Skip to content Skip to footer

Media dhe shoqëria civile kundër dekriminalizimit të pjesshëm të shpifjes dhe “gazetarëve me regjistër”

Media dhe shoqëria civile kundër dekriminalizimit të pjesshëm të shpifjes dhe “gazetarëve me regjistër”

Përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile kundërshtuan sot, përpara nisjes së seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, një paketë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dekriminalizimin e pjesshëm të shpifjes për gazetarët, duke bërë thirrje që këto amendime të mos votohen.

Konkretisht, gazetarët dhe organizatat në mbrojtje të lirisë së medias shprehin shqetësim për ndryshimet e propozuara në nenin 120 të Kodit Penal, “Dekriminalizimi i shpifjes”, ku shtohet kategoria e “gazetarëve të regjistruar”.

Sipas këtij amendimi, “një gazetar i punësuar ose i vetëpunësuar, i regjistruar dhe i njohur si i tillë” nuk mban përgjegjësi penale për veprën e shpifjes, kur:

  1. qëllimi kryesor është informimi i publikut mbi çështje me interes të përgjithshëm;
  2. në momentin e publikimit, ai nuk ka pasur dhe, në rrethanat konkrete, në mënyrë të arsyeshme, nuk mund të kishte dijeni se të dhënat apo informacionet faktike janë të rreme dhe ka bërë përpjekje të arsyeshme për të verifikuar saktësinë e tyre;
  3. pasi është informuar nga personi i prekur ose nga autoritetet kompetente se të dhënat apo informacionet faktike janë haptazi të rreme ose qartazi të pasakta, vepron pa vonesë për të bërë një përgënjeshtrim ose sqarim, për t’i hequr ato apo për të çaktivizuar aksesin në to.

Blerjana Bino nga rrjeti “SafeJournalists”, në një deklaratë para Kuvendit të Shqipërisë, theksoi se mbrojtja e gazetarit e bazuar në statusin e tij nuk është në përputhje me standardet evropiane.

“Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem regjistrimi të gazetarëve”, tha Bino, duke nënvizuar rreziqet që një sistem i tillë mund të sjellë.

“Çdo referencë ndaj ‘gazetarëve të regjistruar dhe të njohur’ krijon pasiguri juridike dhe rrezikon të hapë rrugën për mekanizma kontrolli mbi gazetarinë, në kundërshtim me parimet themelore të lirisë dhe pavarësisë së medias”, shtoi më tej Blerjana Bino nga SafeJournalists.

Deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, propozoi një draft që kërkonte dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes në Kodin Penal, jo vetëm për gazetarët, por për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ajo u shpreh se vullneti i grupeve të interesit në mbrojtje të lirisë së medias nuk është marrë parasysh, pavarësisht konsultimeve dy mujore të zhvilluara.

“Sot liria e fjalës është në rrezik”, tha Tabaku. “Kodi Penal do të përdoret si kërcënim ndaj gazetarëve, për të seleksionuar ata gazetarë që do të kërcënohen me burg”, vijoi ajo.

Nga ana tjetër, fyerja vijon të mbetet vepër penale.

Isa Myzyraj nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) u shpreh se ka marrë pjesë në këto konsultime publike, ku është bërë e qartë kërkesa e tyre si grup interesi për dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes.

Myzyraj theksoi se mosreflektimi i qëndrimeve të grupeve të interesit në konsultimet publike për çështje me rëndësi publike nuk janë raste të izoluara, por të përsëritura.

“Proceset e konsultimit publik, edhe për çështje me rëndësi thelbësore për demokracinë dhe integrimin evropian të Shqipërisë, mbeten të brishta dhe mund të përmbysen brenda një kohe shumë të shkurtër”, përmbylli fjalën e tij drejtuesi i AGSH-së, Isa Myzyraj.