Kur studioja televizive bëhet ring boksi: mbi degradimin e misionit të medias në Shqipëri
Mbrëmjen e 12 shkurtit 2026, emisioni “Opinion” në TV Klan, një nga programet politike më të ndjekura në Shqipëri, transmetoi live një debat mbi gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Gjatë diskutimit, gazetari Berat Buzhala u ngrit nga karrigia, mori një shishe uji dhe sulmoi fizikisht publicistin Albatros Rexhaj. Moderatori Blendi Fevziu ndërhyri së bashku me panelistë të tjerë për t’i ndarë, por në asnjë moment nuk e adresoi drejtpërdrejt dhunën e ndodhur në studio.
Pak ditë më parë, në një tjetër ekran kombëtar, opinionisti Laert Vasili u ngrit dhe puthi pa pëlqimin e saj konkurrenten Esme në emisionin “Përputhen” në Top Channel, duke detyruar moderatoren Megi Pojani t’i kërkonte largimin nga programi. Dy ngjarje, dy televizione kombëtare, i njëjti mesazh: studioja televizive si arenë, jo si forum.
Televizioni lindi me një premtim të madh: të ishte forumi i debatit demokratik, hapësira ku përplasen idetë, jo trupat. Kur Jürgen Habermas konceptoi “sferën publike”, ai e mendoi atë si hapësirën ku qytetarët informohen, diskutojnë dhe formojnë opinion. Televizioni, në formën e tij më të mirë, duhet të jetë pikërisht kjo: një shtëpi e fjalës së lirë ku argumenti fiton mbi zërin dhe fakti mbi emocionin.
Ajo që po ndodh në ekranet shqiptare është e kundërta. Studioja po shndërrohet nga forum debati në ring boksi, nga hapësirë informimi në arenë spektakli. Ajo çfarë mbetet aq shqetësuese sa vetë dhuna është mënyra si ajo po trajtohet.
Relativizimi i dhunës dhe klikimet: një varësi reciproke
Në vend të një dënimi të qartë të dhunës në prime-time, incidenti fillimisht u injorua. Moderatori i “Opinion”, Blendi Fevziu, tentoi ta ridrejtonte fokusin te tema e debatit, pa e adresuar në asnjë moment aktin fizik.
Kur Albatros Rexhaj u përpoq disa minuta më vonë ta rikthente në vëmendje dhunën e përjetuar, moderatori deklaroi se ajo tashmë “kaloi” dhe se “ka pasur sherre më të mëdha në këtë studio”. Edhe pas kërkimfaljes së Buzhalës ndaj Rexhajt dhe publikut, dhuna u relativizua sërish me deklaratën se “shqiptarët kanë parë sa të duash si këto skena”.
Mungesa e një qëndrimi të prerë kundër dhunës u pasua nga publikimi i sekuencës në rrjetet sociale, ku ajo u bë virale. Videoja mbetet e postuar në faqen zyrtare të emisionit, ndërsa episodi i plotë vijon të përmbajë skenën e dhunës.
Ajo që ndodhi mes Buzhalës dhe Rexhajt nuk ishte një aksident i izoluar, por kulmi i një trajektoreje degradimi që ka kohë që zhvillohet. Kur një gazetar ngrihet për të sulmuar fizikisht një bashkëpanelist në transmetim të drejtpërdrejtë, mesazhi që i dërgohet publikut është i qartë: dhuna bëhet pjesë e debatit.
E njëjta logjikë, në formë tjetër, u shfaq në rastin e Laert Vasilit. Puthja pa pëlqim ndaj një vajze në ekran kombëtar nuk është “moment spontan”; është shkelje e integritetit fizik, e transmetuar para mijëra shikuesve. Mesazhi është po aq i rrezikshëm: kufijtë personalë mund të shkelen në emër të spektaklit.
Si mbërritëm këtu?
Përgjigjja qëndron në një fjalë: klikimi. Garimi i pandalshëm për audiencë, të cilin Neil Postman e quante “argëtim deri në vdekje”.
Televizionet shqiptare operojnë në një treg të vogël ku reklamimi përcakton mbijetesën. Sistemi i matjes së audiencës, siç është theksuar edhe nga Këshilli i Evropës, vuan nga kufizime serioze: panele të vogla dhe matje të televizorëve, jo të njerëzve. Megjithatë, audienca është shndërruar në perëndinë e vetme të ekranit dhe perënditë kërkojnë flijime.
Flijimi i parë ka qenë thellësia e debatit. Kur reagimi emocional u bë njësi matëse suksesi, tonet e larta fituan mbi argumentin e qetë. Panelistët u përzgjodhën gjithnjë e më pak për ekspertizën dhe gjithnjë e më shumë për aftësinë për të krijuar konflikt. Fjala u zëvendësua nga bërtitja, analiza nga provokacioni.
Flijimi i dytë ka qenë dinjiteti njerëzor. Formatet “reality” dhe talk-show normalizuan ekspozimin e vulnerabilitetit, puthjet e paautorizuara dhe agresionin verbal si “momente televizive”.
Flijimi i tretë, dhe më i rrezikshmi, është besueshmëria. Sipas studimit “Balkan Public Barometer 2024”, 53% e shqiptarëve u shprehën se “kanë tendencë të mos i besojnë ose nuk i besojnë fare medias”. Ndërkohë, Reporters Without Borders e rendit Shqipërinë në vendin e 80-të në botë për lirinë e shtypit. Humbja e besimit nuk vjen vetëm nga presioni politik, por edhe nga vetëshkatërrimi i brendshëm i medias, kur ajo tradhton misionin e saj.
Përgjegjësia institucionale, si nevojë për të shmangur “një udhëkryq” të pakërkuar
Degradimi i ekranit nuk është thjesht çështje etike; është çështje institucionale. Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), si rregullatori kryesor, ka autoritetin ligjor të monitorojë përmbajtjet, të lëshojë paralajmërime, të vendosë gjoba dhe, në raste të rënda, të pezullojë licenca. Kodi i Transmetimit përcakton norma të qarta mbi mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe ndalimin e dhunës në ekran.
Këshilli i Ankesave pranë AMA-s është organi që trajton ankesat e qytetarëve. Qytetarët kanë të drejtën dhe përgjegjësinë të paraqesin ankesa formale.
Moderatorët, nga ana tjetër, nuk janë figura neutrale. Ata duhet të ndërhyjnë menjëherë, të dënojnë qartë dhunën, të mbrojnë integritetin e të sulmuarit dhe të rikthejnë fokusin te argumenti, jo te spektakli.
Televizionet shqiptare ndodhen përballë një zgjedhjeje: të vazhdojnë rënien drejt spektaklit toksik, duke ndjekur klikimin si qëllim në vetvete, ose të rishkruajnë kontratën me publikun. Një kontratë që thotë: jemi këtu për t’ju informuar, jo për t’ju tronditur; për t’ju dhënë fakte, jo adrenalinë; për të forcuar debatin publik, jo për ta zëvendësuar atë me dhunë.
Shqipëria aspiron integrimin europian. Liria dhe cilësia e medias janë ndër kriteret kyçe të progresit. Por integrimi nuk fillon në Bruksel. Fillon në studiot tona, çdo mbrëmje, para çdo transmetimi. Fillon me një pyetje të thjeshtë: a po i shërbejmë publikut, apo po e shfrytëzojmë atë?
