Skip to content Skip to footer

Kineaste nga Ballkani dhe Evropa diskutojnë për rolin e grave në kinema

“Breaking the Frame”: Kineaste nga Ballkani dhe Evropa diskutojnë për rolin e grave në kinema

Në datë 25 shkurt, Albanian Women in Audiovisual organizoi konferencën “Breaking the Frame: Balkan Women Reimagine Cinema”, me mbështetjen e Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasadës së Francës në Shqipëri, Institut Français d’Albanie dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Kjo konferencë u financua nga Ambasada Franceze në Shqipëri.

Ky event bëri bashkë zëra kineastësh nga Shqipëria, Ballkani, Franca dhe Evropa për të diskutuar kinemanë dhe përfshirjen e grave në të, sfidat e rajonit dhe shembuj politikash nga Franca dhe Evropa se si këto vështirësi mund të kapërcehen. Me përfaqësues nga qendrat kombëtare të filmit në Ballkan, delegatë nga Centre National du Cinéma et de l’image animée (CNC) në Francë dhe Eurimages, si dhe producentë filmash nga rajoni, konferenca zhvilloi një dialog të hapur me mbi 50 pjesëmarrës për të tashmen dhe të ardhmen e kinemasë, bashkëpunimet e mundshme dhe rolin e institucioneve publike.

Barazia gjinore është pjesë e diplomacisë sonë feministe”, tha Catherine Suard, ambasadore e Francës në Shqipëri.

Jam shumë krenare që në Francë e kemi integruar këtë në politikat tona dhe kemi vendosur stimuj të drejtë për ata që i respektojnë këto norma”, vijoi më tej Suard, duke theksuar se ndonëse numri i grave kineaste është rritur, ai mbetet ende i ulët dhe ka ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim.

Lira Pipa, Zëvëndës-Ministre e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, u shpreh se në Shqipëri po ndërmerren disa reforma në ligjin e kinemasë për të ndryshuar situatën.

Po punojmë me shumë dëshirë për ta çuar përpara këtë sektor dhe për politika që rrisin përfshirjen e grave si kineaste dhe për të parë çfarë mund të bëjmë për ta fuqizuar rolin e gruas në këtë sektor”, tha Pipa.

Gjatë fjalës hyrëse, Jonid Jorgji, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, u shpreh se përfshirja e grave në kinema si politikë synon që ato të mos jenë thjesht statistika.

Po i japim një rëndësi të veçantë meritokracisë, që fuqia krijuese e gruas të jetë ajo që përcakton suksesin e një kinematografie”, u shpreh ai.

Sabina Kodra, drejtoreshë ekzekutive e Albanian Women in Audiovisual, tha se kjo konferencë simbolizon një punë disa-vjeçare të disa grave kineaste që ndjenin se ato nuk përfaqësoheshin askund.

Para tetë vitesh disa gra dhe vajza u mblodhën në një dhomë shumë herë më të vogël se kjo për të themeluar AWA-n, sepse gratë nuk ishin në asnjë tavolinë”, tha Kodra. “Ne vendosëm: nëse tavolina s’na pëlqen, do ta kthejmë përmbys.”

Kodra theksoi se kjo konferencë vjen në një moment polarizimi të shoqërisë, ku barazia gjinore si koncept është kthyer në një temë tabu, ndërsa vetë konferenca synon të bëjë të kundërtën: të ndërtojë dialog mes Ballkanit dhe realitetit francez e evropian, duke i pasur ato si busull për politika gjithëpërfshirëse, diçka që deri vonë mund të imagjinohej vetëm si ëndërr.

Mjaftoi vetëm një imagjinatë për ta riimagjinuar atë që mund të na bëjë bashkë: si gjysma më e mirë e njerëzimit mund të gjejë vend në kinema”, përmbylli ajo.

Realiteti në Evropë: Larg së qenit i barabartë

Në panelin e parë, Laetitia Kulyk nga CNC France, pjesë e Ministrisë së Kulturës në Francë, diskutoi më në gjerësi se si ata arritën të sigurojnë një përfshirje më të barabartë të grave në kinema. Fillimisht, Kulyk theksoi se u përdor politika e bonusit, ku filmat që kishin përfshirje të grave kineaste mund të përfitonin mbështetje shtesë. Tashmë, sipas saj, qasja ka ndryshuar.

Ministria e Kulturës ka filluar të punojë edhe me një mekanizëm penaliteti – tani konsiderojmë se barazia është normale dhe kur ajo mungon, do të ketë penalizim”, u shpreh ajo, duke shtuar se ende ka punë për t’u bërë, pasi diferenca në paga për grate dhe burrat, për të njëjtën punë, mbetet rreth 20 për qind.

