Cikli i heshtur i abuzimit: Kur mëmësia shndërrohet në burim dhune dhe kontrolli
Ina Allkanjari
Kur solli në jetë fëmijën e saj të parë, Suela* 28 vjeç nga Tirana, mendoi se më në fund po hynte në një kapitull të ri të jetës. Por vetëm pak muaj pas lindjes, momente që duhej të ishin të mbushura me qetësi dhe gëzim u kthyen në orët më të frikshme që ajo kishte përj
etuar ndonjëherë. Dhuna psikologjike që kishte duruar për vite nga partneri mori një formë edhe më të ashpër: dyshime për atësinë, presion për teste ADN-je, izolim dhe shpërthime të dhunshme brenda shtëpisë.
Në kulmin e një episodi të dhunës së rëndë, teksa mbante në krah foshnjën vetëm gjashtë muajshe, Suela arriti të kontaktonte Linjën Kombëtare të Këshillimit duke kërkuar ndihmë përmes “ulërimave dhe thirrjeve të dëshpëruara”. Specialistët tregojnë se ajo po përjetonte “frikë ekstreme, kryesisht për fëmijën”, ndërsa dhuna fizike, psikologjike, ekonomike dhe verbale e kishte paralizuar emocionalisht, duke e bërë të vështirë të merrte vendime të qarta.
Edhe pse gjendej në rrezik, ndjenja e fajit, frika dhe “dëshira për të ruajtur një familje të bashkuar” e kishin penguar për një kohë të gjatë të kërkonte ndihmë. Vetëm pas reagimit të shpejtë të institucioneve dhe mbështetjes së familjarëve të saj, Suela arriti të largohej dhe sot po përpiqet të ndërtojë një jetë të sigurt për veten dhe fëmijën e saj.
Por historia e Suelës nuk është e vetme. Ekspertët ngrenë alarmin se për shumë gra në Shqipëri, dhuna ndaj tyre nuk zhduket me ardhjen e një fëmije përkundrazi, shpesh nis ose intensifikohet pikërisht në këtë periudhë të brisht.
Përshkallëzimi i heshtur i dhunës: kontrolli dhe kërcënimi me fëmijën
Për nënat e reja, dhuna merr forma të sofistikuara të kontrollit. Rastet e raportuara nga linjat e ndihmës dhe strehëzat e specializuara zbulojnë një prirje tronditëse: mëmësia shpesh vepron si një katalizator që intensifikon ciklin e abuzimit. Ejnxh Pepa, përfaqësuese e Linjës Kombëtare të Këshillimit për Gra dhe Vajza, thekson se zëri i grave që përjetojnë dhunë pas lindjes është shumë i dukshëm përmes telefonatave që marrin. Sipas saj, rreth 70% e rasteve që raportohen për dhunë në këtë linjë janë nga gra që kanë një ose më shumë fëmijë.
“Mëmësia ka ndikuar shumë që situata e dhunës të përshkallëzohet. Ardhja në jetë e një fëmije ndikon shumë që të ketë një përshkallzim të dhunës dhe shtimin e konflikteve nga ana e dhunuesit”, – shpjegon Pepa teksa thekson se forma që dominon në këtë periudhë është dhuna psikologjike, siç është manipulimi emocional, kërcënimi për t’u marrë fëmijët apo vendosja e vazhdueshme në presion përmes rolit të mëmësisë.
Një nga problemet më të mëdha që Pepa evidenton është normalizimi i dhunës nga vetë gratë për shkak të lodhjes dhe presionit social. “Kritikat e vazhdueshme dhe nënvlerësimi shpesh interpretohen si forma ‘kujdesi’ apo ‘dashurie’,” thotë ajo, ndërsa shton që shumë gra ndihen të vetëfajësuara dhe shpesh kërkojnë ndihmë vetëm në situata të rrezikut të lartë. Faktorët kryesorë që pengojnë kërkimin e ndihmës janë frika për fëmijët, varësia ekonomike dhe stigma sociale.
