



“A ia vlen?”
Kjo është pyetja që më bëhet shumë shpesh.
“A ia vlen gjithë kjo lodhje? A ia vlen të ekspozohesh? A ia vlen të flasësh kur e di se do të sulmohesh?”
Unë jam juriste dhe aktiviste në fushën e lirisë së shprehjes dhe të mediave.
Kam më shumë se dhjetë vite që mbroj gazetarët, dhe sa më aktive që jam në këtë fushë, aq më vështirë e kam t’i përgjigjem pyetjes:
A ia vlen të flasësh, kur e di mirë se çdo fjalë mund të kthehet në armë kundër teje?
Më duhet ta pranoj – ne, gratë, kemi shumë më shumë hapësirë për të folur sot sesa kemi pasur në të kaluarën.
Por njëkohësisht… sulmohemi shumë më shumë se më herët.
Kur një grua del publikisht, ajo nuk përballet vetëm me kundërshtime për idetë e saj.
Sikur kjo të ndodhte, do të ishte lehtë.
Por ajo sfidohet për tonin e zërit, për dukjen, për veshjen, për jetën private.
“Shumë je e ashpër.”
“Shumë je direkte.”
“A mundesh me folë pak më butë?”
“A mundesh mos me qenë kaq e prerë?”
“Pse po e vesh qet setër gjithmonë?”
“A je e martuar? A ke fëmijë?”
Gati asnjëherë këto pyetje nuk u bëhen burrave.
Unë kam qenë objekt i komenteve fyese, ngacmimeve shumëvjeçare dhe shpifjeve – jo pse kam bërë diçka gabim, por sepse kam shprehur mendimin tim për çështje për të cilat kam studiuar në Prishtinë, Londër dhe Gent, dhe për të cilat kam ekspertizë.
Të qenurit aktiviste grua më ka mësuar diçka thelbësore:
Pasojat për ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes nuk janë të njëjta për të gjithë.
Për gratë, ato janë shumëfish më të mëdha dhe më të rrezikshme.
Pse jam aktiviste për lirinë e medias?
Unë besoj se liria e shprehjes dhe e medias nuk janë vetëm disa të drejta ligjore që i gëzojnë njerëzit, në veçanti gazetarët – këto janë oksigjeni i çdo demokracie.
Nëse media nuk është e lirë, shoqëria mbetet pa frymë.
Prandaj, gjithë karrierën time si juriste e kam ndërtuar mbi këtë bindje:
të kontribuoj në mbrojtjen e atyre që flasin, që zbulojnë të vërteta, që shpesh e bëjnë këtë duke e rrezikuar jetën dhe duke paguar një çmim të madh personal.
Para ca kohësh, kuptova që disa autorë emisionesh që mbahen në mbrëmje në Kosovë, gati asnjëherë nuk kanë arritur të flenë me fëmijët. Është sakrificë e jashtëzakonshme të të rritet fëmija pa qenë në gjendje t’i thuash natën e mirë ose pa pasur mundësi t’ia lexosh një libër para gjumit. Përtej kësaj, janë sulmet, vrasjet dhe kërcënimet tjera me të cilat ata ballafaqohen.
Por a e dini kush sulmohet më shumë?
Gratë gazetare.
Jo vetëm sepse ekspozojnë padrejtësi, por sepse janë gra që guxojnë të ekspozohen. Kërcënimet që ato marrin nuk janë vetëm profesionale – janë personale, seksiste, poshtëruese.Ato nuk synojnë të diskreditojnë një artikull, por të shkatërrojnë vetë personin që e ka shkruar.
Prandaj, në këtë luftë për të vërtetën, të gjithë gazetarët kanë nevojë për mbrojtje, dhe aktivistët, si unë, kanë obligim të jenë aty, në vijën e parë. Sot, unë udhëheq programin ligjor në Qendrën Evropiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit – ECPMF, ku çdo ditë punoj për të ofruar mbështetje për gazetarët që paditen, arrestohen, burgosen ose që ballafaqohen me çfarëdo sfide tjetër ligjore.
Kur një gazetar sulmohet në Ballkan, në Maltë apo në Sllovaki, është detyra jonë ta monitorojmë rastin, ta ndjekim hetimin dhe të sigurohemi që drejtësia nuk hesht. Kam parë nga afër çfarë ndodh kur shtetet dështojnë ta mbrojnë të vërtetën.
