve, preferojnë tërheqje, në vend të përballjes.”

Ekspertja e medias Blerjana Bino, nga SafeJournalists Network dhe SCiDEV, e përkufizon gjuhën e urrejtjes ndaj grave si ndërthurje të seksizmit dhe poshtërimit personal. “Nga monitorimet që kemi bërë, shohim qartë që gratë në jetën publike sulmohen me një gjuhë tërësisht të ndërtuar mbi seksualizim dhe poshtërim personal”, thotë ajo. Gazetaret që raportojnë për korrupsion, shton Bino, shpesh etiketohen si “e përdorur”, “e sponsorizuar” ose “ka ardhur aty duke fjetur me dikë”, ndërsa aktivistet feministe shpallen “të çmendura”, “shkatërruese të familjes” apo përqeshen për pamjen dhe jetën personale.

Ndryshe nga kjo, burrat sulmohen kryesisht për qëndrimet apo karrierën: “Kur targetohen burrat, sulmet janë kryesisht politike ose profesionale, i quajnë ‘të blerë’, ‘të paaftë’, ‘të korruptuar’, por gjinia e tyre nuk përdoret kurrë si instrument poshtërimi. Askush nuk i sulmon për pamjen, për marrëdhëniet intime apo për rolin e tyre familjar”, sqaron Bino. Prandaj, sipas saj, “gjuha e urrejtjes ndaj grave është më e thellë, më e dhunshme dhe synon ta godasë identitetin e tyre, jo qëndrimet e tyre”, çka e bën shumë më penguese për pjesëmarrjen e grave në hapësirën publike.

Sipas saj, rrjetet sociale e shumëfishojnë këtë dhunë: “Platformat sociale luajnë një rol të madh në amplifikimin e përmbajtjeve mizogjene, sepse algoritmet shpërndajnë më shumë atë që gjeneron reagime të forta emocionale: zemërim, turpërim, sensacionalizëm. Një video ku sulmohet një grua gazetare ose aktiviste qarkullon dhjetëra herë më shumë se një analizë serioze”, shpjegon Bino. 

Çfarë thonë të dhënat?

Raporti rajonal i UN Women mbi dhunën e lehtësuar nga teknologjia në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore përfshiu 13 vende dhe rreth 1 000 pjesëmarrëse nga Shqipëria. Gjetjet zbuluan se 41,1 % e grave shqiptare të pranishme online kanë përjetuar një formë dhune digjitale, një nivel më i ulët se mesatarja rajonale prej 53,2 %. Sipas raportit, gratë shqiptare përballen më shpesh me sulme në Instagram sesa në Facebook; rreth 23 % raportojnë pasoja psikologjike dhe 45 % ndihen të pasigurta. Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Stambollit dhe është palë në konventat kundër krimeve kibernetike, por legjislacioni i brendshëm nuk përcakton qartë sanksione për dhunën digjitale dhe të dhënat zyrtare janë të pakta.

Në të njëtin përfundim ka dale edhe Albanian Woman in Audiovisual (AWA). Raporti i vitit 2025 i AWA-s shqyrtoi 96 raste të gjuhës së urrejtjes në media dhe rrjete sociale dhe zbuloi se 40% e incidenteve kishin për objektiv gratë. Ai kritikoi gazetarët dhe figurat publike për reduktimin e grave në “objekte lajmi”, përdorimin e titujve tabloid dhe identifikimin e vajzave të mitura. Shembujt variojnë nga identifikimi i vajzave të trafikuara si “prostituta” deri te krahasimi i politikanëve gra me kafshë.

Raporti i përbashkët i GADC dhe WFD për zgjedhjet e vitit 2025 konstatoi se dhuna ndaj grave në politikë është e përhapur dhe shfaqet si komente fyese, sulme të koordinuara në internet, doxing dhe meme seksiste. Autorët theksojnë se reagimi institucional është i dobët dhe kërkojnë njohjen ligjore të dhunës digjitale ndaj grave, ngritjen e mekanizmave të raportimit dhe sanksionimin e autorëve. Raporti paralajmëron se forma të reja abuzimi, përfshirë përmbajtje të manipuluar nga inteligjenca artificiale, po përdoren për të diskredituar gratë dhe se kjo rrit domosdoshmërinë e një kuadri ligjor të qartë.

Nga ana tjetër, studimi “Mapping Gendered Disinformation in the Western Balkans: Albania” i Reporting Diversity Network evidentoi se rastet e dezinformimit me përmbajtje gjinore u rritën nga gjashtë në vitin 2020 në 15 në vitin 2023 dhe mbetën të larta në vitet pasuese. Në shumicën e rasteve, përmbajtja kombinon narrativa mbi shëndetin riprodhues me tituj sensacionalistë që ndërthurin fakte dhe gënjeshtra.