Periudha pas lindjes: një “pikë kthese” për dhunën në familje
Mirela Arqimandriti, drejtuese e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC), lidh këtë fenomen me faktorë socialë dhe strukturalë. Sipas saj, mungesa e të dhënave të qarta dhe monitorimit sistematik e vështirëson adresimin efektiv të dhunës pas lindjes. “Shumë gra raportojnë se dhuna fillon me forma psikologjike, pastaj kalon në ekonomike dhe në disa raste edhe në fizike. Rastet e trajtuara shpesh tregojnë se lindja është një ‘pikë kthese’ ku konfliktet e fshehura më parë dalin në sipërfaqe dhe agravohen,” thekson Arqimandriti.
Përveç kësaj, ajo vë theksin te mentaliteti patriarkal që mbizotëron në Shqipëri dhe se si stigma dhe presioni kulturor ushqejnë heshtjen dhe normalizimin e dhunës.
“Mesazhe të tilla si ‘duro për hir të fëmijës’, ‘mos e prish familjen’ apo ‘gruaja është e para që duhet të sakrifikojë’, bëjnë që shumë gra të mos kërkojnë ndihmë, veçanërisht në muajt e parë pas lindjes kur ato janë emocionalisht dhe fizikisht më të lodhura,” shpjegon Arqimandriti. Ndër të tjera, ajo propozon nevojën për trajnime të detyrueshme të mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë në identifikimin e hershëm të dhunës gjatë vizitave pas lindjes; mbështetje ekonomike për nënat, sidomos për ato pa të ardhura; si dhe për fushata që sfidojnë stereotipet shoqërore.
Streha dhe mbështetja: një rrugëdalje për nënat e reja
Marsela Allmuca, drejtuese e Qendrës “Streheza Edlira Haxhiymeri,” shpjegon se nga përvoja 27-vjeçare e qendrës, e cila ofron mbrojtje dhe rehabilitim për gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë, lindja e një fëmije shpesh nuk shënon fillimin e dhunës, por një fazë ku ajo intensifikohet dukshëm. “Shumica e grave që i drejtohen qendrës sonë raportojnë se dhuna kishte qenë e pranishme më herët, kryesisht në formën e dhunës psikologjike, kontrollit, izolimit ose abuzimit ekonomik, por pas lindjes së fëmijës situata bëhet më e rëndë dhe më e shpeshtë,” thotë ajo.
Ajo shton se rreth 50–60% e grave që i drejtohen shërbimeve të specializuara kanë përjetuar përshkallëzim të dhunës pas lindjes, duke nënvizuar se kjo korrespondon me literaturën ndërkombëtare, e cila e identifikon periudhën post-partum si një fazë me rrezik të shtuar për abuzim.
Në aspekt praktik, Marsela Allmuca tregon se çdo vit qendra mbështet mesatarisht 80–100 gra dhe fëmijë, dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre raportojnë se dhuna është bërë më e shpeshtë dhe më e ashpër pas ardhjes së fëmijës në jetë. “Kjo nuk do të thotë se lindja është shkaku i dhunës; përkundrazi, dhuna zakonisht ka filluar më herët, por periudha pas lindjes shpesh shërben si një indikator i rëndësishëm i përshkallëzimit,” shpjegon ajo, duke nënvizuar se sfidat post-partum mund të thellojnë ciklin e abuzimit dhe të rrisin nevojën për mbështetje të specializuar dhe reagim të shpejtë institucional.
Marsela Allmuca, vë në dukje se pas lindjes së fëmijës, dhuna ndaj grave jo vetëm që bëhet më e shpeshtë, por edhe merr forma më të sofistikuara të kontrollit dhe manipulimit.
“Format më të zakonshme janë dhuna psikologjike dhe emocionale, si kritika e vazhdueshme, poshtërimi dhe izolimi, si dhe dhuna ekonomike, pasi shumë gra në këtë periudhë varen financiarisht nga partneri”, – shpjegon Allmuca teksa ndalet te paketa mbështetëse që Qendra ofron ndaj grave me fëmijë të vegjël, që përfshin strehim të sigurt, këshillim psikologjik, mbështetje juridike dhe shërbime mjekësore për nënën dhe foshnjën.
