Sulmet personale dhe përpjekjet për diskreditim të gazetares investigative Klodiana Lala janë përsëritur gjatë muajve të fundit nga figura të larta politike dhe institucionale, në momente kur ajo ka ushtruar profesionin e saj dhe ka ngritur pyetje apo kritika mbi çështje me interes publik.
Rasti i fundit u shënua sot, më 12 nëntor 2026, kur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi publikisht gazetaren Klodiana Lala pas daljes së saj nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Berisha ishte paraqitur në SPAK në cilësinë e kallëzuesit ndaj gjyqtares Irena Gjoka, lidhur me dyshimet për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit. Lala e pyeti nëse kishte dorëzuar dokumente në mbështetje të pretendimeve të tij.
Në vend të një përgjigjeje mbi pyetjen e gazetares, Berisha iu drejtua asaj personalisht, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e saj të punës dhe integritetin profesional.
“Klodiana, ke lënë përshtypjen me ca informacione, që funksionon si një enë sifon e informacioneve”, deklaroi Berisha, duke vijuar me akuza se gazetarja merr të dhëna nga palë të tjera.
Lala iu përgjigj se marrja e informacionit është pjesë e punës së saj si gazetare. Më tej, Berisha e cilësoi atë si “një nga gazetaret më të keqpërdorura në mënyrë të pamëshirmshme”, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë dhe profesionalizmin e saj.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi ndaj deklaratave, duke i konsideruar ato sulme personale ndaj gazetares.
“Deklaratat e Berishës cenojnë dinjitetin profesional të gazetares dhe nuk kontribuojnë në një debat publik të përgjegjshëm”, thuhet në reagimin e AGSH-së.
AGSH theksoi gjithashtu se gazetarët nuk duhet të bëhen objekt i sulmeve personale, etiketimit apo diskreditimit publik për shkak të punës së tyre në interes të publikut.
Sipas AGSH-së, një gjuhë e tillë, veçanërisht kur përdoret nga figura me ndikim të lartë politik, rrezikon të nxisë armiqësi ndaj gazetarëve, të minojë besimin publik te media dhe të krijojë një klimë frikësuese për ushtrimin e lirë të profesionit.
Shtator 2026: Akuza për lidhje me agjentë serbë
Ky nuk është rasti i parë gjatë muajve të fundit kur Klodiana Lala është përballur me sulme nga figura të larta publike për shkak të punës së saj.
Në shtator 2026, gazetarja u vu në shënjestër nga Vlora Hyseni, ish-drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), e cila është nën hetim në lidhje me dyshime për zbulim të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të një krimi.
Ngjarja ndodhi jashtë ambienteve të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku Hyseni ishte paraqitur në kuadër të një hetimi të SPAK.
Lala i drejtoi Hysenit një pyetje lidhur me pretendimet për dhënie të materialeve të klasifikuara biznesmenit Ergys Agasi.
Në vend që t’i përgjigjej pyetjes, Hyseni iu drejtua gazetares: “Klodi, si kalon ti me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”. Deklarata u bë publikisht, në prani të gazetarëve të tjerë dhe kamerave.
Rrjeti SafeJournalists e dënoi deklaratën si intimidim publik dhe përpjekje për diskreditimin e gazetares investigative. Rrjeti ngriti shqetësimin se lidhja publike e një gazetareje me aktorë të huaj të inteligjencës mund të dëmtonte reputacionin e saj profesional dhe ta ekspozonte ndaj ngacmimeve, kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë.
Lala i mohoi akuzat dhe i cilësoi ato si përpjekje për ta intimiduar për shkak të punës së saj. Në një dalje në emisionin “Opinion”, ajo deklaroi se karrierën e saj profesionale e kishte ndërtuar mbi integritetin, profesionalizmin dhe paanshmërinë.
Kritika ndaj inceneratorëve: Rama e cilëson komentin e Lalës “injorancë të ububushme”
Një tjetër episod i ngjashëm u shënua më herët, kur Kryeministri Edi Rama iu përgjigj publikisht një komenti të Klodiana Lalës në rrjetin social X.
Rama kishte publikuar disa imazhe që tregonin nivelin e ndotjes në zonën e Shkozetit dhe kishte fajësuar qytetarët për situatën. Lala reagoi duke vënë në dukje se inceneratorët, të prezantuar si një zgjidhje për problemet e mbetjeve dhe ndotjes, ishin përfshirë në skema të mëdha korrupsioni dhe nuk funksiononin.
Pas mbylljes së komenteve në postimin e tij, Rama iu përgjigj komentit të gazetares në një tjetër postim në X, pa e përmendur atë me emër.
Ai e cilësoi komentin si të karakterizuar nga “një injorancë e ububushme” dhe deklaroi se “një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dezinformon”, duke e vendosur kritikën e gazetares në të njëjtin kornizim me urrejtjen, shpifjen dhe dezinformimin. Më tej, ai deklaroi se kjo kategori gazetarësh “po shtohet njësoj si plastika”.
Në lidhje me këtë episod, SafeJournalists Albania e konsideroi gjuhën e përdorur ndaj Lalës si poshtëruese dhe delegjitimuese, duke theksuar se gazetarja kishte ngritur një çështje me rëndësi publike dhe të dokumentuar.
“Kur Kryeministri, nga pozita e tij e pushtetit, përgjithëson dhe diskrediton rolin e gazetarisë në vend që të japë llogari, vëmendja zhvendoset nga çështjet reale të interesit publik drejt sulmit ndaj atyre që bëjnë pyetje”, deklaroi SafeJournalists Albania.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e konsideroi gjuhën e përdorur si të papranueshme dhe intimidues, duke argumentuar se një gjuhë e tillë “ushqen polarizimin, banalizon debatin dhe krijon një precedent të rrezikshëm presioni verbal ndaj gazetarëve”.
AWA: Kritika nuk duhet të shndërrohet në intimidim
Albanian Woman in Audiovisual (AWA) e konsideron shqetësuese përsëritjen e sulmeve personale dhe përpjekjeve për diskreditim ndaj gazetarëve, veçanërisht kur ato vijnë nga figura me pushtet politik ose institucional.
Kritika ndaj medias dhe gazetarëve është pjesë e një debati demokratik. Institucionet dhe politikanët kanë të drejtë të kundërshtojnë raportimet, të kërkojnë korrigjime dhe të argumentojnë kundër tyre. Por kjo duhet të bëhet duke iu referuar fakteve dhe përmbajtjes së raportimit, pa e kthyer gazetarin në objekt të sulmit personal.
Gazetarët investigativë duhet të jenë në gjendje të bëjnë pyetje, të kërkojnë llogari dhe të raportojnë mbi çështje me interes publik pa u përballur me etiketime, diskreditim apo intimidim publik.
Sulmet ndaj një gazetari nuk dëmtojnë vetëm individin, ato mund të dëmtojnë edhe të drejtën e publikut për të marrë informacion dhe aftësinë e medias për të ushtruar rolin e saj si një mekanizëm kontrolli ndaj pushtetit.