Raporti sjell shembuj të kësaj prirjeje: një video e politikanes Majlinda Bregu u manipulua dhe foto private të deputetes Grida Duma u publikuan me titull sensacionalist. Fushata të tilla synojnë të lënë të kuptohet se suksesi i grave varet nga lidhjet e tyre intime, duke çmitizuar arritjet dhe duke penguar pjesëmarrjen e të rejave. Disinformacioni merr forma të gënjeshtrave të sajuara, titujve jashtë kontekstit dhe narrativave të manipuluara që shfrytëzojnë seksualizimin dhe stereotipet, duke paraqitur gratë si kërcënim për familjen tradicionale, ndërsa sukseset e burrave mbeten të pacenuara. Në një klimë ku liria e medias është e brishtë – Shqipëria renditet në vendin e 80-të nga Reporterët pa Kufij – disinformacioni dhe gjuha e urrejtjes lulëzojnë.

Pse urrejtja lulëzon?

Një analizë e SCiDEV (tetor 2025), ku Blerjana Bino është ndër autoret kryesore, e sheh gjuhën e urrejtjes si simptomë të lodhjes demokratike dhe pabarazive strukturore. Sipas saj, urrejtja ushqehet nga frustrimi shoqëror dhe përdoret nga politikanët për të dominuar vëmendjen, ndërsa teknologjia dhe inteligjenca artificiale amplifikojnë polarizimin. Ajo thekson se mekanizmat institucionalë ekzistojnë, por “nuk janë as të fortë, as të shpejtë, as të detyrueshëm për të frenuar mizogjininë online”: AMA ka kompetenca të kufizuara ndaj mediave online, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk njihet gjerësisht nga gratë, ndërsa vetë platformat “nuk ofrojnë moderim cilësor në gjuhën shqipe”.

Bino është kritike edhe ndaj vetë sistemit mediatik: “Mediat shqiptare nuk po bëjnë mjaftueshëm për të frenuar normalizimin e misogjinisë. Panorama vazhdon të dominohet nga sensacionalizmi, titujt seksualizues dhe një kulturë komentimi ku dhuna verbale ndaj grave tolerohet ose edhe inkurajohet”, thotë ajo, duke përmendur mungesën e protokolleve të brendshme, numrin e ulët të grave në pozicione vendimmarrëse dhe mosndëshkueshmërinë kulturore për drejtues emisionesh apo analistë që përdorin gjuhë mizogjene.

Mbi të gjitha, Bino paralajmëron për çmimin demokratik të kësaj dhune: “Gjuha e urrejtjes ka një ndikim shumë më të thellë sesa një fyerje apo një koment agresiv në rrjet. Ajo krijon një presion të vazhdueshëm psikologjik… Po, rrezikojmë seriozisht një autocensurë kolektive”, thotë ajo, duke theksuar se shumë gra të reja hezitojnë të ekspozohen, ndërsa disa gra me përvojë janë tërhequr nga hapësira publike.

Si të zbutet vala e urrejtjes?

Të gjitha këto dëshmi çojnë në të njëjtin përfundim: gjuha e urrejtjes dhe dhuna digjitale ndaj grave dëmtojnë demokracinë. Kur gazetarët, politikanet dhe aktivistet heshtin nga frika e linçimit, shoqëria humbet zërat e tyre. Ekspertët rekomandojnë një paketë masash, duke nisur nga përfshirja e qartë e urrejtjes digjitale dhe seksiste në Kodin Penal dhe zbatimi i konventave ndërkombëtare, te krijimi i mekanizmave të raportimit dhe sanksionimit për sulmet online, duke ndërtuar një autoritet që monitoron rrjetet dhe vepron.

Masa të tjera janë: kode etike të zbatueshme dhe moderim i komenteve në media, si dhe trajnime për raportim gjinor; si edhe edukimi digjital dhe mediatik për të rritur vetëdijen e qytetarëve ndaj gjuhës së urrejtjes.

Raportet kërkojnë gjithashtu përmirësim të të dhënave zyrtare, shërbime mbështetëse për viktimat dhe ndihmë ligjore; pa statistika dhe mbështetje reale, urrejtja mbetet e padukshme dhe gratë heshtin. Siç paralajmëron Blerjana Bino, nëse nuk ndërmerren hapa konkretë, autocensura e grave do të rrezikojë pluralizmin dhe cilësinë e debatit publik. Në anën tjetër, shembulli i Esiona Konomit tregon se ka ende gra që zgjedhin të mos tërhiqen: sulmet i bëjnë edhe më këmbëngulëse.

Ky artikull është realizuar në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, si pjesë e projektit Reporting Diversity Network, me mbështetje të Bashkimit Evropian. 

RAPORTI I MONITORIMIT MBI GJUHËN E URREJTJES NË SHQIPËRI 2025