Skip to content Skip to footer

Deklaratë: Dënojmë gjuhën seksiste në Kuvend dhe kërkojmë masa disiplinore ndaj deputetëve Taulant Ball dhe Gazment Bardhi

Dënojmë gjuhën seksiste në Kuvend dhe kërkojmë masa disiplinore ndaj deputetëve Taulant Ball dhe Gazment Bardhi

Albanian Women in Audiovisual po ndjek me shqetësim gjuhën seksiste dhe misogjene të përdorur nga deputeti Taulant Balla ndaj deputetes së opozitës Albana Vokshi, gjatë seancës plenare, ku ai iu drejtua deputetes Albana Vokshi me fjalët “0900, se për ty kam këtë numrin”. Kjo deklaratë, e shoqëruar me nënkuptime të qëllimshme mbi moralin dhe jetën personale, përbën një formë të qartë denigrimi ndaj një gruaje në politikë.

Deklarata të tilla nuk janë thjesht të papërshtatshme për një debat parlamentar; ato synojnë të ulin moralisht deputetet gra, t’i intimidojnë ato në hapësirën politike dhe publike dhe, në fund, të delegjitimojnë zërin e tyre kritik. Kur diskursi politik përdor gjuhë seksiste dhe aludime për jetën personale të grave, ai kontribuon në krijimin e një klime armiqësore që i largon gratë nga pjesëmarrja e barabartë në jetën publike.

Në të njëjtën kohë, dënojmë edhe kundërpërgjigjen e deputetit të opozitës Gazment Bardhi, i cili përdori gjithashtu gjuhë seksiste ndaj deputeteve gra të Partisë Socialiste. Standardet e komunikimit publik duhet të jenë të njëjta për të gjithë dhe gjuha diskriminuese ndaj grave nuk mund të justifikohet apo relativizohet, pavarësisht tensionit politik.

Është e papranueshme që Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi, nuk ndërmori masa ndaj deputetit Taulant Balla, edhe pse Rregullorja e Kuvendit parashikon sanksione në rastet e përdorimit të gjuhës joparlamentare dhe diskriminuese. Sipas rregullores, kur një deputet përdor gjuhë fyese dhe shkakton përplasje apo kaos në Parlament, mund të aplikohet masa disiplinore “Përjashtimi nga seanca plenare”, në përputhje me nenin 65 të Rregullores së Kuvendit.

Situata bëhet edhe më shqetësuese nga përpjekja për ta relativizuar deklaratën përmes një dezinformimi të qëllimshëm nga deputeti Balla në të njëjtën seancë plenare. Pas reagimeve nga opozita, deputeti Balla e riformuloi deklaratën e tij:

“Nëse kolegia Vokshi ndihet e fyer, unë i kërkoj ndjesë. Isha duke folur për reformën e BE-së; ja ku e keni numrin me 0900 të BE-së ku çdo qytetar i BE-së merr informacion për vendimmarrjen në BE.”

Megjithatë, sipas verifikimeve të kryera, nuk ekziston një numër i tillë. Numri zyrtar informues i Bashkimit Europian (Green Line) është 00 800 6 7 8 9 10 11, një shërbim i njohur për informimin e qytetarëve mbi politikat dhe institucionet e BE-së.

Tashmë që Sekretariati i Etikës po e shqyrton këtë çështje, kërkojmë që kjo masa e ndërmarrë të jetë në proporcion më dëmin e shkaktuar dhe ajo të merret jo vetëm ndaj deputetit Taulant Balla, por edhe ndaj deputetit të opozitës Gazment Bardhi.

Dëshirojmë të theksojmë edhe një herë se retorika seksiste në institucionin më të lartë përfaqësues të vendit nuk është një çështje e vogël apo episodike. Ajo prodhon pasoja reale në kulturën politike dhe në shoqëri, duke normalizuar gjuhën denigruese ndaj grave dhe duke minuar përpjekjet për barazi dhe përfaqësim të drejtë në jetën publike. Institucionet publike dhe përfaqësuesit e zgjedhur kanë përgjegjësinë të garantojnë që debati politik të zhvillohet me dinjitet, respekt dhe pa diskriminim.

Albanian Woman in Audiovisual shpreh solidaritet ndaj deputetes Albana Vokshi dhe të gjitha deputeteve që preken nga gjuha seksiste çdo ditë në punën e tyre. Zëri i tyre është i rëndësishëm për një shoqëri demokratike dhe në qëndrojmë në krah të çdo gruaje që tentohet t’i minimizohet prezenca fizike në hapësirën publike dhe politike.