Barrierat e heshtjes: mentaliteti patriarkal dhe frika
Ajo që e bën më të vështirë daljen nga cikli i dhunës është fuqia e barrierave psikologjike dhe presioni shoqëror që e detyrojnë nënën të heshtë. Gratë shpesh e kanë të vështirë ta identifikojnë dhunën në periudhën pas lindjes, pasi lodhja, presioni për të qenë “nënë e mirë”, ndryshimet hormonale dhe izolimi e mjegullojnë gjykimin.
Sipas psikologes së këshillimit Elona Mustafaraj, izolimi i nënës, ndryshimet në dinamikën e marrëdhënies dhe varësia e shtuar nga partneri krijojnë një terren ku dhuna, sidomos ajo psikologjike, mund të shfaqet më lehtë dhe të kalojë pa u vënë re, duke e bërë më të vështirë që nënat të kërkojnë ndihmë në kohë.
“Dhuna psikologjike shpesh shfaqet përmes kritikave të vazhdueshme, nënvlerësimit të aftësive prindërore, kontrollit të tepruar dhe manipulimit emocional. Një nënë e re mund të duket tepër e tërhequr, e pasigurt në vendimet e saj, me ankth të shtuar ose e shqetësuar në praninë e partnerit”, shpjegon Mustafaraj teksa bën thirrjë që profesionistët dhe familjarët të vëzhgojnë ndryshime të tilla në humor, vetëvlerësim dhe sjellje sociale.
Shumë gra e kanë të vështirë ta identifikojnë dhunën në periudhën pas lindjes, pasi shpesh nuk e perceptojnë se partneri, nga i cili presin mbështetje, mund të jetë burim lëndimi.
“Shpesh, abuzuesi e maskon dhunën si stres apo si ‘kujdes për familjen’, gjë që e bën edhe më të vështirë të kuptohet realiteti,” shpjegon psikologia Mustafaraj teska thekson se barrierat kryesore që e pengojnë një nënë të re të kërkojë ndihmë janë frika, turpi, fajësimi ndaj vetes dhe varësia praktike apo ekonomike.
Ndërkohë Lediona Braho, psikologe klinike, thekson ndryshimet në dinamikën e çiftit që vijnë me ardhjen e fëmijës, duke e kthyer periudhën në një katalizator për tensionet dhe abuzimet, veçanërisht në çiftet ku ekzistojnë marrëdhënie me xhelozi dhe kontroll.
“Partnerët që ndihen të përjashtuar, të pafuqishëm ose që kanë vështirësi të pranojnë humbjen e kontrollit, mund të reagojnë me agresivitet emocional ose psikologjik. Dhuna nuk shfaqet gjithmonë dhe menjëherë në formë fizike, por mund të nisë me nënvlerësim, fajësim dhe presion emocional ndaj nënës së re”, shpjegon Braho.
Ajo nënvizon se shpesh dhuna psikologjike është e heshtur dhe e padukshme nga jashtë, por lënduese nga brenda. Sipas psikologes shenjat që mund të dallohen në raste të tilla janë ndryshime në sjellje: izolim, heqje dorë nga mbështetja familjare, ankth i shtuar, ndjenja faji, vështirësi në vendimmarrje ose justifikim i sjelljeve të partnerit.
“Në disa raste, gruaja ndjen se dhuna që përjeton nuk është “aq serioze” sa për të kërkuar ndihmë, sepse ‘nuk ka shenja fizike’. Ky perceptim rrit rrezikun që dhuna të vazhdojë dhe me gjasë, të përkeqësohet”, përfundon Braho.
Sipas të dhënave më të fundit të Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2024 u regjistruan mbi 2,500 raste të dhunës në familje në Shqipëri, ku shumica e viktimave janë gra dhe vajza, ndërsa në 9-muajt e parë të 2025-ës, 2,881 gra raportuan dhunë dhe mbi 3,650 kërkuan ndihmë nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, me një mesatare prej 13 grave në ditë. Kjo situatë alarmante, ku rastet e dhunës ndaj grave vazhdojnë të rriten, reflekton nevojën urgjente për monitorim sistematik në vizitat mjekësore postpartum, trajnime për profesionistët shëndetësorë dhe fushata kundër normave patriarkale si “duro për hir të fëmijës” që ushqejnë heshtjen.
*Emri është ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin
Ky artikull është realizuar në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, si pjesë e projektit Reporting Diversity Network, me mbështetje të Bashkimit Evropian.