Ndërkohë, të dhënat nga European Audiovisual Observatory tregojnë një panoramë tjetër për Evropën.

Gratë janë ende të nën-përfaqësuara në industrinë e filmit. Vetëm 24 për qind e të gjitha angazhimeve profesionale në filmat evropianë nga viti 2020 deri në 2024 i janë dhënë grave”, tha Enrico Vannucci nga Eurimages.

Pikërisht për këtë arsye, politikat inkurajuese për përfshirjen e grave në kinema mbeten ende të nevojshme, u shpreh Elena Christodoulidou nga Cyprus Cinema Office.

Në sektorin e financave nuk kemi të njëjtin diskutim; nuk ka nevojë të inkurajohen gratë për të marrë pjesë. Në kinema, përkundrazi, duhet t’i inkurajojmë ato”, tha ajo gjatë njërit prej paneleve, duke e quajtur kinemanë “një botë burrash”. “Statistikat tregojnë se ka një regjisore për çdo tre regjisorë burra”.

Kosova: një realitet ndryshe për gratë kineaste ku shifrat përmbysen

Prej vitit 2021 në Kosovë ka nisur një “valë e re” e regjisoreve gra, ku shohim më shumë përfshirje të grave sesa të burrave.

Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, u shpreh se ndonëse nuk ka një përgjigje të saktë pse ka ndodhur kjo, ajo është e vetëdijshme për ndikimin e grave në shoqërinë e Kosovës.

Në shoqërinë tonë gratë janë të pranishme në çdo sferë dhe kjo e ka ndihmuar edhe sektorin e filmit”, tha Zeqiri. “Mënyra patriarkale e të qenit është ende shumë e pranishme, por realiteti është që gratë në Kosovë janë shumë të guximshme, të talentuara dhe të forta”.

Antoneta Kastrati, producente nga Kosova, shpjegoi se motërzimi ka qenë një element shumë i rëndësishëm në suksesin e grave në kinema.

Krijuam një mikro-sistem tonin dhe u rritëm bashkë, duke ndihmuar njëra-tjetrën. Jemi të gjitha shumë të lidhura me njëra-tjetrën.”

Motërzimi ka lulëzuar në Kosovë”, u shpreh Anita Morina, regjisore. “Kur je i shtypur, nevoja për të ëndërruar më shumë dhe për t’u bërë më i mirë se shtypësi është edhe më e fortë”, shtoi ajo.

Në kontekstin shqiptar, situata nuk është e njëjtë, megjithatë ka përmirësime, shtoi Evi Gjoni, regjisore.

Kur fillova studimet për film më thanë se është një fushë burrash. Tani shoh gjithnjë e më shumë gra në ekipet e filmave; në universitet, në fillim ishin vetëm burra.”

Nevoja për më shumë bashkëpunime në rajon dhe sfidat

Sara Stijović, producente nga Mali i Zi, shprehet se të jesh grua në këtë industri në Ballkan është shumë e vështirë. “Mesatarisht numri i filmave artistikë që realizohen në vit është mes zero dhe dy apo tre”, shtoi ajo.

Sa i përket bashkëpunimeve në rajon dhe në Evropë, burokracia administrative e Bashkimit Evropian përmendet si një ndër pengesat kryesore.

Unë ende po mësoj shumë dhe nuk kam aplikuar kurrë në Eurimages. Ka disa arsye, ndër to edhe kufizimet”, shtoi Sara Stijović. “Na mungon njohuria se si të lexojmë kontratat apo si t’u japim një shans këtyre aplikimeve.”

Rita Krasniqi, producente nga Kosova, u shpreh se një tjetër problem që vështirëson bashkëpunimin është koha dhe gjeografia.

Rumena Ivanova, producente nga Bullgaria dhe njëkohësisht përfaqësuese e European Women’s Audiovisual Network (EWA), u shpreh se një bashkëpunim i mirë varet edhe nga partneri.

Besoj se një faktor i rëndësishëm është zgjedhja e partnerit të duhur dhe kjo nuk është e lehtë; ka të bëjë edhe me lidhjen njerëzore, që vjen me besimin.” Një tjetër element me rëndësi që u soll në diskutim është vizioni i përbashkët.

Duhet të jemi të qartë dhe të flasim me ndershmëri”, tha Karnie Blanc, producente nga Franca. “Dhe të ndajmë të njëjtin vizion”, përfundoi ajo.

Konferenca u përmbyll me thirrjen për më shumë politika gjithëpërfshirëse për gratë kineaste dhe më shumë bashkëpunime në rajon.