Në Maltë, gazetarja Daphne Caruana Galizia u vra pse po hetonte korrupsionin. Në Sllovaki, Ján Kuciak dhe e fejuara e tij u ekzekutuan në shtëpinë e tyre. Aty ku gazetaria ndëshkohet, qytetari mbetet pa të drejtë. Por kam parë edhe anën tjetër të historisë se si pas tragjedive, ngrihen qindra gazetarë, aktivistë e qytetarë që thonë: “Jo. Nuk do të heshtim.” Këtë e kam parë në Maltë dhe në Sllovaki.
Ata më kanë mësuar se shpresa dhe guximi janë po aq të fuqishëm sa frika. Të jesh aktiviste për lirinë e medias nuk është të jesh neutrale. Është të marrësh anë – anën e së vërtetës, të drejtës, të guximit. Dhe të tregosh që po merr anë.
Edhe kur kjo ka çmim. Pasojat e të qenurit aktiviste,të flasësh publikisht, të kritikosh, të mbrosh ata që sulmohen, sidomos kur je grua, ka pasoja.
Ne përballemi me pushtete, institucione, algoritme, por edhe me diçka më të frikshme: me indiferencën e shoqërisë. Sepse shpesh, kur një grua sulmohet online, shumica heshtin.
Të thonë “mos e merr seriozisht”, “janë thjesht komente”, “mos i lexo”. Por ato “komente” janë si gurë të vegjël që godasin çdo ditë, derisa të lëndojnë shpirtin. Në shumë raste, vajzat që kanë kaluar nëpër këtë përvojë kanë zgjedhur të heshtin. Jo nga dobësia, por nga lodhja. Dhe çdo herë që një grua hesht, ne humbim një histori, një ide, një perspektivë.
Ka ditë kur ndihesh e lodhur dhe e ekspozuar. Ka ditë kur frikësohesh, më shumë për familjen se sa për veten. Sepse në vend të debatit, shpesh merr fyerje. Në vend të mbështetjes, shpesh merr kërcënime. Në vend të respektit, shpesh merr dyshime.
Ajo që më vret më së shumti është kur anëtarët e familjes lëndohen dhe pësojnë për shkak të aktivizmit tënd. Dhe mua më ka ndodhur shpesh.
Nuk ke si arsyetohesh sepse nuk duhet të arsyetohesh por njëkohësisht lëndohesh në shpirt. Shpesh e shikon në sy anëtarin e familjes, dhe ai shikim, ajo heshtje, i thotë të gjitha.
Ajo heshtje thotë: më fal për netët pa gjumë, për stresin që ta kam shkaktuar, për shoqërinë që e ke humbur për shkak të aktivizmit tim, për pushimet e humbura, për eventet familjare në të cilat kam munguar.
Por po ashtu thotë: do të vazhdoj të jem e njëjtë, pavarësisht çmimit. Dhe megjithatë… çdo herë që pyes veten “a ia vlen?”, më kujtohen ata që kanë paguar çmimin më të lartë gazetarët që janë vrarë sepse folën.
Ata nuk patën luksin të zgjedhin. Ne e kemi. Dhe heshtja jonë do të ishte fyerje ndaj kujtimit të tyre. Të jesh aktiviste nuk është heroizëm.
Është përgjegjësi. Është obligim ndaj shoqërisë, shtetit dhe ndaj së vërtetës.Është patriotizëm.
Demokracia nuk mbahet gjallë vetvetiu ajo ka nevojë për zëra që e ruajnë, për gra e burra që nuk frikësohen nga pasojat. Sepse kur heshtim, të tjerët flasin në vendin tonë. Dhe zakonisht, ata që flasin në vendin tonë, e bëjnë për të na heshtur. Konkludimi
Pra… A ia vlen?
Po. Ia vlen.
Ia vlen sepse aktivizmi është shtylla e katërt e demokracisë dhe nuk ka demokraci pa shtyllë të katërt. Ia vlen sepse liria nuk është dhuratë është betejë. Ia vlen, sepse liria e shprehjes, fjala, është e vetmja gjë që s’mund të na e marrin dhe duhet ta përdorim. Ia vlen sepse çdo herë që një grua ngrihet dhe flet, një vajzë diku tjetër motivohet dhe bindet që edhe ajo mund të flasë. Unë do të vazhdoj të flas edhe kur është e vështirë, edhe kur duket e rrezikshme, edhe kur duket e kotë.
Në fund të ditës, dua që vajzat që do të vijnë pas nesh të mos pyesin më “A ia vlen?”,por të thonë me bindje:
“Po, ia vlen – dhe unë do të flas.”
